Albspirit

Media/News/Publishing

Macron, politikani i panjohur që mund të bëhet president i Francës

Kandidati francez i qendrës, Emmanuel Macron e ka realizuar qysh tani një objektiv të madh: dikur një i panjohur, me shumë pak eksperiencë politike, tashmë është pretendenti kryesor në garën për presidencialet në Francë, duke u mbështetur në premtimin për të rigjallëruar vendin përmes masave ligjore probiznesit dhe politikave proeuropiane.

Dhe 39-vjeçari i pavarur arriti të triumfojë përballë rivales më me eksperiencë të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, në një debat fshikullues të kësaj jave, pikërisht duke i dhënë atë avantazh të nevojshëm përpara balotazhit të ditës së sotme.

Performanca e tij e qëndrueshme dhe intelektuale i ka treguar votuesve se, pavarësisht moshës së tij të re, supet e tij mund të mbajnë edhe drejtimin e një fuqie bërthamore. Më herët ai ka qenë një student i dalluar, kampion i lëvizjes “startup” mbi zhvillimet teknologjike, një bankier investimesh dhe një ish-ministër Ekonomie, megjithatë kurrë nuk ka mbajtur një post zyrtar si i zgjedhur nga populli. Pikërisht kjo është pjesë e apelit të tij ndaj elektoratit të zhgënjyer.

Mbrojtës i fortë i tregut të lirë dhe shpirtit të sipërmarrjes, ai ka bërë thirrje që Franca të fokusohet në sigurimin e përfitimeve nga globalizimi, në vend të politikave proteksioniste të favorizuara nga ekstremistja e djathtë Le Pen.

Në mitingjet e tij gjatë fushatës, Macron ka inkurajuar mbështetësit të mbajnë qoftë flamurin tringjyrësh të Francës, ashtu edhe flamurin e Bashkimit Europian. Por Le Pen, e cila mbështetet nga klasa punëtore e irrituar për humbjen e vendeve të punës dhe të ardhmen dikur të siguritë, e quan Macronin si fytyra e “botës së financave”, apo edhe kandidat “zgjatim i së majtës”.

Macron ka premtuar të tronditur peizazhin politik të vendit, duke emëruar një qeveri që do të përfshijë fytyra të reja nga biznesi dhe shoqëria civile. Por, në një vend të tronditur nga sulmet terroriste në vitet e fundit, ai është angazhuar gjithashtu edhe për forcimin e policisë dhe të ushtrisë, sikurse edhe të shërbimeve sekrete të vendit, duke ushtruar më shumë presion ndaj gjigantëve të internetit për të monitoruar më mirë ekstremizmin “online”.

Për rritjen e sigurisë në Europë, ai kërkon që BE-ja të dislokojë rreth 5.000 roje kufitare në kufijtë e jashtëm të zonës “Schengen” të bllokut europian.

Jo më pak i rëndësishëm është fakti se Macron nuk e drejtoi i vetëm fushatën presidenciale. Bashkëshortja e tij nuk ka qenë kurrë larg tij. Brigitte Macron, 24 vite më e madhe sesa ai, është njëkohësisht këshilltarja më e afërt. Ajo ka qenë në krah të kandidatit presidencial, duke e mbështetur atë dhe duke e ndihmuar në përgatitjen e fjalimeve të tij.

Macron dhe e shoqja e kanë përshkruar publikisht sesi nisi romanca e pazakontë mes tyre, pikërisht kur ai ishte gjimnazist, ndërsa ajo mësuese në Amiens në veri të Francës. Edhe pse e martuar dhe nënë e 3 fëmijëve në atë kohë, ajo drejtonte një klub dramaturgjie. Macron, i apasionuar pas letërsisë, ishte anëtar i këtij klubi.

Macron u transferua në Paris për vitin e fundit shkollor. “I telefononim njëri-tjetrit për orë të tëra”, kujton Brigitte Macron në një dokumentar televiziv të pak ditëve më parë. “Pak nga pak, ai sfidoi rezistencën time në një mënyrë të pabesueshme, me durim”.

Pas kësaj, edhe Brigitte u transferua në kryeqytetin francez për t’u bashkuar me të, sigurisht duke u divorcuar nga bashkëshorti i parë. Me Emmanuel u martua në vitin 2007.

Në fund, Macron mund të thuhet se e ka shijuar njëherë eksperiencën e reformimit të Francës. Ai dha dorëheqjen nga puna e tij si bankier në “Rothschild”, për t’u bërë këshilltar ekonomik i presidentit socialist, François Hollande, duke punuar për dy vite në krah të tij në Elize.

Më pas u zgjodh ministër Ekonomie në qeverinë “Hollande” në vitet 2014-2016, ku promovoi një paketë masash ligjore, ndër të cilat më e rëndësishmja ishte ajo për të lejuar dyqanet të hapeshin të dielave dhe pasditeve, por nxiti gjithashtu edhe sektorë të tjerë ekonomik.

Macron krijoi lëvizjen e vet politike për të mbështetur kandidaturën e tij gjatë vitit të kaluar, e pas disa muajsh dha edhe dorëheqjen nga qeveria: lëvizjen “En Marche!”./TCH/

Please follow and like us: