Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Kalleshi:Sekreti i dietave të stinës verore për femrat

Dietologia e mirënjohur Shqiptare, Anila Kalleshi Kjo stinë është e mbushur me udhëtime, me plazh, por dhe me ushqime të shumëllojshme. Njeriu ka shumë mundësi të zgjedhë, por edhe t’i ruhet tundimit. Të gjithë kujdesemi të kemi një trup perfekt. Por dietat jo gjithnjë kanë efektin e pritshëm dhe janë edhe shumë të mundimshme. Por ekziston një mënyrë e veçantë për të humbur peshë përmes një diete të shëndetshme. Natyrshëm na lindin shumë pyetje mbi ushqimet, frutat e zarzavatet .. Për më tepër Anila Kalleshi, dietologia dhe estetistja e njohur shqiptare do të na japë disa këshilla.

-Cilat fruta dhe perime janë më ushqyeset?

Çdo stinë ka të veçantat e saj. Por vera është e mbushur me fruta të freskëta. Secili nga ne e ka të nevojshme të konsumojë një shumëllojshmëri frutash dhe zarzavatesh çdo ditë, për të përfituar maksimumin e lëndëve ushqyese. Ndaj mos ngurroni të ushqeheni ndryshe dhe në mënyrë të pasur. Nëse ju parapëlqeni zarzavatet, hidhini një sy dietës së mëposhtme:Brokoli (lakra të vogla jeshile): një burim fantastik i pashtershëm vitamine C, betakarotine, acidi folik, hekuri dhe potasi. Përmban gjithashtu përbërës të quajtur indolë, që ndihmojnë në parandalimin e kancerit. Të freskëta apo në mikrovalë sepse po të ziejnë, ato i humbin vlerat që ofron vitamina C. Shpargu: një ushqim çudibërës me veti të spikatura mjekësore. Shpargu është i pasur në acid folik dhe vitamina C, E dhe betakarotinë. Lakra e bardhë: një ushqim i pasur në vitamina C, K, E dhe potas. Përmban gjithashtu betakarotinë, fibra, tiaminë dhe të tjera substanca për parandalimin e kancerit.

-Flitet shumë për frutat dhe zarzavatet e stinës. A janë frutat dhe zarzavatet organike më të ushqyeshme?

Kjo temë është tepër e debatueshme në disa nga fermat që i prodhojnë këto, por kërkimet e fundit të bëra nga shoqatat për ushqime organike tregojnë se këto janë me të vërtetë tepër të ushqyeshme dhe kanë nivele shumë më të larta të vitaminës C, magnezit, hekurit dhe fosforit. Spinaqi, sallata jeshile, lakra e bardhë dhe patatet treguan qartë nivele më të larta lëndësh ushqyese, nga 10 deri 50% më shumë vlera ushqimore. Supat e përgatitura nga zarzavatet organike përmbajnë nivele të larta të acidit salici, i cili ndihmon në luftimin e arteriosklerozës dhe kancerit të zorrëve.

– A ekziston një dietë e përkryer?

Shkencëtarët nuk kanë përcaktuar ende se çfarë përfaqëson një dietë perfekte sepse çdo vit që kalon nxjerr në pah prova të reja për ushqimet, që janë potencialisht të dëmshme ose ushqimet që kanë efekte shëruese. Shkencëtarët amerikanë mendojnë se një piramidë ushqimore e mbështetur te drithërat, frutat, zarzavatet, peshku dhe mishi i shpendëve (më tepër sesa mishi i kuq), si dhe sasi të kujdesshme yndyrash dhe sheqernash mund t’ju ushqejë ju në mënyrën më të shëndetshme. Për një grua aktive këshillohet si menu ideale kjo e mëposhtmja: Mëngjes: Një banane dhe luleshtrydhe të ëmbla, një fetë bukë e zezë me margarinë luledielli dhe mjaltë. Dreka: sallatë peshku dhe zarzavatesh dhe kivi si frutë. Darka: pulë me bizele, patate të pjekura dhe sallatë jeshile, si ëmbëlsirë petull me reçel frutash. Pini pa kursyer ujë, lëng zarzavatesh jeshile dhe sallatë, çaj vegjetal dhe lëng limoni. Mund të merrni edhe pak alkool dhe pak produkte çokollate. Dikush që bën një jetë tepër aktive ka nevojë t’i shtojë dietës së tij më shumë kalori.

– Çfarë është e shëndetshme të konsumohet midis vakteve? Provoni një gotë kos natyral me pak fruta të thata ose drithëra. Këto janë produkte shumë të ushqyeshme midis vakteve. Mund të përdoret dhe një sasi e vogël bajamesh pa kripë, të cilat shtojnë tek ju acidet dhe vitaminën E.

Cili është mëngjesi më i shëndetshëm?

Një mëngjes i mirë mund të kontribuojë në dietën tuaj ditore për të dhënë kalori të mjaftueshme, disa proteina, një sasi të arsyeshme të karbohidrateve komplekse, pak yndyrna dhe shumëllojshmëri vitaminash dhe substancash minerale. Shumë njerëz nuk tolerojnë sasi të mëdha kalorish në mëngjesin e tyre, por sasia ideale do të ishte 400 deri 500 kalori në mëngjes për gratë dhe 550 – 650 kalori për burrat. Një mëngjes ideal do të ishte një kos biologjik me pak yndyrë, i përzier me një banane. Pastaj një gotë lëng portokalli shoqëruar me një copë bukë të zezë të thekur me mjaltë. Ose provoni një gotë përzierje me ujë, qumësht, dy lugë mjaltë, një lugë rrush të thatë dhe një gotë lëng portokalli dhe në fund një copë bukë të zezë të thekur.

Ku konsiston një drekë e shëndetshme?

Dreka duhet të përbëjë një ekuilibër të plotë midis karbohidrateve dhe proteinave dhe pak yndyrna. Kjo sepse vakti juaj i mbrëmjes, nëse është i pasur me karbohidrate, ai do të përmbajë edhe një sasi të madhe të proteinave ditore që ju mund të merrni. Nëse merrni sasi të madhe karbohidratesh gjatë drekës, rrezikoni një mbasdite të plogësht. Rekomandohet sallatë me ton dhe domate të freskëta, një pjatë makarona dhe një mollë në vend të ëmbëlsirës. Ose provoni thjerrëzat dhe një supë zarzavatesh me pak bukë të thekur, si dhe në fund një portokall.

– Ndryshoni po çfarë?

Dieta kërkon edhe fantazi. Nëse hani vetëm fruta dhe perime së shpejti kjo dietë do të dëmtojë organizmin tuaj, por edhe do të humbisni shijen për ushqimet. Këshilla më e mirë është të shijoni ushqimet të hani dhe të alternoni produktet që konsumoni. Djathi, mishi apo peshku nuk të shëndoshin, nëse nuk e teproni me to. Nëse preferoni shumë të hani brumëra apo makarona është më mirë t’i shoqëroni ato me perime dhe vaj ulliri. Është shumë e rëndësishme të dini si të kombinoni ushqimet që konsumoni. Kështu, nëse për pjatë të parë do të hani një sallatë, pjata e dytë të jetë me bazë mishi apo peshku. Apo nëse pjata e parë është me bazë brumërash apo makarona atëherë e dyta duhet të jetë me bazë perimesh të ziera, në avull apo të pjekura. Kufizojeni veten vetëm me një gotë verë.

-Lëvizni…kur dhe ku?

Për të rënë në peshë është shumë e rëndësishme lëvizja e rregullt dhe e përditshme. Regjistrohuni në palestër, ngjisni shkallët për në shtëpi dhe mos merrni ashensorin, ecni dhe mos udhëtoni me autobus apo makinë. Në këtë mënyrë do të digjni kaloritë e tepërta dhe do të përshpejtoni ritmin e metabolizmit. Duke lëvizur dhe vënë në punë muskujt do të keni një trup më të lidhur pas dobësimit.

-Larg pilulave për t’u dobësuar

Kurrë mos përdorni pilula apo medikamentet që ‘reklamojnë’ dobësimin. Ato thjesht çrregullojnë metabolizmin, dhe për rrjedhojë edhe organizmin dhe shëndetin tuaj. Si pasojë do t’ju duhet më shumë kohë për të rigjeneruar trupin tuaj dhe shumë herë edhe duke shtuar në peshë.

-Stili i jetesës

Pasi të keni arritur peshën që dëshironi, të humbisni kile dhe të keni në trup të bukur mos e lëshoni veten në ushqime pa fund. Filloni të shtoni shumë pak dhe ngadalë kaloritë dhe vazhdoni të hani shëndetshëm. Kjo duhet të kthehet në një stil jetese. Do të vëreni se edhe lëkura dhe humori juaj do të përmirësohet. Do të ndjeheni të bukura dhe të sigurta në vetvete.

Ushqimet që duhen refuzuar

• Akulloret • Fërgesat • Pastat • Petullat • Ëmbëlsirat • Karamelet e çokollatat • Biskotat • Sallamet • Pijet e gazuara • Buka e bardhë • Lëngjet e konservuara të frutave • Drithërat dhe cerealet e sheqerosura • Fast food-et • Patatinat • Pijet alkoolike • Birra • Mjalti

Lista e ushqimeve që u lejohet personave që kërkojnë të realizojnë djegien e dhjamërave • Gjoks pule • Peshk salmon • Kafeja • Çaji • Hirra • Vaji i linit • Trofta • Mishi i lopës pa yndyrë • Tuna • Mish qengji • Karkalecat • Mustarda • Piperi i zi • Karavidhe • Mish derri pa dhjamë.

Please follow and like us: