Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Lufta e enveristave karshi Enverit

 

 

 

 

1) Eshte koha të themi, kjo fal kësaj shërrnaje demokrate… se humbja e PD-së nuk mund t’i faturohet më, vetëm Bashës. Madje Bashës i duhet hequr kapelja për këtë rezultat. Dhe duhet shkundur e kujtuar. Mjaft më nën çadër, nën rrebesh pështymash. Kuitjesh, krakëllima legenash e uturakësh. Paska qënë diku tjetër orgjia e saj. E humbjes. Pikërisht te ky legenizimi total i ”demokratëve” që ngulin e shkulin prasë midis ngrirjes dhe dorëheqjes, standarteve, familjarëve në parti etj. Si kunati, vjehrri, krushku, vëllai… një moral legenash që koha po e verteton më së miri.

PD-ja paska humbur që nga momenti kur Basha u zgjodh kryetar. Sigurisht me mbështjen e plot të Berishës. Dhe berishistëve që sot po dalin sa të tillë, aq edhe fashista, aq edhe enverista. Të gjithë flasin për standarte. Dhe shtrëmbërojnë buzët. Megjithëse në këto 27 vjet demokraci. Apo histori zgjedhjesh. Kurrë nuk i përmendën. Kurrë nuk i kërkuan tek ishët. Kurrë nuk i përmënden me çunat e komunistëve që nderonin me grusht tek temthi. Kurrë tek çunat e liderëve që sot janë miliarderë dhe subjekte filmi në Hollywood. Kurrë tek dhëndurrët, krushqit. Apo tek të dashurit e gocave që u bënë deri atashe. Dhe sot i gjejnë tek Basha dhe kunati i tij. Kjo nuk quhet më, jetë militante me dy standarte, por me më shumë se dy fytyra. Ndaj them që etapa e dytë, pas kohës së gjuajtjes me gurë. Eshtë kjo, koha e legenave.

2) Në historinë e zgjedhjeve tona. Ka pasur një alibi krejt absurde. Justifikimi i humbjes me vjedhjen e votës. Të gjithë liderët e deritanishëm. Përfshi këtu edhe kryeministrin aktual. E kanë justifikuar humbjen me faktin e vjedhjes. Dhe këto vitet e fundit me shitjen dhe blerjen e saj. Them absurd, pasi kushdo që ka përjetuar orë korridoresh partie. E di fare mire se të gjitha këto strategji janë sa të parapërgatitura. Aq edhe të sulmuara. Të gjithë kërkonin ndihmën e të fortëve. Madje u qeshte fytyra kur shikonin më në fund praninë e tyre në derë. Aq sa militanti intelektual, nën vetullat e vështrimit të të fortit, dukej një mendje bythë. Ky i dyti i nënshtrohej verbërisht një binjde se ai kundërshtari ishte vërtet një pocaqi kriminel dhe shushunjë enveriste. Ndërkohë që e vërteta qe ajo, që të dyja palët. I forti dhe shefi, vinin nga kjo shkollë. Nga ato bindje. Për rrjedhojë edhe atmosfera do i ngjante asaj në kushtet e punës së detyruar. Kur njeriu ia merrte shpirtin njeriut nën emrin e diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Kjo u bë vazhdë dhe sot është një kulturë gangrenë e demokracisë sonë. Të gjithë besonim verbërisht se zgjedhjet vidheshin. Megjithëse botërisht e dinim mirë, se edhe ne, planin për të fituar zgjedhjet me vjedhje e kishim. Por dështuam. Nga ana tjetër fitonim përvojën e justifikimit. Zgjedhje pa standarte. Zgjedhjet u shitën. Zgjedhjet u vodhën etj.

3) Sot përshembull Sali Berisha po i thotë një ndjeksi të tij në FB se nuk e uroi Edi Ramën për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. Në fakt ashtu është pjesëmarrje tepër e ulët. Një pjesëmarrje për të qarë hallin. Por pas përvojave politike, pas kërkimeve, ka një përfundim. Që pjesëmarrja e ulët ndodh kur njerëzit nuk i besojnë më politikanëve të tyre. Të thuash që vet Berisha nuk bën pjesë në këtë përfundim social, është si me ja fut vetes. Nga njëzetë e shtatë vjet demokraci. Ka qeverisur dymbëdhjetë. Dhe ka drejtuar njëzetë e dy vite partinë. Megjithatë 99% e administratës partiake, nuk i përmendi statutin. Dorëheqjen, apo familjen … askush. I besuan të gjitha, vjedhjen e votes. Mashtrimin qytetar. Manipulimin etj. Kush ia përmendi, ai një apo dyshi, iku emigrant në Amerikë. Kurse sot këta 99-përqindshat kanë marrë zjarr e flak. Dhe i kujtojnë Bashës statutin. Dorëheqjen. Standartet europiane etj.

Sa paradoksalë që jemi. Sa absurd?!

E ngritëm një kulturë me mashtrim të vetvetes, tani kërkojmë ta zhbëjmë me shurrë.

4) Mbrëmë në një studio televizive, pashë përshembull Patozin. E them që në krye, më vjen keq që emra si ai, apo si Blushi do i mungojnë kuvendit të shqiptarëve. Patozin e kam ndjekur edhe në shkrime. Një elegance për tu patur zili. Po ndryshe në një studio ku ankohej me atë devizën e shqiptarit gjynahqar. Që, unë kështu e ashtu, unë nuk kam luftuar për vete, as për këtë e as për atë. Eshtë një lloj qaravitje shqiptare. Nuk ka arritje me qaravitje dhe justifikim hapje krahu, a dorëzimi. Apo përmendje standartesh. Futje sëmundjesh etj. PD-ja nuk është e sëmurë. Eshtë më keq se kaq. Në PD ka rënë epidemija për shkak të trashëgimisë. Arritja eshtë e ftohtë. Bëhet me gjoks, jo me naivitet shqiptari.

Dhe standartet, jo vetëm ti, por çdo bir pd-je do bënte mire t’ia kujtonte më së pari liderit shpirtëror. Shumë nga ne akoma nuk po duan ta kuptojnë se, jemi infektuar aq keq, sa do duhet një karantinë e gjatë për tu shëruar. Dhe kjo nuk ndodhi në katër vjet. Epidemitë shkaktohen nga mbartja. Nga koha … flen dhe zgjohen. Luftohen, flen prapë. Por kurrë nuk vdesin. Dhe për këtë pyesni Berishën se është mjek. Dhe e njeh fare mire sojin e kolerës. Një lloj epidemie klasike.

Të urosh kundërshtarin është praktikë normale në një vend normal. Të heshtësh është praktikë e kolerës që thotë jeni popull dhe rroftë populli kur më votoni mua. Dhe jeni mut, e u bëfshi mut, kur nuk më votoni mua.

Kjo ndodh veç tek ne, dheun e paradoksit.

5) Në vitet e para të demokracisë. Soji që krijoi këtë antikulturë. Prirej që dështimet e veta, para nesh, t’i mbulonte edhe me propogandë. Një e më dy ai apo ky janë enverista. Eshtë për të ardhur keq që edhe pas kaq vitesh, shqiptarëve u serviren këto prroçka propogande. Sepse karshi të gjitha dëshmive dhe mënxyrave midis njëri-tjetrit. As vëllai vëllait nuk i kërkoi ndjesë. As profesori, profesorit. As intelektuali, intelektualit. Jo më shtetari, shtetarit. Paradoksi më i madh përshembull, fillon nga Edi Rama. Një djalë nomeklature që bën propogandë me vargjet e Fishtës. I bukuri poet, nuk është asnjë gjë tjetër, shembulli i gjallë, produkti i luftës së klasave të babait. Shpërbërë e denigruar prej etërve të Edi Ramës. Mirëpo ne na argëtojnë këto gjëra. Në vend që të ulemi atje në shesh, të kapim duart, të qajmë mënxyrat që i shkaktuam dhe po i shkaktojmë njëri-tjetrit. Bëjmë akoma propogandë…u shërbëjmë propoganduesve. Më zi se Enveri dhe më zi se Hitleri, sa kohë që bëhemi robër të njëshave. Dhe sa kohë e lëm veten të përdoremi. Merremi me humbje kohe me shumicë. Kërkojmë jo të bëjmë dallimin midis ngrirjes dhe dorëheqjes. Por të përmbushet qejfi jonë shtazarak, i filozofisë, kështu dua dhe ma ka qejfi mua.

Ndaj e gjitha është po ajo, lufta e enveristave karshi enverit. Lufta e shushunjave, e legenëve dhe e uturakëve.

 

Please follow and like us: