Mendje kritike për ndryshime kritike
Në respekt të Ditës Botërore të Lirisë së Medias… Në respekt dhe mirënjohje për cdo gazetar, kameraman, redaktor, punonjës të medias në cdo front të saj. Jeni heronjtë e cdo dite!
Punë e vështirë është në Shqipërinë tonë, ku sot rritja e autoritarizmit dhe politikës regresive sinjalizojnë një front të ri në luftën për të mbrojtur dhe zgjeruar lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar. Një media: E pavarur dhe e paanshme – ndihmon në nxitjen e mendimit të njerëzve të zakonshëm! E paprekshme dhe e paanshme – mban nën kontroll njerëzit me pushtet e fuqi!
Respekt për ju, që në një kohë kur gazetaria e pavarur dhe kritike është e nevojshme, kjo gazetari është e sulmuar në mënyrë të dëshpëruar në Shqipëri, herë me kërcënim e herë me joshje! Jini të lirë, na informoni saktë! Jo Fake Neës të servirura nga zyrat e pushtetit! Joshja është e përkohshme, puna dhe integriteti janë të përhershme! Ju, që jo rradhë jeni në në rrezik të sulmoheni, të hiqeni nga puna për raportimin e çështjeve politike, protestave, konflikteve, korrupsionit shtetëror.
Për ju që përballeni me sulme fizike, me fyerje, me dhunë verbale nga shtetarët dhe nga pronarët “pushtet” të mediave, largoheni nga puna për një status në FB, për një lajm të drejtë por që nuk i shkon përshtat linjës së biznesit të pronarit me qeverinë. Respekt për ju gazetarë që punoni për një minimum jetese, që merrni rroga qesharake, e madje shpesh i merrni një herë në tre muaj, dhe që luftoni për lajmin cdo ditë: në diell, në shi; ditën e natën. Një media e lirë dhe e pavarur është një aleat kyç i shoqërisë në kërkim të zhvillimit të qëndrueshëm, drejtësisë sociale dhe të drejtave të njeriut. Sulmet ndaj medias zakonisht shkojnë krah për krah me sulmet ndaj shoqërisë civile dhe vlerave të një shoqërie dhe janë një barometër i niveleve të padrejtësisë , korrupsioni dhe autoritarizmi në çdo shoqëri.
Lufta kundër politikës aktuale regresive, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mbrojtje të votës dhe vazhdimësisë së jetës mund të fitohet vetëm nëse bëhen lidhje më të forta mes shoqërisë dhe medias së pavarur. Ne jemi duke u sulmuar së bashku, ndaj duhet të luftojmë së bashku! P.s “Mendje kritike për ndryshime kritike- roli i medias në avancimin e paqes, drejtësisë dhe shoqërive gjithëpërfshirëse” ky është mesazhi e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sot me 3 Maj 2017 në Ditën Botërore të Lirisë së Medias.
Çdo vit, 3 Maji është një homazh për të gjithë ata gazetarë që punojnë fort, shpesh mes rreziqesh humbin jetën duke u përpjekur të mbledhin histori për botën, por është edhe festë për parimet themelore të lirisë së shtypit , është Dita Botërore e Lirisë së Medias, e shpallur si e tillë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1993 pas një rekomandimi të miratuar në sesionin e njëzet e gjashtë të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në vitin 1991.