Albspirit

Media/News/Publishing

Gani Mehmetaj:Tri urat e shenjta mbi lumin Drin!

 

Legjenda për Urën e Shenjtë (Fshajtë) mbi Drinin e Bardhë në mes të Gjakovës e Rahovecit, të katundi Fshajë është motërzimi i legjendës për Kështjellën e Rozafës në Shkodër. Është vështirë të thuhet cila legjendë lindi e para, e cila e dyta, ashtu sikurse nuk përcaktohet dot, u ndërtua Kështjella e Rozafës, para Urës së Shenjtë apo Ura e Shenjtë u ngritë para Kështjellës së Rozafës.
Tre vëllezërit, që e ndërtonin urën ditën, ndërsa natën ua rrënonte dikush, ranë në pikë të hallit, derisa nuk u tha një plak se pa fli ura nuk bëhet. Legjendën më tutje e din të gjithë. Gruaja e shtruar, e ndershme, shenjtore, e vëllait të vogël, atij të mirit, të ndershmit, të besës, punëtorit, u flijua në këmbët e urës, ashtu sikurse u flijua shkodrania në themelet e kështjellës së Shkodrës. Dhe mbi urë kaluan shumë karvanë, njerëz me halle, ushtri, të mira e të këqija. Të gjithëve legjenda ua bëri me dije se në këmbët e urës është një nënë që u flijua, ndërsa e kishte foshnjën e gjirit.
Grykën e Urës së Shenjtë e ndjek edhe një mit tjetër, shumë më i vjetër, mit që lidhet me përmbytjen e madhe. Ma kanë përsëritur katundarët e komunës së Gjakovës nga Botusha në Gexhë e tutje në Baballoq; e kam dëgjuar në fëmijërinë time në Pejë e rrethinë. Sipas kësaj legjende, kur u ça shkëmbi të katundi Fshajë, pas përmbytjes biblike, a mbase ndonjë përmbytje më të hershme, uji që e mbulonte Pejën deri të Ujëvarja përtej Grykës së Rugovës, u tërhoq, kështu që Rafshi i Dukagjinit nga liqe u bë tokë pjellore me fusha e male.
Ura e Sakarnicës quhet ura tjetër po mbi lumin Drin, disa kilometra më tutje, në fund të katundit Rogovë të Hasit. Urë e Shenjtë- Sakarnica (nga latinishtja sakrum, e shenjtë, fli), është trajtë e latinishtes vulgare që ka mbetur edhe si emërtim deri në ditët e sotme. Edhe ajo e bartë paralelisht emrin e shenjtërisë-flijimit dhe emrin e katundit.
Ura e Sakarnicës ishte më e gjatë, rrjedhimisht edhe më e madhe se sa ura e Shenjtë. Sipas prof. Valter Shtyllës është nga urat më të mëdha në Gadishullin Ilirik. Pastaj nuk thuhet e rrënuan pushtuesit turq, apo e rrënoi tërbimi i lumit Drin.
Urës antikë të Sakarnicës në Rogovë të Hasit i kanë mbetur vetëm dy këmbët gjigante, mbi pesë metra të larta, që duken si gjymtyrë dinozauri, ndërsa trupi e harqet ia ka rrëmbyer uji i turbullt i lumit gjatë shekujve. Mbase edhe rruga antike ka ndryshuar kahe, apo ka devijuar, sepse edhe atë urë do ta rindërtonin ilirët a arbërorët sikurse Urën e Shenjtë që e rindërtuan disa herë gjatë historisë.
Ura e Sakarnicës (Rogovës) ka qenë në funksion nga antika deri në mesjetën, thonë kronikat e kohës. Ka pak të dhëna për te, por legjenda për murimin është në themelin e emrit latin, ashtu sikurse duhej të ishte sipas legjendës po në këmbët e kësaj ure një grua e flijuar, sepse në të gjitha urat e kështjellat e Ilirisë e të Arbërisë një fli i forcoi themelin a këmbët e ngrehinës, të futura thellë në lymin e lumit, a në tokën gëlqerore.
Ndërkaq, qindra metra para ngushticës së Urës së Shenjtë, aty ku përfundojnë muret gjigante të shkëmbinjve, arkeologu Haxhi Mehmetaj për herë të parë ndeshi në themelet e urës të dimensioneve të Urës së Shenjtë, për të cilën nuk është ditur dhe nuk thuhet asgjë në literaturën arkeologjike. Këmbët e urës në dy nivelet kodrinore hetohen me sy të lirë në disa pika, sipëri lumit Drin, prapa Urës së Shenjt, në grykën e lumit. Ura duhet të ketë lidh Kështjellën me pjesën urbane, me tokat pjellore përtej lumit, por edhe më rrugën kryesore prapa murit shkëmbor, në rrëzë të tokës pjellore, që gjarpëron nga lidh kështjellën me Gjakovën, pa ia pasur nevojën Urës së Shenjtë.
Ura e sapo zbuluar, disa qindra metra nga ura e famshme, i takon antikës, pra, kohës së Ilirisë, por nuk përjashtohet mundësi të jetë ndërtuar edhe në parahistori. Kjo gjë duhet të hulumtohet, sepse sipas këmbëve të ngulitura në kodrinën e shkëmbinjve gëlqeror të Gexhës nuk është më e vogël se ura e famshme.
Po ashtu, pak kush e di, pos vendësve se sipëri Urës së Shenjtë, në një kodrinë me lartësi mbidetare 650 metra gjendën themelet e një kështjelle ilire të kohës së bronzit e të hekurit, mbi themelet e të cilës në antikitet u ngrit një fortifikim. Kështjella nuk ishte vetëm fortifikatë malore, as vetëm roje e Urës, përkatësisht e dy urave, Kështjella ishte në funksion të një qyteti a të një qyteze.
Kur zbret kodrës së rrëpinjtë nga ana e katundit Gexhë, buzë lumit, ende mund të ndeshën gjurmët e zbehta të një banje, të cilat supozohet se i kanë përdorë banorët e kështjellës, apo vendësit. Hamendësohet, sipas gjurmëve të gjetura të materialit arkeologjik se jashtë kështjellës kishte vendbanim antikë. Kështjella e Gexhës duhet të hulumtohet, sepse ka disa shtresime arkeologjike.

Në anën e kundërt në katundin Gramaqel që është në kufi në mes të Komunës së Gjakovës dhe të Komunës së Deçanit, mbi një kodër të cilën vendasit e quajnë Jagoz, ndodhen varrezat e vjetra katolike rreth njëmijë e gjashtëqind vjeçare dhe gjurmët e një kishe të antikitetit të vonë. Në këto varreza ka vazhduar varrimi edhe ne mesjetën e hershme arbërore.
Në kohet e reja, në varrezat e vjetra ka ndërhyrje, kanë vazhduar varrimet e reja katolike. Poshtë varrezës në një luginë fushore buzë anën se majtë të përroit gjendet vendbanimi i madh i antikitetit. Por të gjitha këto kërkojnë hulumtime e gërmime të kujdesshme, veçmas aty ku nuk janë dëmtuar dhe aty ku nuk pati ndërhyrje.

Please follow and like us: