Schulz sulmon Le Pen: Kjo zonjë shquhet për deklaratat cinike dhe antigjermane
Kandidati socialdemokrat për kancelarinë gjermane, Martin Schulz denoncoi cinizmin dhe deklaratat antigjermane të lideres së ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen gjatë gjithë fushatës presidenciale, në një intervistë publikuar sot nga e përditshmja ”Ouest-France”.
Në këtë intervistë të realizuar në Berlin, në partneritet me grupin gjerman mediatik “Funke”, para debatit televiziv mes dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale mes Marine Le Pen dhe kandidatit të qendrës Emmanuel Macron, ish-presidenti i Parlamentit Evropian vlerësoi se drejtuesja e Frontit Kombëtar po sulmon Gjermaninë me një këmbëngulje të pazakontë prej një kohe të gjatë.
“Kjo grua njihet për mungesë vetëpërmbajtjeje, për cinizmin e saj dhe deklaratat antigjermane të padëgjuara në vite. Ajo nuk është distancuar kurrë nga citimet e të atit. Sipas tyre Aushvic ishte një detaj i historisë. Ky është një qëndrim i patolerueshëm”, deklaroi Schulz.
Kandidati socialdemokrat shpreh shqetësim për ndikimin që do të përfaqësonte zgjedhja e Marine Le Pen.
Ashtu si Gjermania, edhe Franca është një vend i G7-ës.
Me Gjermaninë ajo formon bazën solide të zonës euro dhe të Bashkimit Evropian.
Franca, fuqi bërthamore është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
”Nuk mund të imagjinoj që një shtet i tillë të bjerë në duart e ultranacionalistëve si Marine Le Pen”, theksoi Schulz.