S’ka marrëveshje, dështon edhe takimi i dytë
Takimi i sotëm mes Ramës dhe Bashës në Presidencë me ndërmjetësimin e Bujar Nishanit nuk ka prodhuar asgjë të re sikundër në fakt edhe pritej.
Palët janë sërish në qëndrimet e tyre të mëparshme. I pari që doli nga takimi ishte kryeministri Rama, i cili dha lajmin se nuk marrëveshje me opozitën, duke ripësëritur edhe njëherë ato që ai kishte thënë në mesditë gjatë konferencës për shtyp.
Propozimi i Ramës për Bashën ishte posti i zv.kryeministrit dhe postet e 3 zv.ministrave (te Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit).
Këta të ishin njerëz të propozuar nga PD, por jo nga radhët e saj. Sipas Ramës zv.kryeministri bashkë me tre përfaqësues nga SHBA, BE dhe OSBE do të drejtonte një task forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk do të përdoreshin për fushatë.
Ajo që Rama tha sot pas takimit ishte gjithashtu konfirmim i faktit se ai nuk e ka pranuar as paketën e negociatorit gjerman McAllister. Ndërkohë kryeministri nguli këmbë se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor dhe se ai nuk ka një ofertë tjetër për opozitën, duke u shprehur i vendosur për të shkuar i vetëm në zgjedhje.
“Ne kemi kohë që nuk e presim PD-në vazhdojmë punën për fitoren. Dëshira jonë është që fitoja të jetë e thellë, por me PD-në në zgjedhje” , tha Rama.
Kreu i opozitës nga ana e tij u shpreh se PD kishte bërë dy kundërpropozime në takim: qeveri teknike dhe numërim dhe votim elektronik brenda 6 muajve.
“Kundërpropozimi ishte i qartë përbëhej nga dy kolona: Qeveri teknike me mandat për të zgjedhur dhe për të ndalur influencën e krimit në zgjedhjet e ardhshme, dhe kolona e dytë është eksplorimi që brenda 6 muajve të realizohet votimi elektronik”, tha Basha.
Mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme nëse do të ketë takim tjetër mes palëve, por që të prodhojë realisht një zgjidhje. Ky ishte takimi i dytë i dështuar. Ndoshta i treti i vërteti i ejep fund krizës politike.