Takim Xhaferi-Mogherini-Hahn në Bruksel
Kryetari i ri i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ndodhet në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian. Në takimin e tij të parë në selinë e BE-së, zoti Xhaferi u prit nga shefja për politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe nga Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Po ashtu, në axhendë janë edhe takimet me presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani si dhe me deputetët evropianë Knut Flekenstein, Eduart Kukan dhe Ivo Vajgl. Këta tre të fundit kanë qenë raportues për Maqedoninë dhe kanë ndihmuar në arritjen e Marrëveshjes së Përzhinës, e cila synonte t’i jepte fund krizës dy vjeçare në vend.
Komisioneri Hahn, sipas një njoftimi nga zyra e tij, në takimin me zotin Xhaferi ka ritheksuar dënimin e ashpër ndaj sulmeve të qëllimshme kundër deputetëve dhe gazetarëve në parlamentin e Maqedonisë. Ai paralajmëroi se çdo përsëritje e veprimeve të tilla do ta rrezikonte të ardhmen evropiane të vendit.
“Parlamentit duhet t’i mundësohet të punojë pa pengesa. Të gjithë ligjvënësit, përfshirë ata të opozitës, duhet të luajnë rol konstruktiv, ndërsa të gjitha palët duhet të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet provokuese”, thuhet në njoftimin e zyrës së komisionerit evropian për zgjerim.
Zoti Hahn thekson më tej se parlamenti duhet të jetë vend i debatit për sfidad serioze me të cilat përballet vendi dhe përparimin e tij, në interes të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve. Ai bëri thirrje për përqendrimin e vëmendjes tek hapat e ardhshëm të procesit të formimit të qeverisë, duke respektuar shumicën parlamentare dhe duke vepruar sipas kushtetutës dhe parimeve demokratike.
Ndërkohë, zoti Xhaferi e njoftoi të enjten përmes një shkrese presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov për krijimin e shumicës parlamentare dhe për zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të Parlamentit. Me këtë, z. Xhaferi pret që presidenti, siç e kërkon kushtetuta, t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë, shumicës parlamentare.
Ivanov deri tash ka refuzuar t’ia japë mandatin pretendentit për kryeministër, Zoran Zaev, partia e të cilit arriti të mbledh 67 firma të deputetëve, të nevojshme për marrjen e mandatit. Presidenti maqedonas, i cili mbështetet fuqimisht nga VMRO-DPMNE dhe ai vetë është kritikuar mjaft jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga vëzhgues të tjerë të rrethanave politike, për veprimin si një marionetë ndaj politikave të qeverisë dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, së fundmi duket ta ketë zbutur qëndrimin. Pas takimit që pati para tre ditësh me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Hoyt Yee, presidenti maqedonas kërkonte ndihmën e SHBA për të lehtësuar rrethanat e formimit të qeverisë së Maqedonisë.
Kreu i parlamentit ka lënë të kuptohet pak ditë më parë se presidenti duhet të veprojë brenda një afati dhjetë ditor. Në të kundërtën, parlamenti do të gjejë forma të tjera ligjore për miratimin e kabinetit qeveritar.
Sipas burimeve brenda VMRO-së dhe mjeteve të afërta të informimit me të, thuhet që partia të jetë pajtuar të qëndrojë në opozitë dhe të përgatitet për zgjedhjet e pritshme vendore. Në këtë kuadër, janë shtuar zërat për rënien e mbështetjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski brenda partisë dhe se po mendohet për një pasardhës të tij.