Franca ndalon me ligj modelet shumë të dobta
Nje ligj në Francë që dënon punën e modeleve mjaft të dobëta dhe të pashëndetshme ka hyrë tashmë në fuqi.
Modeleve do t’u duhet të kenë një certifikatë nga mjeku mbi gjendjen e tyre të përgjithshme shëndetësore, e përqendruar në mënyrë të veçantë tek Indeksi i Masës Trupore (BMI), një matje e peshës në lidhje me gjatësinë.
Ministri francez i Shëndetësisë tha se qëllimi është të luftohen çrregullimet e të ushqyerit dhe idealet e papranueshme të bukurisë.
Në këtë kuadër, edhe fotot e modifikuara në mënyrë dixhitale duhet të etiketohen duke nisur nga 1 tetori. Fotot ku pamja e një modele është manipuluar përmes fotoshopit duhet të kenë shenjën “fotografi e retushuar”.
Një version i mëparshëm i ligjit sugjeronte një BMI (Indeksi i Masës Trupore) minimale për modelet, duke shkaktuar protesta nga të gjitha agjencitë e modës në Francë.
Por versioni final u jep të drejtë mjekëve të vendosin nëse një modele është më e dobët se ç’duhet duke llogaritur peshën, moshën dhe formën e trupit.
Punëdhënësit që do të thyejnë ligjin do të përballen me një gjobë që shkon deri në 75 mijë euro ose deri në 6 muaj burg.
“Ekspozimi i të rinjve me imazhe jorealiste të standardeve fizike të trupit çon drejt një ndjenje zhvlerësimi të vetvetes dhe vetëvlerësimit të dobët që mund të ndikojë në sjelljen shëndetësore”, u shpreh ministri francez i Shëndetësisë, Marisol Touraine.
Franca nuk është vendi i parë që nxjerr ligje për modelet nën peshë – Italia, Spanja dhe Izraeli e kanë bërë këtë gjithashtu.
Anoreksia prek 30-40 mijë persona në Francë, 90% e të cilëve janë femra.