Albspirit

Media/News/Publishing

Jamarbër MALLTEZI: Çadra e mundimshme që shpëtoi vendin

Shqipëria nuk është më si pak muaj më parë. Ka një qetësim pas shumë muajsh tension. Ka një marrëveshje politike që secila palë tenton ta gjykojë dhe paraqesë nga interesi i vet. Por le të tërhiqemi një hap pas dhe ta shohim nga interesi i vendit dhe domethënies që pati ky moment për vendin. Pak muaj më parë patëm një ministër të Brendshëm që akuzohej botërisht si i lidhur me një nga bandat më të rrezikshme kriminale në vend, aq saqë shefat e policisë refuzonin urdhër-arrestet e Prokurorisë ndaj kapobandës. Patëm drejtorë policie që nuk lëviznin, pavarësisht skandaleve dhe trafiqeve, ku nuk cenohej asnjë parcelë drogë nëse i ishte dhënë 30% e prodhimit paraprakisht policisë, dhe ku banditët blinin jo vetëm lirimin nga burgu, por edhe vendin e deputetit. “Policia që duam” rezultoi shumë më keq sesa një dështim. Me dhjetëra shefa policie u angazhuan në prodhim, grumbullim dhe transport droge, duke etiketuar Shqipërinë si narko-shtet në mediat më prestigjioze të botës. Kapja e mbi 100 tonë drogë vetëm në 5 muaj të 2017 alarmoi deri edhe kryeprokurorin e antimafies italiane.
Rrokopuja e vendit ishte në trajektore të rrezikshme. Ndërsa kishim 25 vjet që Shqiptarët vriteshin për tokën, tani filluan vrasjet masive për drogën. Kartelet filluan luftën me njëri-tjetrin dhe kemi qenë dëshmitarë të ekzekutime të bosëve të drogës, por edhe vrasje të shumë hallexhinjve që punonin me mëditje. Asnjë vend nuk është zhvilluar përmes drogës, ndonëse për shumë të papunë duket si një mundësi e mirë fitimi. Prodhimi masiv i drogës po kufizonte edhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve brenda vendit, ndërkohë që kishin lëvizje të lirë në gjithë Europën.
Pati shumë segmente të shoqërisë që e lidhnin drogën me një miratim të hapur apo të heshtur amerikan, pasi ishte e paimagjinueshme që prodhimi kaq masiv të mos raportohej as në raportet e Departamentit të Shtetit dhe as të BE-së. Vetëm kur ambasadori i SHBA-ve njoftoi para pak muajsh se kishte qysh në maj 2016 që i kish kërkuar ministrit të Brendshëm që të arrestohej Balili (një trafikant drogë me influencë dhe qindra prona përmes trafiqeve në Jug), veç atëherë opinioni shqiptar filloi të reflektonte se nuk kish një plan global për kanabizimin e vendit, por një synim qeveritar për të instrumentalizuar drogën për interesa pasurimi, por edhe elektorale.
Zgjedhjet e kryera në Dibër ishin treguesi më i qartë i efektit të drogës, por edhe i angazhimit të segmenteve të krimit të organizuar në bashkëpunim me segmente të shtetit për diktimin e rezultatit të zgjedhjeve. Gazetarë të njohur thonë se ata nuk guxonin të raportonin në mediat e tyre ato që shihnin në terren. Format më meskine të krimit, përfshi edhe kërcënimin e familjarëve me bukën e gojës, u përdorën për uzurpimin e zgjedhjeve në Dibër. Në këto kushte të situatës së drogës, krimit dhe korrupsionit u hap çadra e opozitës në bulevard.
Çadra shërbeu si një kambanë alarmi për shoqërinë dhe arriti të përçojë rrezikun që i kanosej vendit nga kriminalizimi i çdo segmenti të shtetit. Z. Rama u detyrua të shkarkonte ministrin e Brendshëm (dhe bashkë me të edhe 3 të tjerë si garniturë). Ministri i ri ndryshoi drejtorët e policive nëpër qarqe dhe ata që ishin kthyer në “të paprekshmit” ikën si figurina pa asnjë peshë. Kjo masë e vlefshme ishte njëherësh edhe përforcim i akuzave disavjeçare të opozitës për përfshirje të policisë në droge dhe krim. Zyrtari i lartë amerikan, z.Yee, javën e shkuar i dha të drejtë opozitës në 3 pika kyçe, përkatësisht (1) droga, (2) krimi, dhe (3) korrupsioni, të gjitha me përgjegjës qeverinë dhe personalisht z. Rama. Z.Yee nga ana tjetër i kërkoi opozitës të marrë pjesë në zgjedhje, natyrisht duke marrë masa për eliminimin e këtyre problemeve madhore për të krijuar kushte të përshtatshme për zgjedhje. Caktimi i ministrave teknikë, disa me shumë eksperiencë dhe integritet, duket se ka qetësuar tensionet e ngritura dhe premton të garantojë disa elemente thelbësore të zgjedhjeve të lira si kufizimi i ndikimit të kanabisit në blerjen e votës, mos-detyrimin e administratës për pjesëmarrje të detyruar në fushatë elektorale etj.
Çadra e kurseu historinë shqiptare nga zgjedhjet farse dhe pa opozitë, siç desh e çuan vendin në qorrsokak disa mendjenxehtë që menduan për prodhim laboratorik të opozitave, sipas oreksit të qeverise apo sipas ryshfeteve të diplomatëve. Ajo çadër e mundimshme për 90 ditë shërbeu për të parë të vërtetat në sy dhe për të reflektuar të gjithë si shoqëri.
I shërbeu Bashës dhe opozitës për të ndërgjegjësuar gjithë opinionin për krimin, drogën dhe korrupsionin, por po aq i shërbeu edhe Ramës për të reflektuar dhe mos-ndjekur një rrugë pa krye. Çadra i shërbeu vendit për stabilitet dhe rikthim në zgjedhje pluraliste. Uroj të ketë qenë edhe një ogur i mirë për fillimin e luftës ndaj krimi dhe drogës, dhe që në të ardhmen droga dhe krimi të mbahen larg politikës.

Please follow and like us: