Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Kerquki, Kryeredaktor i Express, fiton Çmimin e Parë të BE për gazetari hulumtuese

Kryeredaktori i Gazetës Express dhe autori i emisionit Zona Express, Leonard Kerquki ka fituar çmimin më të rëndësishëm në Kosovë për gazetarinë hulumtuese; fjala është për Çmimin e Bashkimit Europian.

Ai sonte, në një ceremoni të organizuar në Prishtinë nga BE dhe KMSHK, ka marrë Çmimin e Parë të BE’së për gazetari hulumtuese.

Me këtë çmim, Kerquki u nderua për dokumentarin e tij dy pjesësh, “Shtabi i Milionerëve”, i transmetuar në prill të vitit të kaluar në kuadër të emisionit Zona Express. Dokumentari trajtonte pasurimin e shpejt dhe të pambulesë të ish-komandantëve të njohur të luftës, sot politikanët më të fuqishëm në Kosovë. Dokumentari kishte arritur të filmonte shtëpitë, tokat, veturat dhe kompanitë e këtyre politikanëve dhe familjarëve të tyre. Dokumentari kishte pasur një ndikim të madh.

Emisioni Zona Express është prodhim i Gazetës Express.

Çmimin e dytë për gazetari hulumtuese, ndërkaq, e ka fituar emisioni “Jeta në Kosovë”, kurse të tretin Vehbi Kajtazi, Kryeredaktor i Gazetës Insajderi me storjen “Dosja e Shefave”.

Çmimi i BE’së për gazetarinë hulumtuese është themeluar nga Komisioni Europian, Drejtoria Gjenerale për Zgjerim, duke ndjekur strategjinë për Zgjerim të BE-së, e cila parasheh nevojë të fuqishme për të siguruar lirinë e shprehjes në media, për mbështetje të gazetarisë hulumtuese në monitorimin e proceseve reformuese, si dhe për të ruajtur momentin historik drejt anëtarësimit në BE.

Çmimi ndahet në bashkëpunim me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në fjalën e tij para të pranishëm, pasi pranoi çmimin, Leonard Kerquki ka falënderuar BE’në dhe KMSHK’në për vlerësimin.

“Siç e dini edhe ju miq, ka qenë një vit jashtëzakonisht sfidues për mua dhe për ne si emision. Kam marrë kërcënime për vrasje, kam qenë target i fushatave linçuese në rrjetet sociale dhe kam pranuar shumë goditje poshtë brezit”, ka thënë ai.

“Ky çmim është shpagim moral për këto situata të rënda, është shpagim edhe për Gazetën Express që arriti t’i prodhojë 50 dokumentarë televizivë pa asnjë donacion për vetëm një vit e gjysmë, dokumentarë në të cilët kemi trajtuar prej krimeve të luftës, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit nga zyrtarët publikë e deri te temat që lidhen me diskriminimit etnik apo seksual”.

Kerquki ka falënderuar edhe kolegët gazetarë me të cilët punon për realizimin e emisionit Zona Express.

“Dua t’i falënderoj krejt gazetarët e Gazetës Express që kanë kontribuar në këtë emision, e veçanërisht gazetarët e emisionit; Artan Haraqinë, Visar Duriqin, Bleta Gashin dhe montazherin Arbër Agushin”, ka thënë ai.

Please follow and like us: