Albspirit

Media/News/Publishing

Basha propozon Reformë Kushtetuese: I jep fund pazareve të qeverisjes, qytetarët të kenë levat e kontrollit të pushtetit

Kreu  i Partisë Demokratike Lulzim, Basha, i ftuar në emisionin “Top Story”, tha sonte se listat e kandidatëve për deputetë kanë të bëjnë me ripërtëritjen e partisë dhe sipas tij, lista është përshëndetur dhe pritur me entuziazëm nga të gjithë.

“82% e kandidatëve nuk kanë qenë kurrë deputetë. Nga pikëpamja e ripërtëritjes kjo është mjaft e qartë. Kemi të bëjmë me qarkullim elitash dhe kjo bëhet me largimin e politikanëve të vjetër. Kandidatët e rinj janë njerëz të spikatur në politikë, shoqërinë civile e akademike. Ndryshimi është zhvillimi, përparim. Çdo institucion, sidomos partitë  duhet të përqafojnë ndryshimin. Kjo listë përfaqëson ekipin më të mirë dhe vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare”, tha ai.

Në lidhje me lënien në listë të ish-kryeministrit Sali Berisha që bie ndesh me vendimin e Bashës për ripërtërimin e Partisë Demokratike, ai tha se e ka lënë në listë, për shkak të kontributit që ka dhënë.

“Sali Berisha vjen aty si një kandidat për deputet. Çfarëdo sistemi që të kisha zgjedhur unë, ai do të ishte aty në listë. Ai ka dhënë kaq shumë për demokracinë, ekonominë, arsimin, shkollat, shëndetësinë. Në këtë kuptim, me gjithçka që ai përfaqëson, ai ka një vend në Partinë Demokratike. Ky ka qenë vetëm vendimi im”, argumentoi Basha.

Duke folur për marrëveshje PS-PD, Basha tha se “marrëveshja parashikon fundin e Republikës së Vjetër. Reforma Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore, votimi dhe numërimi elektronik, dhe nuk janë asgjë më pak se kapitullim i kësaj republike. Me Reformën Kushtetuese ne do t’i japim fund pazareve të qeverisjes, pasi qeveria s’mund të jetë një tepsi që palët ndajnë atë ç’ka brenda tepsia. Rama është i detyruar të pranojë reformën kushtetuese, e cila do të garantojë që qytetarët të kenë levat e kontrollit të pushtetit”, theksoi Basha.

Sipas tij, duhet të marrë fund kjo mënyrë sjelljeje e klasës politike. “Deputetët duhet të zgjidhen drejtpërdrejtë nga populli. Në Kushtetutë do të sanksionojmë parimin e thërritjes mbrapsht të pushtetarit, që do të thotë se nëse një pushtetar abuzon me pushtetin, atëherë qytetarët s’kanë pse të presin 4 vjet për ta larguar. Qytetarët do të kenë të drejtën që të kërkojnë largimin e këtij pushtetari dhe do të zgjedhin dikë tjetër”, tha Basha.

Ai shtoi se personalisht mbështet sistemin mazhoritar, por këmbënguli në aplikimin e doktrinës së thërritjes mbrapsht të deputetit apo zyrtarit, duke e shkarkuar atë, para përfundimit të mandatit.

“Mendoj se nga ky parim nuk mund të shpëtojë as Kryeministri”, theksoi Basha.

Please follow and like us: