Dështimi i ‘Rilindjes Urbane’ të Ramës, rasti i Beratit
Namir Lapardhaja
Ndërtimi i bulevardeve dhe rehabilitimi i shesheve kryesore të qyteteve, është një ndër investimet më të mëdha dhe më të përhapura sot në Shqipëri. Pushteti lokal i prezanton ato si projekte të vetat, duke u mburrur sa herë që është nevoja, dhe duke u justifikuar se projektin e gjeti gati kur ka probleme, ndërsa qeveria qendrore i ka kanalizuar këto investime nën ombrellën e “Rilindjes Urbane”.
Kryeministri i vendit, si “zot shtëpie” i kësaj rilindjeje, është flamurtari dhe njeriu që më së shumti e shet publikisht projektin dhe mallin e vet, çka parathotë se kjo do të jetë kryefjalë e fushatës elektorale. Rilindja Urbane, e ideuar dhe e projektuar më së shumti si ndërtim bulevardesh dhe rehabilitim sheshesh qendrore, në të vërtetë është një përpjekje arbitrare për të unifikuar traditën infrastrukturore të qyteteve në vend.
Një përpjekje e tillë nuk merr në konsideratë shtresëzimet kulturore infrastrukturore që mbart vendi si pasojë e historisë. Tendenca për të barazuar dhe unifikuar Bashki pa asnjë histori dhe traditë, si Kopliku, Poliçani, Patosi etj. me qytete që kanë bërë e mbartin historinë e këtij vendi, si Berati, Durrësi, Shkodra, Vlora, Korça etj., është në vetvete totalitare, e pamotivuar dhe e pastudiuar mjaftueshëm.
Në këtë drejtim, Kryeministri Rama është shumë prapa paraardhësit të tij, i cili, nga ana tjetër, për 8 vite me radhë nuk la rrugë rurale pa asfaltuar, investime utilitare për këto zona, që i nxorën ato një herë e përgjithmonë nga balta historike, duke i urbanizuar disi dhe duke i afruar më shumë prodhimet e tyre me tregun.
Një ndër investimet e “Rilindjes Urbane” është edhe bulevardi “Republika” në Berat, që kulmon me sheshin qendror të qytetit dhe që vijon me pjesën e dytë të bulevardit. Ky projekt kaq i madh e ka shndërruar bashkinë e Beratit sot në një gjendje kaotike, ka shkatërruar lulishten historike të këtij qyteti që e përshkon bulevardin përgjatë gjithë gjatësisë së tij, ka prerë në mënyrë kriminale me dhjetëra pemë duke betonizuar gjithçka.
Në verë pedonalja i ngjan një saçi të madh pjekjeje, që nuk mund të ecësh gjatë ditës për shkak të nxehtësisë së tij, ndërsa reshje të pakta të shiut që zunë fundgushtin e kaluar e përmbytën atë, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Bulevardi nuk ka marrë në konsideratë çështjen e trafikut në qytet, duke e shndërruar Beratin në qytetin me një rrugë të vetme dhe duke ia bërë jetën qytetarëve të tij më stresuese.
Sheshi qendror i qytetit të Beratit është i vetmi në llojin e tij, jo vetëm në Republikë, por dhe më gjerë, që nuk kryen asnjë lloj funksioni, nuk ka asnjë fije bari, i mungon në qendër të tij një shatërvan dhe ka hapësirë të pafundme me beton, që shtohet përditë në formë të bunkerëve të pakuptueshëm dhe pa asnjë lloj funksioni, qoftë edhe estetik.
Si për të mos mjaftuar sa më sipër, projekti i Rilindjes Urbane të Beratit vazhdon në fazën e tij të dytë, gjë që vijon me pjesën tjetër të bulevardit, që përfshin bibliotekën “Vexhi Buharaja” e vijon me ndërtimin e godinës së re të bashkisë Berat. Ndërtimet e kësaj hapësire i takojnë periudhës së socializmit dhe janë konceptuar sipas një tradite të caktuar arkitekturore, çka nuk i përgjigjet dhe nuk ka kurrfarë lidhshmërie me bulevardin e gurtë dhe të betonizuar.
Mirëpo, nëse në çdo vend të botës tradita, qoftë edhe e socrealiste, do të ruhej dhe do të konservohej si tregues i një periudhe të caktuar, ato jo vetëm që janë shkatërruar vetë, duke e humbur pamjen dhe harmoninë që i mbante të bashkuara dhe të unifikuara, por i janë vënë nën “shërbim” bulevardit të rilindur.
Milionët e hedhura në fasadën dhe godinën e bibliotekës nuk e justifikojnë dhe nuk i shërbejnë asaj që duhet të ishte në të vërtetë kjo godinë dhe ky institucion. Edhe në këtë segment u prenë pemë pafund, u shtua beton dhe nuk u mboll asnjë fije bari. Ndërkohë që një zgjidhje tjetër më utilitare, më pak e kushtueshme dhe që merrte në konsideratë elementë të trafikut, hapësirave të gjelbra dhe nevojave të qytetarëve mund të ishte realizuar.
Në këtë kuptim, Rilindja Urbane në Berat shërben më së tepërmi si fasadë e një filozofie qeverisëse që më së shumti interesohet për anën e dukshme, sipërfaqësore dhe për të nuk ka asnjë rëndësi thelbi dhe ajo se sa investimi që kryhet i shërben së mirës publike. Nëse Partia e Punës krijoi “Njeriun e ri” përbindësh, Rilindja krijoi “Qytetin e ri” përbindësh. Modeli i “Njeriut të ri” qe Ley Fen-i, njeriu parafabrikat, kryeministri Rama krijoi qytetet qendra-fasadë. Nëse flasim për dështim të projektit të madh të Rilindjes, çfarë duhet të ketë më shumë Rilindja Urbane në Berat për t’u quajtur e dështuar?