Albspirit

Media/News/Publishing

QEMAL POÇI, BIRI I FUSHËBARDHËS, SHKENCËTAR I TOKSIKOLOGJISË SHQIPTARE

(In memoriam për profesorin e mençur të toksikologjisë, për njerëzorin, modelin e labit, shkencëtarin ushtarak, krijuesin, birin e Fushëbardhës, Qemal Poçi, që u shua këtë mesgushti të vitit 2026, që mbeti i pashlyer në kujtesën e ushtarakëve, të Shoqatës “Fushëbardha” dhe “Labëria”, të miqve e shokëve dhe të bashkëfshatarëve, si model i mirësisë njerëzore, një emër i pashoq shoqëror, një familjar i përkushtuar, gjysh i dashur dhe krijues mendjemprehtë, me dritë në shpirt, një lis i Fushëbardhës e i Labërisë, që me trashëgiminë që la do të vijojë të ndriçojë mendimin shkencor toksikologjik shqiptar).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Një jetë e tërë në shërbim të dijes dhe Atdheut

Qemal Poçi, biri i Fushëbardhës, ushtarak shembullor, shkencëtar dhe mjeshtër i toksikologjisë shqiptare, bën pjesë në ata njerëz që, edhe pse ikin nga kjo jetë, emri i tyre mbetet në kujtesën e njerëzve, në institucionet ku kanë punuar. Ai do të ngelet në librat dhe studimet që kanë lënë pas dhe, mbi të gjitha, në brezat që kanë mësuar prej tyre. Prof. Qemal Poçi është një prej këtyre njerëzve, që etiketohen me të drejtë të rrallë për nga mirësia njerëzore, por dhe mjaft i aftë profesionalisht. Nëse depërtojmë në të dhënat historike të babait të Qemalit, Hadër Poçi, ai ishte i biri i Poço Xhuvanit (Poçit). Gjyshi i Qemalit, plaku i urtë, i besës dhe i pushkës, i njohur për trimëri dhe mençuri, kishte lindur në vitin 1842, në Fushëbardhë të krahinës së Kardhiqit. Ai jetoi, punoi dhe luftoi në Fushëbardhë dhe në të gjithë Labërinë. Atje prehen eshtrat e tij. Ndërsa Habili, babai i Qemalit, gjatë gjithë jetës përcolli aftësi të spikatura e cilësi të trashëguara si luftëtar, punëtor, shumë i shoqërueshëm dhe që mbijetoi nga shtypja osmane deri në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore. Qemal Poçi u lind në vitin 1929, ndërkohë që, kur ishte vetëm 5 vjeç, në vitin 1934, i ndërroi jetë nëna, Sherife Qënaj/Poçi, nga Progonati. Ai u rrit dhe u burrërua mes shumë halleve dhe ndoqi rrugën e të vëllait, duke veshur uniformën partizane që kur ishte ende i parritur mirë, pas vëllait të tij, Dilaverit. Për më shumë se tri dekada, jeta e tij profesionale u lidh ngushtë me shërbimin veterinar ushtarak e civil, me kërkimin shkencor, me mësimdhënien dhe me përgatitjen e brezave të rinj të specialistëve. Përtej titujve, gradave dhe detyrave, Qemal Poçi ishte një njeri i lidhur fort me vendin dhe me rrënjët e veta. Ai lindi në Sarandë, por mbeti përgjatë gjithë jetës biri i Fushëbardhës, biri i asaj treve të Gjirokastrës që ka nxjerrë ndër breza njerëz të ditur, punëtorë, atdhetarë dhe të përkushtuar ndaj dijes dhe shkencës. Në historinë e tij personale, rruga nga vendlindja dhe rrënjët familjare drejt akademive të mëdha, ushtrisë dhe shkencës shqiptare përbën një udhëtim që meriton të kujtohet. Pas përfundimit të Teknikumit Bujqësor, në vitin 1950 kaloi në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe u dërgua për studime në Moskë. Në vitin 1956 përfundoi me Medaljen e Artë studimet në Fakultetin e Veterinarisë Ushtarake pranë Akademisë së Veterinarisë të Moskës. Kjo ishte vetëm pikënisja e një karriere të gjatë. Në vitin 1952 ishte titulluar oficer. Në vitet 1956 dhe 1957 kreu një specializim dymbëdhjetëmujor në Laboratorin Didaktiko-Shkencor të Akademisë së Veterinarisë së Moskës për mbrojtjen kundër lëndëve kimike veterinare. Krahas specializimit, kreu edhe një studim shkencor, rezultatet e të cilit u botuan në Moskë dhe në Shqipëri. Kështu nisi një rrugëtim profesional që do ta kthente Qemal Poçin në një nga specialistët më të njohur shqiptarë të toksikologjisë veterinare, mjeshtër kërkimesh dhe qytetar model. Qemal Poçi, i cili u nda nga jeta më 14 gusht 2026, në moshën 97-vjeçare, ishte një prej figurave të rëndësishme të mjekësisë veterinare dhe të toksikologjisë shqiptare. Ai mbante gradën ushtarake “nënkolonel” dhe më tej ka qenë Doktor i Shkencave Veterinare dhe Profesor i Asociuar.

*

Ushtaraku që e ktheu detyrën në dije, burri i mençur dhe vlerë e Labërisë

Jeta e Qemal Poçit është e vështirë të ndahet në mënyrë të prerë midis ushtarakut, shkencëtarit dhe qytetarit. Për këto fusha, ai kishte një përmasë të përbashkët: përgjegjësinë dhe korrektësinë. Si ushtarak, ai shërbeu në strukturat e mjekësisë veterinare dhe mbajti detyra të rëndësishme. Arriti gradën e nënkolonelit dhe shërbeu në Spitalin Qendror Veterinar, në struktura të ushtrisë dhe në institucione të tjera ku kërkohej ekspertiza e tij. Por ushtria, për Qemal Poçin, nuk ishte vetëm një uniformë dhe një detyrë. Ajo ishte edhe një terren ku ai e kuptoi se dija shkencore duhej të vihej në shërbim të mbrojtjes së jetës. Specializimi në toksikologjinë ushtarake dhe në mbrojtjen kundër lëndëve kimike e çoi drejt një fushe të veçantë, në të cilën Shqipëria kishte nevojë për specialistë të mirëfilltë. Ai punoi për problemet e mbrojtjes kundër lëndëve helmuese luftarake, për klinikën e helmimeve, profilaksinë, trajtimin, degazimin dhe masat mbrojtëse. Për shtatëmbëdhjetë vjet, sipas dëshmisë së tij, ai punoi intensivisht në studimin e Zarinës dhe të efekteve të saj toksike, duke e lidhur këtë punë me përgatitjen e masave mbrojtëse. Puna e tij shkencore u shtri në eksperimente, kërkime dhe mësime treguese e metodike për specialistë, studentë dhe struktura të ndryshme. Kjo veprimtari duhet parë në kontekstin e kohës ku jetoi dhe kreu aktivitetin e tij. Ishte një periudhë kur përgatitja kundër rreziqeve kimike konsiderohej pjesë e rëndësishme e mbrojtjes ushtarake dhe civile. Në këtë fushë, Qemal Poçi u bë një nga specialistët shqiptarë me përvojën më të gjatë. Qemal Poçi zhvilloi 105 mësime treguese, 14 stërvitje në bazë rrethimi dhe 10 stërvitje kombëtare për mbrojtjen nga lëndët helmuese luftarake (LHL). Këto veprimtari u zhvilluan në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe përfshinë studentë, specialistë, ushtarakë dhe punonjës të ekonomive bujqësore. Kjo ishte edhe ana profesionale e ushtarakut, ndërkohë që pas saj qëndronte gjithmonë mendja e studiuesit.

*

Shkencëtari që kërkonte zgjidhje aty ku të tjerët shihnin vështirësi

Qemal Poçi nuk ishte një specialist që mjaftohej me atë që kishte mësuar. Ai e solli dijen në Shqipëri dhe kërkoi ta kthente në zgjidhje konkrete. Është më se kuptimplotë ajo që thotë Islam Poçi në gazetën “Fushëbardha”: “Secili nga Poçajt ka çarë vetë, me punën, me djersën dhe me meritat e tij”, dhe këtu ka parasysh edhe Profesor Qemalin. Fakt është se një prej dëshmive më të rëndësishme për këtë është puna e tij për prodhimin e antibiotikëve në Shqipëri. Në vitin 1957, gjatë qëndrimit në Moskë, ai u këshillua me akademikun Mozgov, një prej figurave të njohura të farmakologjisë veterinare botërore. Në atë kohë, Shqipëria nuk kishte laboratorë dhe struktura të zhvilluara për prodhimin e antibiotikëve. Qemal Poçi e kuptoi se kjo fushë mund të kishte rëndësi të madhe për veterinarinë dhe më gjerë. Prandaj, në vitin 1960, propozoi që në Shqipëri të ndiqej puna për prodhimin e antibiotikëve. Propozimi u diskutua në institucionet përkatëse dhe më pas, pas disa vonesash, nisi puna konkrete. Në vitin 1971, në kushte laboratorike pranë strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, u punua për përvetësimin e metodës së prodhimit të terramicinës dhe të preparatit të quajtur prej tyre “920”, të cilin e trajtuan si eritromicinë. Eksperimentet laboratorike, sipas dëshmisë së tij, dhanë rezultate të suksesshme në prodhimin e shtameve. Më pas, puna u zhvendos në Spitalin Qendror Veterinar, ku u organizuan përpjekje për prodhim të zgjeruar. Nuk ishte një rrugë e lehtë. Kishte probleme me sterilitetin, infektimin e terreneve, identifikimin e myqeve, ruajtjen e shtameve dhe mënyrën e prodhimit në shkallë më të gjerë. Por pikërisht këtu duket një nga tiparet e Qemal Poçit si shkencëtar: këmbëngulja për të mos u ndalur te pengesa e parë. Ai punoi edhe me specialistët e Institutit të Kërkimeve Veterinare për përvetësimin e proceseve të ndryshme të prodhimit dhe përcaktimin e cilësisë së preparateve të prodhuara. Puna e tij në këtë drejtim përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë së kërkimit veterinar shqiptar. Ajo tregon për përpjekjen e një brezi specialistësh për të krijuar dije dhe kapacitete vendase në një kohë kur Shqipëria kishte mungesa të mëdha në laboratorë, pajisje dhe teknologji.

*

Toksikologjia, fusha ku emri i tij u bë i veçantë

Është fakt i njohur edhe nga kolegët e tij të punës se emri i Qemal Poçit lidhet, mbi të gjitha, me toksikologjinë. Ai ishte ndër themeluesit e Toksikologjisë Veterinare në Shqipëri. Përmes kërkimeve të tij u trajtuan probleme të helmimeve të kafshëve, të mbrojtjes nga lëndët kimike, të mjekimit dhe të masave parandaluese. Disertacionin për gradën “Doktor i Shkencave” e lidhi me studimin e Zarinës. Për këtë punë, sipas dëshmisë së tij, u kryen eksperimente në qindra kafshë, përfshirë lepuj, qen dhe kuaj. Në një periudhë shumëvjeçare, ai studioi efektet klinike të helmimit, profilaksinë, mjekimin specifik dhe degazimin. Kjo punë kërkimore nuk mbeti vetëm në laborator. Ajo u kthye në mësim dhe në përgatitje profesionale. Qemal Poçi u përpoq t’u transmetonte specialistëve dhe studentëve atë që kishte mësuar gjatë dekadave të punës. Në këtë kuptim, vepra e tij nuk matet vetëm me kërkimet që kreu, por edhe me njerëzit që formoi. Në një profesion ku dija kërkon vite të tëra për t’u ndërtuar, ai e kuptonte rëndësinë e trashëgimisë. Shkenca nuk kishte vlerë vetëm nëse qëndronte te studiuesi. Ajo duhej t’u kalonte të tjerëve. Prandaj, emri i tij mbetet i lidhur edhe me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare dhe me brezat e mjekëve veterinerë që mësuan prej tij. Qemal Poçi ishte dhe mbeti profesori dhe mësuesi i shumë brezave toksikologë. Pas ushtarakut dhe studiuesit qëndronte profesori i toksikologjisë, gjithmonë i papërtuar. Puna e drejtpërdrejtë ishte auditori i tij dhe në marrëdhëniet me kolegët e veprimtarisë së përditshme. Qemal Poçi nuk transmetonte thjesht njohuri të marra nga librat, por sillte përvojën e një jete të tërë pune, eksperimentimi dhe shërbimi. Një shtetar i mirë nuk është vetëm ai që di shumë. Është ai që di ta përcjellë dijen. Është ai që i mëson breza e breza të tërë të kërkojnë, të dyshojnë, të provojnë dhe të mos kënaqen me përgjigjen e parë. Në këtë aspekt, Qemal Poçi la një gjurmë të veçantë. Ai ishte pjesë e një brezi që ndërtoi një pjesë të rëndësishme të veterinarisë shqiptare në kushte tejet të vështira. Shumë prej institucioneve ku ai punoi ishin ende në zhvillim. Laboratorët ishin të kufizuar, pajisjet ishin të pakta dhe mundësitë për kërkime ishin larg standardeve të sotme. Por ai dhe kolegët e tij punuan me atë që kishin. Dhe pikërisht për këtë, kontributi i tij duhet parë edhe si histori e një brezi që besonte te puna, te përgatitja profesionale dhe te kërkimi shkencor.

*

Biri i Fushëbardhës historike

Ka edhe një anë tjetër të Qemal Poçit që nuk mund të lihet mënjanë, ku, përtej Delvinës, Sarandës, Kukësit, Moskës, laboratorëve, spitaleve, institucioneve ushtarake dhe auditorëve, ishte Fushëbardha, fshati i prindërve, krahina luftarake dhe e punës, e njerëzve të zgjuar e hokatarë, vendi ku vëllai i tij, Dilaveri, themeloi të parën çetë partizane lavdiplotë, që shkroi faqe lavdie në luftën për lirinë e Atdheut. Ishte ajo lidhje me vendin e origjinës që e shoqëroi përgjatë jetës. Për njerëzit e një fshati, një bir që del në jetë, studion, bëhet specialist dhe nderon emrin e vendit të vet është gjithmonë më shumë se një individ. Ai bëhet pjesë e kujtesës së komunitetit fushëbardhas, pasi ka dhënë edhe intervista në gazetën “Fushëbardha”. Qemal Poçi ishte një nga ata bij që e çoi emrin e vendit të tij shumë më larg kufijve të trevës ku kishte rrënjët. Nga Fushëbardha në Tiranë e në Kukës, sërish në Tiranë dhe deri në Moskë, nga studimet ushtarake drejt laboratorëve, nga shërbimi veterinar drejt kërkimit shkencor, nga përvoja e një oficeri drejt autoritetit të një profesori. Ky është udhëtimi që sot duhet të kujtojmë. Fushëbardha mund ta kujtojë jo vetëm si një figurë të njohur të shkencës shqiptare, por si një bir të saj që e jetoi jetën me punë dhe përgjegjësi. Në jetën e tij kishte edhe histori njerëzore që e lidhnin me një brez të tërë shqiptarësh të dalë nga lufta dhe të përfshirë më pas në rindërtimin e vendit. Një prej dëshmive më të bukura është fotografia e nëntorit 1945 në Kukës, ku Qemal Poçi shfaqet si korrier i shtabit të Brigadës XI Sulmuese, në krah të figurave të tjera të njohura të asaj kohe, mes tyre edhe historianit Kristo Frashëri. Është një copëz historie, kur Qemal Poçi i ri, shumë larg profesorëve dhe titujve që do të merrte më vonë, nisi një jetë të gjatë dhe një rrugë që do ta çonte drejt shkencës dhe shërbimit profesional.

*

Një jetë mes shërbimit, shkencës dhe kujtesës

Qemal Poçi i përkiste një brezi që e ndërtoi identitetin profesional vetëm përmes punës dhe meritës. Ai ishte ushtarak, por nuk mbeti vetëm ushtarak, pasi ishte edhe veteriner, por nuk mbeti vetëm veteriner. Ai ishte edhe studiues, por nuk e mbajti dijen vetëm për vete. Ishte profesor, por nuk e pa dijen si një privilegj personal dhe në shërbim personal. Mbi të gjitha këto role kishte një vijë që i bashkonte: shërbimin ndaj profesionit, shkencës, institucioneve ku punoi dhe vendit. Kjo është ndoshta mënyra më e drejtë për ta përmbledhur jetën e tij. Ai jetoi në një kohë ndryshimesh të mëdha, që pa nga afër Shqipërinë e pasluftës, zhvillimin e strukturave ushtarake, përpjekjet për të ngritur institucionet kërkimore dhe universitare, si dhe transformimin e veterinarisë shqiptare. Në secilën prej këtyre periudhave ai la diçka pas: një studim, një metodë, përvojë, kujtime dhe, mbi të gjitha, një emër të mirë dhe të respektuar. Ai ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit njeri i botës së librit, që shkroi dhe hulumtoi gjithë jetën. Madje, në të gjallë të tij, erdhi në shtëpinë botuese “Toena” për merakun e faqosjes së librit të vëllait të tij, gjeneralit të nderuar të fshatit Fushëbardhë Dilaver Poçi. Nga ana tjetër, ai ngeli kaq njerëzor, human dhe dashamirës, sa gëzonte për çdo progres të kolegëve dhe angazhohej seriozisht në problemet më shqetësuese të vendit në fushën e tij, si në gazeta, ashtu edhe në televizione.

*

Homazh, nderim dhe përkujtim i shkencëtarit toksikolog Qemal Poçi

Qemal Poçi nuk është më mes nesh, por vetëm fizikisht. Është e pamundur të mos ndjesh peshën e një jete 97-vjeçare që po i afrohej shekullit. Jeta e tij nisi nga rrënjët familjare e shqiptare dhe u zgjerua përmes dritës së dijes. Jeta e tij kaloi nëpërmjet uniformës ushtarake, laboratorëve shkencorë, spitaleve veterinare etj. Ai iu përkushtua toksikologjisë dhe mjekësisë veterinare në një kohë kur shumë prej këtyre fushave ishin ende në fillimet e tyre në Shqipëri. Homazhi, nderimi dhe respekti më i madh për Qemal Poçin nuk është vetëm të numërosh titujt, gradat dhe detyrat, por të mos harrosh njeriun që qëndronte pas tyre: njeriun e punës, studiuesin këmbëngulës, ushtarakun e përkushtuar dhe të sakrificës, birin e Fushëbardhës që e mbajti me vete kudo ku punoi, jetoi dhe studioi, vendin e origjinës. Qemal Poçi e kaloi pjesën më të madhe të jetës duke besuar se dija kishte kuptim vetëm kur i shërbente jetës dhe shoqërisë. Në historinë e mjekësisë veterinare shqiptare, emri i Profesor Qemal Habil Poçit do të mbetet i lidhur me zhvillimin e toksikologjisë dhe me përpjekjet për ta ngritur kërkimin shkencor në një nivel më të lartë. Në kujtesën e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve do të mbetet shkencëtari, në kujtesën e atyre që e njohën në uniformë do të mbetet ushtaraku. Dosja e tij është në QPR dhe mbetet objekt studimi për fushat e kërkimit shkencor, ndërkohë që është, në të njëjtën kohë, edhe dosja e shkencëtarit toksikolog shqiptar. Për Fushëbardhën do të mbetet biri i saj, një bir që eci larg, por nuk u nda nga rrënjët. Qemal Poçi e mbylli rrugëtimin e tij jetësor, por jeta e një njeriu nuk mbyllet me ditën kur ai ndahet nga ne, pasi vijon me trashëgiminë që ka lënë pas, në kujtesën e njerëzve dhe në brezat që mbajnë më tej atë që ai ndërtoi. Ndarja nga jeta e Prof. Qemal Poçit është një humbje për familjen, për miqtë dhe kolegët, për ne, miqtë e tij, por edhe për komunitetin veterinar dhe shkencor shqiptar. Nderim, mirënjohje dhe homazh për Qemal Poçin e Fushëbardhës dhe të mbarë Labërisë, që shkoi në përjetësi! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!