Hafize Elshani: Unë, ne, bijtë e shekullit të ri…
Unë, bija e shekullit të ri.
Ne, bijtë e shekullit të ri, jemi brezi i të ashtuquajturës demokraci, fëmijët e shpresës, njëzetvjeçarët e tranzicionit, që supozohej të shijonim të mirat e lirisë dhe liberalizmit, por që sot dyshojmë seriozisht se e gjitha kjo është një gënjeshtër, sepse…
Unë,bija e shekullit të ri.
Ne, bijtë e shekullit të ri, paguajmë një qerre me para për të vazhduar shkollën, edhe pse kushtet lënë për të dëshiruar e diploma nuk çel perspektivë.
Unë, ne, bijtë e shekullit të ri, kemi ngecur në rrjetën e punëve të pasigurta e pagëpaka, në call center-a edhe pse jemi juristë, mjekë, gazetarë të diplomuar mbesim si kamerierë edhe pse jemi sociologë e psikologë të papunë, jemi profesionistë edhe pse kemi fuqi e zotësi të fituara vetë.
Unë, ne, bijtë e shekullit të ri, jemi lodhur së pari sepse çdo mbrëmje në televizor shfaqen të njëjtat fytyra për njëzet e ca vite me radhë, fytyra që thinjen, rrudhen, kërrusen dhe me gjasë do të vdesin duke sunduar mbi ne, me po atë zhargon, me po ato faje, akoma e më të pasur.
Unë, ne, bijtë e shekullit të ri, kërkojmë horizonte të reja jete, pune, shkolle, shoqërie e shprese. Prandaj kemi nevoje të bashkohemi, me dhimbjet dhe ëndrrat tona, rreth një botëkuptimi të ri, të drejtë dhe emancipues.
Se ne, bijtë e shekullit të ri, plakun e lamë në shejtnin’ tonë, e çuem grushtin për me luftue, e në luftra mbetëm pa shpresë.
Nuk ka gjyqe politike që na frikësojnë dhe sikur të na burgosni të gjithë, idetë tona do të qëndrojnë edhe pas hekurave dhe ju, politikanë të të gjitha ngjyrave, nuk do mundeni t’i burgosni kurrë!
Rezistenca vazhdon, ata një ditë do të bien poshtë!
Ja keni marrë shpresën këtij populli, jeni blerë dhe jeni shitur sa herë që u është dhënë mundësia, por ky popull ka më reague, nga unë e më radhë kundër padrejtësive!
Kjo është kasta politike, na jemi zëri i arsyjes, a doni më?!