Albspirit

Media/News/Publishing

Përse vajtohet në oborrin e Edi Ramës?!

“Protesta e nesërme mund t’ia vlente sipas këshillave të njerëzve që e mbështesin, që të ishte dhe një demonstrim dhune nga opozita…”.

Kështu shkruante dje në një editorial hedhur në portalin e tij, plot nota dëshpërimi, një nga kryeshërbëtorët mediatik të Edi Ramës.

Po dje gati të gjitha mediat e kuzhinës kryeministrore u mbushën me shkrime, nëpërmjet të cilëve i mëshohej frikës për dhunë, për mijëra e mijëra policë e forca special që po rrethonin Tiranën…madje portali i një ish-deputeti socialist i kapur me presh në dorë me miliarda të pajustifikuara, shkoi edhe më tej.

Paraqiti një skenar sikur do të vritej një nga udhëheqësit kryesor të protestës nga vetë “protesta”, që pastaj të kishin sebep, për të bërë namin duke hyrë në zyrën e Ramës.

Në mënyrën më dëshpërore, të gjithë kalemaxhinjtë e kryeministrit kërkonin dhunë me patjetër, në protestën e sotme.

Kryeregjisori i këtyre “fakenews” Edi Rama, nuk la minutë pa provokuar nëpërmjet faqes së tij në FB, me fotomontazhe bajate dhe komente çërash, që gëlojnë në rrjetet sociale. Fatmir Xhafaj u urdhërua të paraqiste protestën e sotme, si një mundësi e mirë për “akte radikale”.

Që në pikët të mëngjesit shpërndanë plot bujë për mediat një njoftim, sipas të cilit policia kishte ndaluar 20 persona që synonin veprime radikale. Enkas nuk dhanë shpjegim nëse bëhej fjalë për “radikalizëm islamik”, apo çfarë!!

Në aksion u përfshi edhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj. Por si gjithmonë, në mënyrën e tij malinje dhe të ndyrë. Vetëm një ditë përpara protestës të paralajmëruar prej kohësh, e mbushi në mënyrë të pazakontë bulevardin ku do të zhvillohej ajo, me saksi me lule.

Por asgjë nga çfarë shpresonte Edi Rama dhe lëpirësit e tij mediatik nuk ndodhi. Nuk e kanë më alibinë e “një grushti njerëzish brenda çadrës që kanë frikë për mëkatet e tyre”.

Ashtu si në 85 ditët që nga nisja e këtij projekti historik, siç edhe ka premtuar lideri i lëvizjes për përmbysjen e Republikës së vjetër, as edhe një lule nuk u prek edhe sot.

Prandaj të gjithë këta, janë thellësisht të zhgënjyer dhe të trishtuar. Në oborrin e Edi Ramës, ka pllakosur zija. Për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit dhe madje Europës, një masë kaq gjigante njerëzish proteston në mënyrë kaq paqësore, kaq moderne dhe njëkohësisht kaq të vendosur. Dhe bëhet fjalë për një shumicë të frustuar me një qeveri të korruptuar, me një narko-shtet siç e quajnë tashmë edhe mediat më prestigjoze në botë.

Asnjë incident i vogël, vetëm kurora me lule për funeralin e “Rilindjes” dhe premtim për çuarjen deri në fund të rrugës për ngritjen e “Republikës së re”.

Edhe mediat e vëna hapur në shërbim të Ramës, kuisin në vaj. Çfarë proteste koti ishte kjo?! Asnjë provokim, pa gurë dhe hunj, asnjë xham i thyer dhe asnjë lule e këputur?!

Protesta e Trembëdhjetë Majit në ditën e parë të paralajmërimit përfundimtar për klikën e Ramës, u hap me himnin kombëtar dhe u mbyll me buzëqeshjen plot shpresë të Lulzim Bashës. Populli iku i qetë duke lënë pas mesazhin e panegociushëm për këdo, brenda dhe jashtë vendit; Të vendosur deri në fund kundër qeverisë së narko-trafikut, luftë pa kompromis për instalimin përfundimtar të votës së lirë…

Ditë të edhe më të bukura se 13 Maji 2017, fatmirësisht po vijnë…

SYRI.net

Please follow and like us: