LUKË KAÇAJ GUXOI ME I RA LAHUTËS
*Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit.
*1966 emrohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve.
*1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena.
*Me 28 Maji 1973…Sigurimi i Shtetit do t’i vinte hekurat në prani të studenteve dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura.
Nga Fritz RADOVANI/Australi/
Ne Foto: UKË KAÇAJ (1924 – 2001)/Nder Bjeshkët tona sejcili lis ka një emen! E per me e gjetë atë lis ndalou tek Shenjat e pushimit, ku mendja per pak minuta shetitë tek rrugat e thepisuna mjedis shkamijve…
Kalldramet e tyne të bajnë me hupë nder mendime e me kerkue me mend se, kush ishin të Parët e atyne Fiseve që, me “daltat e veta” lane gjurmët e qytetnimit të hershem!
Pa u kuptue aspak dikund hapet një grykë e veç, kur fillon me ndigjue perzi me kangë bylbylash fyellin e një çobani që të ban me harrue ku je! Brez mbas brezi këndojnë ata!
E ka disa shekuj që kanga e Tyne nuk njeh mort! Notat muzikore fluturojnë me gjethët e ahut e të lisave nalt në ajër, veç kur i gjenë të ruejtuna nder arkat e stajanicave plaka…
Kur oxhakut asaj kullë i shtohet një djalë, kanga aty nuk ka ma fund!
Ashtu pat ngja edhe në vitin 1924, me24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit në Malsi të Madhe, kur u le Lukë Kaçaj. Luka porsa mori mend ju kushtue Urdhnit Fretenve të Vegjel, dhe shkoi me vazhdue shkollen e Tyne në Gjuhadol të Shkodres, ku spikati zani i Tij…
Ishte i pari At Martin Gjoka që dalloi talentin e rij dhe i tregoi rrugen e artistit të madh.
Ishte në Liceun “Illyricum” Luka, kur Mjeshtri i Madh i muzikës At Martini i vuni në ballë djaloshit Bajzës së Alpeve shenjën e perjetshme, të cilin Luka e mori me vete.
Gjejmë të shkrueme nga nxanësi i Tij muzikant Loro Sata se: “Ata vite Ai i kujtonte si kohen ma të bukur të jetës së Tij!” Kujdesi per Luken nuk mungoi asnjëherë.
Mbas vdekjes së papritun të At Martinit, punen me Luken e vazhdoi At Filip Mazrreku, i cili e mësoi me luejtë në armonio, organo dhe vjolinë, vegla të cilat ndodheshin edhe këto në Kuvendin Françeskan të Shkodres, ku Luka vazhdoi studimet deri në 1946.
Ishte viti 1996, kur e kam takue Luken në shtëpinë e At Konrrad Gjolaj, në Shkoder…
Me hapjen e temes nga At Gjolaj, Luka tregoi sesi kur po permbytej Shqipnia nga komunizmi, në vitin 1946: “At Mati Prennushi thrret në Kuvend të Gjuhadolit baben e Lukës dhe i thotë: Koha sa vjen e bahet ma e rrezikshme per xhakoj ashtu si per ne, prandej, merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë të mbyllet nga komunistët dhe të mos hapet ma…Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës sim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946… Gjithmonë e kam kujtue At Matinë me mirnjohje… ” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, Shkoder 1996).
Luka niset per Tiranë porsa hapet Liceu Artistik. Komisioni i pranimit mbetë i habitun nga pergatitja kulturore e muzikore e Lukës. Pranohet në 1947 në orkestren e Radio Tiranës, por mbas dy muejsh pushohet nga puna si “ish nxanës i françeskanëve”, dhe shkon hamall në një magazinë në Yzberish. E ndihmon kompozitori Kristo Kona, aso kohe deputet, tue e angazhue me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen amtare, tue i vue në perdorim të vazhdueshem me leteratyren botnore dhe kryeveprat e saja ma të njohuna, si pasojë e studimeve fillestare, në vitin 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në Moskë, në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., me një grup muzikantësh shqiptarë.
Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”…E nuk do të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten. Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja.
Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit, ku populli moskovit e pershëndeti “tue e krahasue të një niveli me interpretimin e Shaljapinit, po në atë skenë”. Nga B.S. u kthye dhe bani disa turne në disa shtete ku, edhe ju kerkue “qendrimi atje”… Luka nuk pranoi si para Tij i madhi Loro Boriçi. Dashunia per Shqipni nuk i lente asnjë shteg largimi.
1966 emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve. Po, nuk shkon gjatë…
1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!
“Mos vallë… ky asht fundi im…!?” Një pyetje që Ju ngul në kokë Lukës…
Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973…kur sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…” Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por denimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie…
REVOLUCIONI KULTURAL BURGOSI EDHE ARTISTIN LUKË KAÇAJ…
Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Gjergj Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Vargjet e Saja rrethonin zemren e madhe të Lukës!
Nuk munguen dishmitarët e angazhuem nga Ramiz Alia, si muzikanti Avni Mula etj… Dosjet e artistëve ndoshta, do t’ ishin ma befasueset se as nuk merret me mend kush të bante gjamen per gjithë jeten, tue vazhdue pasojat edhe sot mbas 27 vjetësh…
Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.
Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978, per të vazhdue dënimin e Tij në burgun e “madh” me të gjithë Popullin Shqiptar. Artisti i Madh ishte pa punë. Dyert ishin të mbylluna! Një ditë një shef kuadri “zemermirë” i ofroi punë: “Kemi punë edhe per ty, vetem hamall…” Luka tregonte: “Vetem në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund të fitojshe buken per vete dhe per Anen…Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore më dermonte shpirt e zemer!” Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë… Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka!
Gjendja shndetsore e Lukës ishte e veshtirë me u kuptue. Burri i madh e mbante veten!
7 SHTATOR 2001, Luka nuk këndoi kurrma!
Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.
Luka me të vertetë që interpretonte rolin e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, tue i dhanë edhe vlerat e veta të malësorit të Veriut, po rolet që luente Luka ishin pjesë nga jeta e Tij. Në kjoftë se arti botnor krenohet me artistët e Mëdhej Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin, edhe arti Shqiptar “një ditë” ka me rreshtue me ata kolosë, një shkamb të daltuem me kulturen Shqiptare Europjane, që ra e u ba ortek nga majet e Atyne Maleve e, që na i thrrasim Bjeshkët e Nêmuna…
Sot nga luginat e Atyne Maleve vazhdojnë me burue prroje me ujna të kthjellta…
Ne njohem një brilant të muzikës Shqiptare që rrokollisen Ata burime…
Po, Lukë Kaçaj, vështirë se i vjen ma Atyne Alpeve Kreshnike… E Shqipnisë Europjane!