May: Koha është t’i themi “mjaft” terrorizmit
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se ka ardhur koha të themi “mjaft më” kur kemi të bëjmë me terrorizmin. “Ne nuk mund të pretendojmë se gjërat mund të vazhdojnë ashtu siç janë”, tha sot zonja May, pasi nga sulmi terrorist mbrëmë vonë në Londër, janë vrarë 7 vetë dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Tre persona të dyshuar me një furgon kanë depërtuar në shtegun e këmbësorëve në London Bridge, mbrëmë vonë, dhe pastaj i kanë therrur me thikë disa njerëz në afërsi, para se të qëlloheshin për vdekje nga policia. Në deklaratën televizive, kryeministrja, Theresa May, tha se sulmuesit bartnin jelekë të rrejshëm eksplodues për të përhapur frikë dhe panik. Pjesa më e madhe e partive politike e kanë pezulluar fushatën për zgjedhjet e përgjithshme pas këtij sulmi, por zonja May tha se votimet do të mbahen ashtu siç është e paraparë, më 8 qershor. “Dhuna kurrë nuk do të lejohet ta shkatërrojë procesin demokratik”, tha ajo. Ky ishte sulmi i tretë terrorist në Britani, prej 22 marsit, kur ndodhi një sulm i ngjashëm në Westminster Bridge, dhe më 22 maj, kur një sulmues vetëvrasës i vrau 22 vetë në Mançester.