Dëshmia e 2 komunistëve: Gjon Shllaku kontrubuoi për LANÇ, s’ka pse pushkatohet
Shkodër 1946/ Si u zhdukën deklaratat që do shpëtonin nga pushkatimi Gjon Shllakun, Giovani Faustin e Daniel Dejanin dhe ndëshkimi për personat që morën në mbrojtje priftërinjtë atdhetarë
Nëse do të merreshin parasysh dy deklarata mbrojtëse, lëshuar në favor të tre klerikëve P.Gjon Shllaku, P. Giovani Fausti e P.Daniel Dejani, pas arrestimit të tyre në shkurt 1946, ndoshta tre martirët e Kishës Katolike nuk do të ishin pushkatuar. Për P.Gjon Shllakun ishte lëshuar deklaratë se ai kishte qenë anti-italian, antifashist, madje kishte dhënë kontribut kulturor për lëvizjen Nacional Çlirimtare. Ndërsa për dy klerikët e tjerë ishte deklaruar se ishin njerëz të ndershëm dhe se urdhri jezuit, të cilit i përkisnin e ndalonte rreptësisht pjesmarrjen në politikë. Si të tillë ata s’kishin si të përfshiheshin në aktivitet politik kundër regjimit të porsainstaluar në Shqipëri.
Deklaratat lehtësuese për tre klerikët i kishin bërë dy njerëzit të Partisë Komuniste, Kol Prela përfaqësuesi i Dukagjinit në Asamble dhe Luigj Pici Kryetar i Frontit të Qarkut.
Ekzistenca e këtyre deklaratave zbulohet në një dokument sekret dërguar në formë telegrami Koçi Xoxes me 16 shkurt 1946, rreth 2 javë para se të dërgoheshin në pushkatim tre klerikët që sot janë shpallur martirë nga Kisha Katolike.
Në këtë dokument, që “Hithra” e sjell ekskluzivisht për lexuesit e saj, raportohet për këto deklarata, të cilat siç duket prishnin planin e madh të thurur me kujdes nga kupola më e lartë e regjimit për ti ngarkuar tre klerikët me akuzat më të rënda dhe për ti çuar para togës së pushkatimit. Pasi ngrihet ky shqëtësim në dokument “sypetritët e Partisë” i propozojnë Koçi Xoxes që të merren masa ndaj dy njerëzve “të rradhëve të tyre” që kishin guxuar të dilnin kundër planeve të errëta të kupolës së regjimti.
Veç kësaj dy deklaratat lehtësuese ishin shtënë në duart e Sigurimit të shtetit (Drejtoria e mbrojtjes së Popullit) duke zhdukur çdo mundësi për tu paraqitur në gjyqin famëkeq ku u mor vendimi fatal për ti dënuar me vdekje. Ja çfarë shkruhet në këtë dokument: 16 shkurt Nr.110
Koçi Xoxes
Kol Prela, përfaqësus i Dugagjinit n’Asamble dhe Don Luigj Pici, kryetar i Frontit të Qarkut dhe antar i Komiteitt Egzekutiv të Frontit Demokratik lëshuan deklarat pro kriminelave që gjykohen në Shkodër.
Kol Prella dekllaroi se Patër Gjon Shllakun e njeh si antiitalian, antifashist, ka demaskuar ardhjen e Italisë dhe ka mbajt ktë qendrim gjer në qershor 1943, kur Kola u largua si ilegal. Deklarata thotë se patër Gjoni pas çlirimit ka dhanë kontribut kulturale për lëvizjen Nc.çl. dhe Luigj Pici deklaron: Patër Gjovani Fausti e Dejani janë të ndershëm, jezuitët e ndalojnë rerptësisht çdo pjesmarrje në politik. Shton se këta të dy nuk janë organizatorët e Bashkimit Shqiptar, nuk kanë dijeni mbi veprimet e mshefta të xhakojellë senjnar.
Ne kemi filluar një demaskim kundër lëshimit të deklaratave pro kriminelëve të luftës në përgjithësi: me axhitacion dhe me shtyp. Mendojmë përgatitjen e terrenit me axhitacion të vogël e konferenca të ngushta për rrëzimin e Don Luigjit nga Fronti i Qarkut mbasi ky edhe jashtë axhiton pro reaksionit. Sa për Kol Prelëm mbasi edhe deklarata e tij asht elastike rezervohemi. Prandaj lutemi na dërgoni udhëzime veprimi. Dekllaratat iu dërguan Drejtorisë së Mbrojtjes Popullit nga seksioni i këtushëm.
Spiro Pano
Shënim me shkrim dore: “T’i epet gjeneralit” (Koçi Xoxes)