Përfundon epoka “Klitçko”, Xhoshua “mbreti” i ri i boksit
Entoni Xhoshua është kampion i botës për peshat e rënda në kategoritë IBF, ËBA dhe IBO. Boksieri britanik mbrojti titullin IBF dhe rrëmbeu ata ËBA dhe IBO falë triumfit ndaj Vladimir Klitçkos në një betejë epike mes dy brezash para 90 mijë të pranishmëve në stadiumin “Uembli”, një ndër më spektakolaret e viteve të fundit.
Që kjo përballje vështirë se do të mbyllej me të dy boksierët në këmbë u pa qysh në raundet e para, kur asnjëri prej sportistëve nuk i kurseu grushtet kundër tjetrit. Në të pestin legjenda ukrainase shpërtheu me goditje të njëpasnjëshme, të cilat vazhduan edhe në të gjashtin duke e rrëzuar nokdaun britanikun. Ky ishte rrëzimi i parë në karrierën e Xhoshuas.
Lufta vazhdoi e barabartë deri në raundin e parafundit, kur freskia fizike e një 27-vjeçari dominoi përballë një 41-vjeçari që rikthehej në ring pas 19 muajsh.
Me një sulm të befasishëm, Entoni Xhoshua fillimisht e rrëzoi kundërshtarin e tij, para se ta hidhte përfundimisht në tapet pak sekonda para gongut të parafundit.
Për britanikun kjo ishte fitorja e 19-të në po kaq përballje, të gjitha me nokaut. Kurse ish-kampioni ukrainas pësoi disfatën e pestë në 69 ndeshje, të katërtën me nokaut.