Albspirit

Media/News/Publishing

Migena Dani: Sëmundja e prostatës, ja çfarë duhet të dinë meshkujt?

Prostata është një nga problemet më shqetësuese për meshkujt, sidomos për ata mbi moshën 40-vjeçare. Sëmundjet e prostatës përgjithësisht mund të ndahen në: zmadhimi i prostatës (Hiperplazia beninje e prostatës, HBP), kanceri i prostatës dhe sindroma e dhimbjes prostatike apo infeksionet e prostatës (prostatiti akut dhe kronik).
Patologjitë e prostatës shfaqen në mosha të ndryshme por zakonisht kanceri i prostatës dhe zmadhimi beninj i prostatës shfaqet pas moshës 40 vjeç.

Dr. Rezart Xhani, mjek urolog në Shërbimin e Urologjisë në QSUT, na shpjegon më gjerësisht problemet që kanë meshkujt me prostatën. Doktori vë theksin tek rëndësia e simptomave që shfaqin meshkujt e moshave të ndryshme.

Çfarë është prostata dhe kur fillojnë problemet me të?
Prostata është një gjëndër aksesore seksuale që gjendet në organizmin e meshkujve dhe që si funksion kryesor ka ndihmesën në funksionin e spermës dhe për pasojë fertilitetit. Gjatë ejakulacionit mendohet se prostata kontraktohet për të sekretuar 0.5 – 1.0 ml lëng, i cili i shtohet atij të ejakuluar. Ajo është e vendosur në zonën e bacinit, anteriorisht prostatës ndodhet simfiza pubike, posteriorisht ndahet nga rektumi nëpërmjet fascies denonvilliers, prapa dhe sipër saj është fshikëza e urinës, vezikulat seminale, duktuset deferente dhe ureterët. Kjo gjëndër është që në lindje tek meshkujt, por problematika e saj fillon dhe jep shenja të dukshme klinike tek meshkujt pas moshës 40-vjeçare (në rastin e kancerit të prostatës) dhe arrin pikun në moshën 65-75 vjeçare.

Pse në këtë moshë?
Në rastin e zmadhimit beninj të prostatës (HBP) shkaku nuk dihet saktësisht, por ka spekulime të shumta mbi ç’rregullimin e ekuilibrit midis estrogjeneve dhe androgjeneve. Këto janë parë në studime eksperimentale me kafshë por jo në njerëz. Vetëm 1 në 10 njerëz shfaqin bllokim të urinimit për shkak të HBP dhe kërkojnë trajtim për këtë. Madhësia e prostatës nuk ka rëndësi sepse prostata më madhësi të vogël shkakton bllokim të rëndë dhe prostata me madhësi të madhe nuk shkakton. Ngushtimi i lumenit të uretrës prostatike është problemi kryesor.
Në rastin e kancerit të prostatës studimet epidemiologjike kanë treguar fakte të qarta për predispozicion gjenetik, kjo është e bazuar në historinë familjare dhe raciale/etnike. Është e pavërtetë që faktorë si dieta, sjellja seksuale, konsumimi i alkoolit, ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet, inflamacioni kronik si edhe ekspozimi ndaj ndotësve ambientalë ndikon në shfaqjen e kancerit të prostatës, por ato mund të ndikojnë në zhvillimin e një kanceri nga latent (në gjumë) tek një kancer që shfaqet klinikisht.

Sindromi i dhimbjes prostatike
Dhimbjet kronike në regjionin e prostatës në 90% të rasteve janë abakteriale (pra nuk kemi ndonjë infeksion të pranishëm) dhe vetëm në 10% të tyre kemi një infeksion. Sindroma e dhimbjes prostatike është shfaqja e përsëritur apo vazhdimi i një episodi dhimbjeje gjatë 3 apo 6 muajve të kaluar. Nuk kemi infeksion të vërtetuar apo ndonjë patologji tjetër lokalisht. Sindromi i dhimbjes prostatike zakonisht shoqërohet me sjellje seksuale negative apo me lëkundje emocionale, po ashtu kemi edhe shfaqjen e tabllosë së simptomave të traktit të poshtëm urinar (LUTS) dhe çrregullime të funksionit seksual.

Simptomat 
Dhimbja është simptoma kryesore e sindromës së dhimbjes prostatike. Asnjë faktor etiologjik nuk është gjetur deri tani për këtë dhimbje.
Një shpjegim është që kjo sindromë shfaqet tek meshkujt e predispozuar ndaj ekspozimit të një apo më shumë faktorëve shpërthyes, të cilët mund të jenë: të vetëm, të përsëritur apo të vazhdueshëm. Disa nga faktorët e propozuar janë: infeksionet gjenetike, anatomike, neuro-muskulare, endokrine, imune (duke përfshirë ato auto-imune) apo mekanizma psikologjike. Këta faktorë mund të çojnë në një gjendje inflamatore apo dëmtimi neurologjik periferik, duke krijuar një dhimbje akute e me pas kronike. Ka gjithmonë e më shumë të dhëna për një origjinë neuropatike dhe lidhjeje me ndryshime të sistemit nervor qendror në dhimbjen prostatike.

Cilët janë shkaktarët që ndikojnë dhe a mund të parandalohen? 
Ka vetëm informacione të pakta në prevalencën e Sindromit të dhimbjes prostatike (PPS) në popullatën e përgjithshme. Kjo edhe si pasojë e mbivendosjes të simptomave të patologjive të tjera si për shembull Hiperplazia beninje e prostatës. Rreziku i prostatitit rritet me moshën, burrat nga 50 – 59 vjeç kanë 3,1 herë më shumë rrezik se ato të moshës 20 – 39 vjeç. Ka një ndryshim të madh në trajtimin e kësaj sindrome nëpër seritë e publikuara, kjo vjen si rezultat i origjinës multifaktoriale të PPS. Një strategji për të përmirësuar efektin e trajtimit në këto pacientë është trajtimi sipas ndarjes fenotipike te tyre, kjo për shkak se është parë nëpër seritë e botuara se dështimi i trajtimit mund të jetë heterogjeiniciteti i popullatës së pacientëve.
Alfa-bllokuesit si p.sh terazosin, doxazosin, tamsulosin dhe silodosinë kanë dhënë rezultate pozitive në përmirësimin e simptomave. Studimet tregojnë se ato përmirësojnë në mënyrë sinjifikative dhimbjen dhe zbrazjen e vezikës urinare. Terapia empirike me antibiotikë përdoret gjerësisht për shkak se disa pacientë janë përmirësuar. Ata pacientë që përgjigjen ndaj terapisë duhen mbajtur nën antibiotikë për 4-6 javë apo më shumë.

Fatkeqësisht, urokultura, leukocitet dhe statusi i antitrupave në mostrat prostatë-specifike nuk mund të parashikojnë pacientët me PPS, të cilët do përgjigjen ndaj antibiotikëve. Biopsitë e prostatës tek pacientët me PPS nuk ndryshojnë nga ato me një prostatë të shëndetshme. I vetmi studim i randomizuar me cilësi të lartë është bërë për përdorimin oral të ciprofloxacinës (6 javë), levofloxacinë (6 javë) dhe hidroklor-tetraciklinë (12 javë). Ky studim ka treguar një ulje të simptomave, siç është dhimbja apo zbrazja e vezikës në krahasim me grupin placebo. Terapia e kombinuar me alfa-bllokues dhe antibiotikë ka dhënë akoma më shumë rezultat në përmirësimin e këtyre simptomave. Medikamentet anti-inflamatorë kanë treguar se në 80% të rasteve kanë patur më shumë përmirësim të simptomave se ato placebo.
Zmadhimi beninj i prostatës ndodh në moshën mbi 40-vjeç ku shfaqen për herë të parë noduset hiperplazike në zonën tranzicionale të saj. Tre janë faktorët që shkaktojnë bllokim:

  1. a) muskujt e lëmuar përreth qafës së vezikës urinare, të cilët nuk kontraktohen kur muskuli detrusor kontraktohet,
  2. b) adenoma, e cila bllokon lumenin

dhe c) insuficenca e muskulit detrusor (muskuli i vezikës urinare).

Komplikacionet e këtij bllokimi janë humbja e aftësisë kontraktuese të muskulit të vezikës urinare si edhe formimi i divertikujve, infeksionet e herëpashershme apo formimi i gurëve si pasojë e moszbrazjes së vezikës urinare dhe së fundi uropatia obstruktive që është humbja e funksionit renal i cili çon në uremi. Diagnoza vendoset me anë të marrjes së simptomave që referon pacienti si për shembull moszbrazje e plotë pas urinimit, shtimi i frekuencës së urinimit, ulje e presionit të urinimit, ndërprerje e urinimit, shtrëngim për të filluar urinimin, urinim i shpeshtë gjatë natës.

Ndonjëherë mund të dallojmë një bllokim urinar kur pacienti ka dhimbje supra-pubike dhe në ekzaminimin klinik (sidomos tek personat e dobët) dallojmë glob vezikal (vezika e mbimbushur me urinë). Tjetër ekzaminim është ai i uroflowmetrisë, i cili mat presionin e urinimit, ekografia abdominale për matjen e urinës reziduale (mbetëse), ekografia trans-rektale për të matur volumin e saktë të prostatës. Duhet patur kujdes të dallojmë zmadhimin beninj të prostatës nga sëmundje të tjera si kanceri i prostatës (në prekjen digitale rektale prostata në rastin e zmadhimit e ka konsistencën e butë), ngushtimi i uretrës (kanalit të jashtëm të urinës), neuropatia, poliuria, depresioni.

Trajtimi i zmadhimit të prostatës është i shumëfishtë:
– Taktika prit dhe shiko për shembull tek burrat e vjetër, të cilët kanë irritim të prostatës për një ose dy vjet dhe që më pas bëhen mirë pa marrë asnjë trajtim, në këtë rast pacienti ngrihet një ose dy herë natën, presioni i urinës është i mirë dhe nuk ka urinë mbetëse të rëndësishme pas urinimit.
– Medikamentet si për shembull alfa-bllokuesit kur prostata është e vogël dhe simptomat dominohen nga shpeshtësia e urinimit, këtu mund të përmendim Tamsulosinën, Alfuzosinën etj. Bllokuesit e 5-alfa-reduktazës si për shembull: Finasteride i cili shkakton një “rrudhje” të prostatës, duke çuar kështu në një përmirësim të simptomave. Të dy klasat e medikamenteve mund të merren së bashku për 3-9 muaj për të dhënë një rezultat të shpejtë, derisa të vendoset se kush nga medikamentet të vazhdojë i vetëm.
– Kirurgjia e hapur (me bisturi) përdoret në pacientët, të cilët kanë indikacion për kirurgji dhe prostata është më > 80 – 100 gramë, TUR-p (rezeksioni trans-uretral i prostatës) tek pacientët me volum prostate < 80 gramme. Komplikacionet janë struktura në 3% të meshkujve, ejakulacioni retrograd i spermës për shkak të të heqjes së qafës së vezikës urinare, impotenca në 10 – 15% të meshkujve. Pas operacionit pacientët kanë një katetër urinar për disa ditë dhe pacienti del nga spitali pas 5 – 7 ditësh.

Kanceri i prostatës
Kanceri i prostatës është kanceri më i shpeshtë tek meshkujt. Në moshën 50 vjeç rreth 15% e prostatës përmban qeliza kanceroze dhe në moshën 80 vjeç 100% e prostatës ka qeliza kanceroze. Kanceri i prostatës është përgjegjës për 0.5% të vdekjeve në çdo grupmoshë 60-vjeçare.
Futja në përdorimin e përditshëm të PSA (analizë gjaku që zbulon nivelin e një antigjeni specifik për prostatën) ka bërë të mundur rritjen e zbulimit të kancerit të prostatës në vitet 90.
Kanceri që zbulohet nga një rritje e PSA apo një nodusi të fortë gjatë ekzaminimit rektal prostatik quhet kancer klinik.

Simptomat
Shumica e tumoreve të prostatës nuk shkaktojnë asnjë shqetësim dhe kjo për shkak të stadit të hershëm të tyre. Është pikërisht depistimi me anë të PSA-së që i vë në dukje këto tumore fillestare. Zakonisht kemi një dritare kohore 2-vjeçare nga momenti i shfaqjes së tumorit për zbulimin dhe trajtimin e tij. Në 10% të rasteve kanceri zbulohet nga ekzaminimi histo-patologjik i materialit të marrë pas një rezeksioni endoskopik të prostatës. Në stadet e avancuara të kancerit të prostatës mund të kemi shenja si:
– Prostatizmi – kompresioni i uretrës jep shenja të njëjta me ato të zmadhimit të prostatës.
-Obstruksioni rektal – në qoftë se tumori rrethon rektumin pacienti mund të ankojë për konstipacion apo dalje jashtë hollshëm.
– Uremia apo anuria mekanike – Obstruksioni ureteral mund të çojë në hidro-uretër dhe hidronefrozë dhe nëse është bilaterale në uremi dhe anuri mekanike.
– Dhimbje kockore – Në rastin e metastazave kockore pacienti mund të ketë shpesh dhimbje në nivel të vertebrave lumbare, pelvis dhe femur. Këto mund të cojnë deri në fraktura patologjike dhe shtypje të medulës spinale.

Diagnoza
PSA dhe ekzaminimi digital rektal duhet bërë tek të gjithë ato burra që janë mbi 45 vjeç dhe që kanë një histori familjare për kancer prostate apo tek ata burra të cilët e kanë PSA > 1 ng/ml në moshën 40 vjeç dhe > 2ng/ml në moshen 60 vjeç. Duhet thënë që depistimi masiv i popullsisë nuk është më i këshillueshëm, por po zbulohen metoda të reja të cilat arrijnë të gjejnë tumore agresive të prostatës tek pacientë të veçantë pa i shkaktuar stres dhe harxhime ekonomike një popullate të madhe.

Ekografia transrektale duhet bërë tek ata pacientë në të cilët kemi rritje të pashpjegueshme të PSA-së apo kemi një ekzaminim digital rektal të dyshimtë. Në këtë rast ekogjeniciteti i prostatës do ndryshojë dhe zonat e dyshimta do duken hipoekogjene. Nëse të gjitha konditat e mësipërme mblidhen atëherë pacienti duhet t’i nënshtrohet detyrimisht një:
– biopsie të prostatës, e cila është ekzaminim ambulator, jo shumë i dhimbshëm dhe sidomos nuk shkakton asnjë përhapje të tumorit siç është ngulitur në mentalitetin e shumicës së popullatës tonë.
– Skaneri është një ekzaminim i mirë për zbulimin e gjëndrave limfatike të zmadhuara dhe infiltrimin e tumorit në vezikulat seminale apo përhapjen në mëlçi dhe organe të tjera.
– Rezonanca magnetike është shumë e ndjeshme në kancerin e prostatës sidomos për të parë nëse ka prekje të kapsulës prostatike.
– Shintigrafia kockore përdoret në rastet e dyshimit për metastaza kockore.

Trajtimi i kancerit të prostatës varet nga personi i diagnostikuar me këtë sëmundje që do të thotë të merret parasysh historia familjare, jetëgjatësia dhe stadi i sëmundjes (pra stad i lokalizuar apo metastatik).

Në rastin e stadit të lokalizuar dhe duke e ndarë në grupe risku pacientin mund të propozohet:
a) pritje (ëatchful ëaiting) ose ndjekje aktive,
b) prostatektomi radikale që është operacion për heqjen e të gjithë prostatës (në stadin kur pas interventit nuk kemi kufij të prekur nga qelizat tumorale gjatë ekzaminimit histologjik mund të themi që shërimi i sëmundjes është gati 100%).
c) Radioterapi
d) Kriokirurgjia
e) Trajtimi me terapi me ultratinguj me intensitet të lartë (ablaterm)
Në rastet e avancuara lokalisht apo metastatike mund të përdorim manipulimin hormonal (anti-androgjenikët, agonistët e LHRH, antagonistët e LHRH), kastracionin kirurgjikal (orkidektomia apo pulpektomia), kur kemi një rezistencë ndaj hormonoterapisë përdorim kimioterapinë dhe në rastin e metastazave kockore të dhimbshme përdoret radioterapia.

Please follow and like us: