Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta Toçila: Rilindja cullak!

E mbani mend përrallën “Rrobat e reja të mbretit” ? Mbreti vanitoz porosiste shumë rroba e nuk dinte të ndalte. Një ditë vijnë dy rrobaqepës mashtrues, të cilët i qepin një kostum imagjinar të rrallë. Oborrtarët e adhuruan këtë kostum dhe e mbështetën mbretin t’ia tregonte popullit. Mbreti doli në publik lakuriq, dhe një djalë i vogël pafajësisht qeshi me të vërtetën. E qeshura e tij i dha forcë turmës të tregonte me gisht mbretin.

Në realitetin shqiptar, mbreti mund të jetë një lider, një grupim politik, një qeveri apo një ideologji e ashtuquajtur rilindje, e cila ka mbetur cullak. Ajo ka tentuar të veshë e të provojë shumë kostume, por ajo ende nuk ka gjetur masën e saj. A ka rrobaqepës të zotë në këtë vend? Apo duhet të presim ndonjë kroat apo gjerman?

Unë njoh rrobaqepës dhe stilistë vendas. Këta janë të thjeshtë, të urtë, të pafjalë, të ndershëm, të talentuar, të mënjanuar, të shkolluar, të edukuar. Mund të jenë të rinj e entuziastë, të motivuar për të ecur përpara për veten dhe për vendin. Mund të jenë edhe në moshë, por të lënë mënjanë të konsideruar si rrezik potencial nga rrobaqepësit e oborrit.

Dikush mund të thotë se të rinjtë, jo vetëm në moshë, nuk do dinë të bëjnë pazare të majme dhe madje as të kuptojnë gjuhën teknike. Por çfarë hajri u pamë këtyre teknicienëve të kudondritur dhe xhepaderdhur, që as një veshje nuk ditën ti sajojnë bukur një bebi të porsalindur apo rilindur??

Përralla që ju kujtova, na tregon forcën e grupit social, forcën e gënjeshtrës në grup, dhe forcën e të menduarit në grup. Grupi ka një fuqi të jashtëzakonshme, qoftë i mbledhur në një çadër, qoftë i mbledhur në pedonale, apo në sheshe të betonizuara e unifikuara të çdo qyteti. Nuk ka rëndësi nëse je ithtar i mbretërisë apo je ndjekës i bindur i republikës. E rëndësishme është të thërritet për të vërtetën lakuriqe, te qeshet me të siç qeshi djali i vogël në turmën e madhe. E qeshura e tij ndikoi mbi një turmë të magjepsur nga bindja e verbër apo nga konformizmi utilitar. Ata të gjithë qeshën të çliruar, duke kujtuar se kishin lexuar madje edhe në librin e shenjtë se “E vërteta do të të çlirojë!”.
Ky ishte fundi i marrëzisë së pushtetit cullak.

Please follow and like us: