Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Hoxha: Ministër i Brendshëm mund të ishte Erzen Breçani

Kisha përshtypjen se opozita në betejën e saj 90 ditëshe në çadër, kërkonte të luftonte implikimin e mazhorancës me krimin e organizuar dhe lidhjet e saj me narkotrafikun. Pra mendoja se opozita shpresonte të vendoste në krye të Ministrisë së Brendshme një “mendje të mprehtë”, por ajo zgjodhi një ministër me “muskuj të forte”.

Kam shumë respekt dhe mendoj se e njoh mjaftueshëm ministrin e ri si personalitet i padiskutueshëm në fushën e tij…

Por nëse në krye të policisë shqiptare, do ishte nevoja të vendosej një oficer drejtues i forcave speciale në terren, mes një koloneli të forcave komando të ushtrisë dhe një shefi shtabi të repartit special ‘RENEA’, padiskutim që do zgjidhja këtë të dytin.

Kolonel Demiraj është kampion në karate dhe ka marrë pjesë në shtatë misione jashtë vendit, në Afganistan dhe Irak si pjesë e misioneve paqeruajtës në kuadër të NATO-s duke luftuar kundër terroristëve talebanë, Al Kaeda-s apo ISIS.

Ish-shefi i shtabit i repartit special të Policisë së Shtetit, ‘RENEA’, Erzen Breçani, kampion në mundje, ka marrë pjesë në arrestimin apo asgjësimin e personave më të kërkuar të kriminalitetit shqiptar. Ka drejtuar direkt skuadrën e ndërhyrjes të repartit ‘RENEA’ në arrestimin e bosëve më të mëdhenj të organizatave kriminale shqiptare.

Pra, mes një koloneli të forcave speciale të ushtrisë, i specializuar dhe trajnuar në SHBA dhe një komandanti të forcave speciale të Policisë, ‘RENEA’, i specializuar dhe i trajnuar po në SHBA, do përzgjidhja të dytin.

Sepse në Shqipëri nuk ka një betejë kundër talebanëve, Al Kaeda-s apo ISIS, po një betejë kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut. Nuk besoj se një komando i ushtrisë, sado i zoti të jetë, e njeh dhe e lufton më mirë kriminalitetin dhe narkotrafikun se një komandant i forcave elitë të Policisë së Shtetit.

Duke patur parasysh profesionalizmin e tyre, shkollimin, karrierën e gjatë, sukseset në detyrë, dekorimet, operacionet e shumta që kanë kryer, trajnimet jashtë vendit, bindjet politike(të dy të djathtë) origjinën pasi të dy janë nga Tropoja, konfliktet me ish-ministrat përkatës (Demiraj me Kodhelin dhe Brecani me Tahirin) dhe konfliktin e të dyve me kryeministrin Rama… me gjithe respektin për Ministrin e ri Demiraj, kandidatura më reale do të ishte, një oficer policie, me po aq muskuj, me një karrierë mbi 25-vjeçare brenda radhëve të policisë, që është plagosur në operacione antidroge dhe kundër kriminelëve më të mëdhenj të vendit dhe ky drejtues do të ishte Erzeni Breçani…

Please follow and like us: