REVOLTA E SPAÇIT & E QAFË BARIT PËRKUJTOHEN NË VATËR
Me nismën e një grupi ish të burgosurish dhe të përndjekurish politik, nën drejtimin e Pëllumb Lamaj në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” do të organizohet me 20 Maj 2017, përkujtimi i Revoltave të Spaçit dhe të Qafë-Barit.
Do të shfaqet dokumentari historik, që përjetëson revoltën e Spaçit i realizuar nga Pëllumb Lamaj “Spaçi, Simboli i Rezitences Anti- Komuniste, në Shqipëri”. Dokumentari zgjat 30 minuta.
Tubimi perkujtimor organizohet në Selinë e Vatrës dhe do të nisë në orën 2.00 pm.Adresa: 2437 Southern BLVD, BRONX, NY 10158.
***
KUJTESË: REVOLTA E SPAÇIT nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati 3 ditë, të burgosurit shpalosën në tarracën e burgut një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak. 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.
REVOLTA E QAFË-BARIT– Nisi me 20 maj 1984. Në këtë burg ishin 500 të burgosur politikë që ishin dënuar mbi 25 vite burg, të cilët shfrytëzoheshin egërsisht dhe punonin nëpër galeritë e minierës me tre turne.Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revolta më 20 maj 1984. I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake.Të plagosurit hiqeshin zvarre…Sander Sokolin, e tërhoqën zvarrë në mes të kampit, e shtrinë mbi një dru dhe e këputen në mes. Tom Ndoin dhe Sokol Sokolin i pushkatuan.Të gjithë të dënuarit i lanë të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë dhe i ridënuan.