Albspirit

Media/News/Publishing

Totozani, rekomandim KQZ: Të mos transmetohen kasetat e gatshme të partive në fushatë

Me afrimin e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare,  Avokati i Popullit, Igli Totozani, në një rekomandim drejtuar Kryetarit të KQZ-së Denar Biba, kërkon inicimin dhe përfundimin sa më të shpejtë të procedimit administrativ për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ-së, nr.503 datë 3.06.2013, “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”. Ky rekomandim është pjesë e paketës së plotë të përgatitur posacërisht për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare nga ana e Avokatit të Popullit.

Në rekomandimin drejtuar KQZ-së  thuhet se:

 Një nga çështjet e rëndësishme që trajtohen nga ana e Avokatit të Popullit, në kuadër të së drejtës për mirëqeverisje, në përputhje me dispozitat e Ligjit nr.8454 datë 4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, është marrja e masave përkatëse nga ana e institucioneve përgjegjëse shtetërore për mbarëvajtjen dhe ecurinë normale të proceseve zgjedhore në vend.

Duke qenë se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare po afrojnë, një nga problematikat sensitive që institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar në procese të mëparshme zgjedhore, lidhet me rregullat e vendosura nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pasqyrimin e fushatës zgjedhore prej radiotelevizioneve private dhe radiotelevizionit shtetëror. Veçojmë këtë problematikë, pasi ka të bëjë me garantimin e së drejtës për informim dhe të së drejtës për t’u informuar, si dhe prezanton një çështje themelore të lirisë dhe integritetit të mediave dhe gazetarëve në vend.

Në këtë kontekst kemi kërkuar dhënien e shpjegimeve nga ana e institucionit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, sa i takon rregullimeve normative të miratuara për këtë çështje, si dhe aktit përkatës me anë të cilit janë parashikuar ato, duke i bashkëngjitur përgjigjes suaj një kopje të këtij akti.

Në përgjigjen e dhënë nga ana juaj me shkresën nr.2419 datë 28.04.2017, ndër sqarimet e tjera ju citoni se: “Neni 84, pika 1, i ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon se informacionet mbi aktivitetin e fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore duhet të identifikohen qartë në përputhje me udhëzimet e KQZ-së.

Në zbatim të dispozitës të sipërcituar KQZ, me vendimin nr.503 datë 3.06.2013 “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”, ka përcaktuar disa rregulla”.

Ndërkohë ju keni bashkëngjitur një kopje të tre vendimeve të KQZ-së në këtë përgjigje tuajën, përfshirë edhe vendimin nr.503 datë 3.06.2013.

Në një analizë konkrete dhe të detajuar të Vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, nr.503 datë 3.06.2013, “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”, konstatojmë se:

1.                                                      Vendimi i datës 3.06.2013, “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”, është një akt administrativ i nxjerrë nga ana e KQZ-së, bazuar në gërmën “a”, të pikës 1, të nenit 23 dhe pikën 1, të nenit 84, të Ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në të cilat thuhet përkatësisht se:

“KQZ-ja, në bazë dhe për zbatim të ligjit, mund të nxjerrë vetëm këto akte:

a)                                                     Vendime”,

“Në radiot dhe televizionet private, pasqyrimi i fushatës zgjedhore bëhet vetëm në edicionet e zakonshme dhe të posaçme informative. Radiot dhe televizionet private nuk vënë kohë transmetimi në dispozicion të subjekteve politike për pasqyrimin e fushatës zgjedhore të tyre. Informacionet mbi aktivitete të fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, duhet të identifikohen qartë, në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”.

Ndërkohë, vendimi i datës 3.06.2012 është nënshkruar nga katër anëtarë të KQZ-së dhe në përmbajtje të tij, në pikën “c” të dispozitivit, përcakton se:

 “Në rast se operatori refuzon të transmetojë materialet e përgatitura nga vetë subjekti zgjedhor, operatori njofton menjëherë dhe ia vë në dispozicion menjëherë Bordit të Monitorimit të Medias këto materiale për t’i verifikuar. Bordi i Monitorimit të Medias vlerëson materialin dhe i propozon raportin përkatës për miratim KQZ-së brenda 12 orëve. BMM nëse vlerëson se materiali plotëson kriteret teknike i propozon KQZ-së transmetimin e materialit nga operatori, në përputhje me rregullat e Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së. BMM nëse vlerëson se ky material nuk i plotëson kriteret teknike i propozon KQZ-së kthimin e materialit subjektit zgjedhor. KQZ merr vendim brenda 24 orëve në lidhje me propozimin e BMM. BMM monitoron zbatimin e vendimit të KQZ-së”.

2. Ky akt administrativ i nxjerrë nga ana e KQZ-së, rregullon çështje të administrimit dhe mënyrës së pasqyrimit të fushatës zgjedhore në media nga operatorët privatë, gjë që e lidh atë me përcaktimet e bëra në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, mbi lirinë e shprehjes.

Liria e shprehjes është një nga liritë themelore të afirmuara dhe garantuara në nenin 22 të Kushtetutës, ku thuhet shprehimisht se:

“1. Liria e shprehjes është e garantuar.

 2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.

 3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet…”.

Kjo e drejtë afirmohet edhe në nenin 10, të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, e cila është ratifikuar me ligjin nr.8137 datë 31.07.1996 nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pa mohuar kompleksitetin e çështjes, duhet theksuar se, marrëdhënia që vendoset në këto kushte ndërmjet medias dhe subjekteve politike në fushatë elektorale, përfshin edhe të drejtën për informim, një e drejtë kjo e garantuar në nenin 23, të Kushtetutës.

E vetmja mënyrë me të cilën, mund të kufizohen të drejtat dhe liritë themelore të individëve është ajo e parashikuar në nenin 17 të Kushtetutës, ku përcaktohet se:

“1.Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë.

2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

3. Vendimet janë një nga aktet, apo mjetet juridike që Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ka njohur si kompetencë rregullatore KQZ-së si një organ kolegjial, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen dhe administrimin e zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë, organet e qeverisjes vendore dhe referendumet.

Sipas gërmës “d”, të pikës 1, të nenit 24, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, miratimi i akteve me karakter normativ që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet, bëhet kur për to votojnë “pro”, jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, ndërkohë që nenin 23 i po këtij kodi, parashikon rregulla të tjera për mënyrën e votimit dhe të hyrjes së tyre në fuqi.

I nderuar z. Kryetar,

Konstatimet e sipërcituara na mundësojnë që, bazuar në procedurën e ndjekur dhe përmbajtjen e vendimit nr.503 datë 3.06.2013 të KQZ-së, të arrijmë në konkluzionin nëse ky akt administrativ është i ligjshëm, apo jo.

–                                                        Në lidhje me procedurën e ndjekur konstatojmë se, realisht ky vendim rregullon çështje që, lidhen me zgjedhjet në kuadër të pasqyrimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, në radiot dhe televizionet private. Si i tillë, vendimi apo ky akt administrativ, cilësohet akt normativ dhe ka të nevojshëm votimin “pro”, nga jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së.

Sikurse evidentohet qartë, votimi i kryer për këtë akt është ezauruar nga vetëm 4 anëtarë dhe ky kuorum faktik është mëse i kuptueshëm, për shkak të dorëheqjes së dhënë nëkohën e nxjerrjes së këtij akti, nga tre anëtarët e tjerë të KQZ-së.

Edhe pse 4 anëtarët votues janë shprehur “pro” këtij akti, nuk është plotësuar dhe respektuar procedurialisht kuorumi i nevojshëm ligjor prej 5 anëtarësh votues dhe miratues të aktit, siç përcaktohet në gërmën “d”, të pikës 1, të nenit 24, të Kodit Zgjedhor, të Republikës së Shqipërisë.

Mosrespektimi i kërkesave proceduriale për nxjerrjen e vendimit të KQZ-së të datës 3.06.2013, në këto kushte, përbën shkelje flagrante të ligjit dhe vjen në kundërshtim me parashikimin e bërë në gërmën “ii”, të nenit 108, të Ligjit nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”.

Një konstatim të njëjtë ka bërë Kolegji Zgjedhor në vendimin nr.30 datë 2.05.2011, në pjesën arsyetuese të të cilit ka arritur në konkluzionin se, Vendimi i KQZ-së nr.460 datë 23.04.2011 “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radio televizionin publik dhe privat për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2011”, është një akt normativ, me fuqi juridike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Si i tillë dhe në respekt të nenit 23 të Kodit Zgjedhor, vendimi në fjalë duhej të ishte votuar “pro”, nga të paktën pesë anëtarë të KQZ-së, gjë që edhe në këtë rast nuk rezulton të jetë bërë.

–                                                        Në lidhje me përmbajtjen, vërehet se, përcaktimi i bërë në pikën 1, të nenit 84, të Ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, është i përgjithshëm dhe jo detyrues. Për më tepër, në një rrjedhë llogjike me përcaktimet në vijim të Kodit Zgjedhor, radiot dhe televizionet private janë të detyruara të respektojnë kushtet e parashikuara në pikën 2, të nenit 84, të këtij Kodi.

Mënyra e formulimit të dhënë në vendimin e KQZ-së nr.503 datë 3.06.2013, “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”, e kthen edhe përcaktimin e dhënë në pikën 1, të nenit 84, të Kodit Zgjedhor në përcaktimin detyrues, në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e ligjit.

Jo vetëm kaq por mënyra e formulimit sidomos të pikës “c”, të dispozitivit të vendimit në fjalë, përbën në mënyrë të qartë ndërhyrje të KQZ-së në lirinë e shprehjes që medias i garantohet me Kushtetutë, duke e kufizuar atë rast pas rasti me anë të vendimmarrjes me karakter administrativ.

Pikërisht vendimi që do të marrë KQZ-ja në këto raste, mbi bazën e një akti administrativ (vendimi nr.503 datë 3.06.2013), përbën një kufizim të dytë dhe në vazhdim të lirisë së shprehjes, në kundështim flagrant me nenin 17, të Kushtetutës.

Si në çdo vend tjetër demokratik dhe në një shtet të së drejtës, media është e lirë në ushtrimin efektiv të lirisë së saj të shprehjes dhe ajo nuk mund të diktohet në përmbushjen e misionit të saj publik.

Kjo gjë parashikohet qartë edhe në nenin 4, të Ligjit nr.97/2013 datë 4.03.2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku një ndër parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive është ai i garantimit të veprimtarisë së lirë të këtyre transmetimeve.

Është fakt që liria e shprehjes konsumohet kryesisht në media dhe nga njerëzit e medias në ndjekje të interesit publik. Për nga natyra e saj, liria e shprehjes është një e drejtë negative në kuptimin se, do të mjaftonte mosveprimi nga ana e shtetit që, ajo të gëzohej efektshëm nga përdoruesit e saj.

Por në këtë rast jo vetëm që nuk ndodh kështu, por ndërhyrja e shtetit përmes vendimmarrjes së KQZ-së cenon hapur lirisë e shprehjes, në kundërshtim të dukshëm edhe me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Kjo vendimmarrje është në kapërcim të kompetencës që i është dhënë KQZ-së prej përcaktimit të bërë në pikën 1, të nenit 84, të Kodit Zgjedhor, gjë që e cilëson vendimin e KQZ-së, nr.503 datë 3.06.2013, në kushtet e një akti administrativ absolutisht të pavlefshëm, në përputhje me parashikimet e bëra në gërmën “i”, të nenit 108, të Kodit të Procedurave Administrative.

–                                                        Lidhur me këtë çështje ekzistojnë precedentë të mëparshëm, kur vendimmarrje të ngjashme të KQZ-së janë rrëzuar me vendim të Kolegjit Zgjedhor. Një precedent të tillë krijon vendimi nr.30 datë 2.05.2011, i Kolegjit Zgjedhor.

Edhe në raportet e OSBE-së dhe ODIHR-it për zgjedhjet e zhvilluara vitet e fundit në vend, janë mbajtur qëndrime kritike për vendimarrje të KQZ-së, të cilat kanë rezultuar në kufizim të lirisë së medias.

Kështu për shembull, në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet, të nxjerrë në datën 14.09.2009 (faqe 20), theksohej se:

“Gazetarët e të gjitha mediave të monitoruara i treguan MZV-së së OSBE-ODIHR-it se pasqyrimi i fushatës ishte kthyer më së shumti në një punë, ku transmetoheshin filmimet dhe komentet e bëra dhe të dhëna nga vetë partitë politike.

Ky kontroll i partive poltike mbi politikat editoriale, ndonjëherë madje i kamufluar nën petkun e lirisë dhe të drejtave të drejtorit të programit zgjedhor për të zgjedhur të ftuarin në program, çoi në mungesën e zërave dhe mendimeve që mund të konsideroheshin si kritike, apo të pavolitshme për preferencën politike të një kanali të caktuar televiziv”.

Në vazhdim edhe në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet, të nxjerrë në datën 15.08.2011 (faqe 19-20), theksohej se:

“Më 23 Prill 2011, KQZ-ja nxorri një vendim sipas të cilit urdhëronte transmetuesit të shfaqnin kasetat e përgatitura nga subjektet zgjedhore në rast se stacionet e kishin të pamundur të mbulonin me lajme dhe u jepte partive politike kompetenca për të përcaktuar mbulimin me lajme të aktiviteteve të partive dhe kandidatëve.

Ky vendim shkonte përtej Kodit Zgjedhor dhe binte ndesh me ligjin mbi Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat. Vendimi i KQZ-së u lejonte partive politike të ushtronin ndikim të padrejtë në lirinë editoriale të medias audiovizive. Më 2 Maj 2011, vendimi u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor”.

Bazuar në të gjitha këto konstatime, është e qartë se vendimi nr.503 datë 3.06.2013, i nxjerrë nga KQZ-ja, në cilësinë e organit të administratës publike është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, në përputhje me parashikimet e bëra në gërmat “i”, dhe “ii”, të nenit 108, të Kodit të Procedurave Administrative.

Përpos trajtimit ligjor të pavlefshmërisë absolute së këtij akti administrativ, duhet të kuptojmë se, në rast se liria e shprehjes zhvishet nga e vërteta dhe thelbi informues, atëherë ajo diskretitohet në sytë e publikut dhe roli i saj publik, i dëshiruar nga të gjithë asnjëanësohet.

Si i tillë, vendimi i KQZ-së nr.503 datë 3.06.2013, “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”, duhet të konstatohet nga ana juaj si një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, për të mos prodhuar pasoja që realisht ai nuk mund tí prodhojë ligjërisht.

Në këtë këndvështrim, duam t’ju kujtojmë përkufizimin tashmë të pranuar nga Parlamenti Europian, në lidhje me keqadministrimin nga ana e organeve të administratës publike, sipas të cilit:

“Keqadministrimi ndodh kur një organ publik, nuk vepron në përputhje me një rregull apo princip, i cili është i detyrueshëm për të”.

Please follow and like us: