Albspirit

Media/News/Publishing

“Kurbanët” e kanabisit në Policinë e Shtetit

Të largohesh nga një detyrë apo edhe të të heqin nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Është mëse normale! Siç ka emerime ka dhe shkarkime, siç ka promovime ka dhe ulje. Por nëse ndodh që bëhesh “kurban” i një situate të turbull? Po nëse bëhesh “kurban” i frustrimit të dikujt? Po nëse shkarkohesh pa e ditur pse?
Pak ditë më parë Policia e Shtetit nëpërmjet një e-maili konfirmoi atë që përflitej prej ditësh, shkarkime masive në nivel drejtues në radhët e Policisë së Shtetit . U renditën 29 emra, të cilët u pasuan edhe me të tjera shkarkime ditë më vonë. Shkarkime që me gjasë do të vijojnë.
U tha se këto ndryshime erdhën si garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; luftën kundër trafikut të drogës dhe veçanërisht kultivimit të kanabisit; luftën kundër krimit të organizuar etj., etj. Thënë me këtë gjuhë më në fund Policia e Shtetit pranoi hapur se kanabisi ka qenë një problem në vend. Deri këtu shumë mire! Jam dakord që shumë nga të shkarkuarit e meritonin të iknin, madje shumë më herët. Por, ku ishin këta “të ndershmit” (u referohem atyre që janë ende në detyrë e firmosën shkarkimet) këto dy vite?! Ishin në gjumë letargjik apo ishin pjesë e kompromisit dhe hengrën pjesën e tortës së tyre?! Sido që të jetë, në të dyja rastet meritonin të lagoheshin të parët.
Emri i parë që u konfirmua se u shkarku ishte i Ardian Çipës, ish- Drejtor i Përgjithshem për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda. Mbi bazë të detyrës që ai ka mbajtur, nuk ka lidhje fare me kultivimin e kanabisit, (përgjegjësi e cila është drejtpërdrejt e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Rendin dhe Sigurinë). Shkarkimi i tij vjen në një moment kur në çdo statistikë të policisë këto 2 vitet e fundit është shënuar një ulje e numrit të vrasjeve dhe zbardhje e shumicës së tyre.
Po ashtu mund të thuhet edhe për Drejtorin e Policisë Vendore Tiranë, Ervin Hodaj. Tirana ka qenë qarku me më pak problem në lidhje me situatën e kultivimit të kanabisit. Përsa i përket vrasjeve, për vitin 2016 është vetëm një e pazbardhur. Ky drejtues shkarkohet në një moment ku së bashku me Ardjan Çipën zbuloi dhe arrestoi anëtarët e një grupi kriminal që kryen supergrabitjet në rrugën e Rinasit. Nuk po ndalem në analizën e detajuar të punës së tyre. Kanë pasur suksese dhe dështime si kushdo. Por, nuk kuptoj, ku qëndron pandershmëria e këtyre drejtuesve në procesin zgjedhor; luftën kundër trafikut të drogës dhe veçanërisht kultivimit të kanabisit; luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme; si dhe realizimit sa më mirë të detyrave që lidhen me sezonin e ri turistik?!
Postin e drejtorit as Çipa, Hodaj e të tjerë nuk e kanë me tapi. Mund të lëvizin, të shkarkohen, riemërohen etj., por minimalisht për kontributin që kanë dhënë duhet një motivacion. Nuk mund të përdoren si marioneta. Kush ka akses në këto firmosje shkarkimesh e emërimesh nuk mund ta përdorë institucionin si çifligun e tij, ku si kriter të vihen pëlqimet e antipatitë personale apo politike.
Please follow and like us: