Albspirit

Media/News/Publishing

Kambanat e alarmit në ekonomi dhe realiteti virtual i qeverisë!

ekonomiaEkonomia shqiptare po futet në një rreth vicioz. Biznesi i vogël me 1-4 të punësuar, që përbën 90% të sipërmarrjeve shqiptare, po vuan pasojat e rimodelimit të ekonomisë, tkurrjes së konsumit e presionit të lartë fiskal. Sipërmarrjet e mëdha vendase po e gjejnë veten jo konkurruese përballë taksave të larta, por edhe zgjedhjeve të pamenduara mirë në biznes. Investitorët e huaj dhe shoqatat e tyre po e thonë hapur që Shqipëria, jo vetëm që nuk është interesante për ta, por edhe sipërmarrësit aktualë po tentojnë largimin. E gjitha kjo përballë indiferencës së qeverisë, që këmbëngul që gjithçka shkon mirë…

Nga Ornela Liperi dhe Blerina Hoxha, Monitor

Dyqanet e vogla të tregtisë, që ndodhen në një distancë me një perimetër prej 10 minutash larg nga një supermarket i hapur rishtazi vuajnë një rënie të ndjeshme të shitjeve, sipas një studimi të pak viteve më parë. Dhe teksa rrjeti i organizuar i tregtisë me pakicë dhe qendrave tregtare ka marrë përhapje të gjerë në vend dekadën e fundit, një zhvillim normal ky, bizneset e vogla morën goditjen e parë.  Konsumatorët po i largohen çdo ditë e më shumë dyqaneve “të lagjes”. Zhvillimi i qendrave të mëdha dhe supermarketeve ishte një dukuri e pashmangshme. Supermarketet ofrojnë kushte më të mira tregtimi higjieno-sanitare, çmime më të ulëta, më shumë shumëllojshmëri produktesh, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve, si dhe më shumë ulje në formën e ofertave të vazhdueshme dhe eventeve promocionale.  Një nga pikat e forta të njësive të mëdha tregtuese në vend është produktiviteti i lartë që kanë në raport me njësitë e vogla. Sipas të dhënave të anketës strukturore të INSTAT për vitin 2014, produktiviteti i njësive tregtuese me 1-4 punonjës është 7 herë më i ulët se ato me 10-49 punonjës.

Por, kjo tendencë, në këndvështrimin e konkurrencës te biznesi i vogël tregtar po rezulton gjithnjë e më problematike për shkak të peshës së rëndësishme që kanë njësitë e vogla tregtare në punësim dhe sidomos vetëpunësim. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2014, rezulton se rreth 44% e totalit të vetëpunësuarve janë të vetëpunësuar në tregti me pakicë. Ndërsa në totalin e të punësuarve në vend, të vetëpunësuarit në tregti zënë rreth 11% të tyre. Sipas Anketës Strukturore të INSTAT, për vitin 2014, tregtia me pakicë ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 52 mijë, nga të cilët 30 mijë, apo 60% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët.

Në fakt, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.

Sipas të dhënave të INSTAT, 89% e ndërmarrjeve kanë 1-4 të punësuar. Teksa kontributi i tyre në shitjet në ekonomi është i ulët (realizojnë 14% të totalit të shitjeve në vend), roli i tyre është shumë i madh në punësim. Në bizneset e vogla marrin të ardhura gati një e treta e të punësuarve në vend.

Monitor 732

Monitor 732

Goditja e dytë për bizneset e vogla është tkurrja e konsumit. Të dhënat zyrtare tregojnë se konsumi privat ra me 0.2% në 2015-n për herë të parë që nga viti 2011. Shumë biznese të vogla po e gjejnë të vështirë të mbijetojnë, në kushtet kur njerëzit kanë ulur në maksimum shpenzimet ose janë bërë më të zgjuar në blerjet e tyre. Në një ekonomi, ku pak prodhojnë dhe të gjithë duan të shesin, kjo pritej të ndodhte herët a vonë. Shërbimi ushqimor (kryesisht restorante e bar-kafe) janë sektori tjetër që shumë familje kanë gjetur për të mbijetuar, por që dhe ai po vuan krizën e konsumit.

Në një afat më të gjatë, bizneset e vogla pritet të jenë ato që do të goditen më shumë nga domosdoshmëria për të plotësuar standardet e tregtimit, teksa vendi po harmonizon legjislacionin dhe përafron kriteret me vendet e Bashkimit Europian.

Presioni për t’u formalizuar nga ana tjetër po i nxjerr zbuluar shumë prej këtyre bizneseve të vogla, që po shohin sa pak konkurruese kanë qenë në një mjedis shumë konkurruese dhe po kuptojnë që nëse “i tregojnë” të gjitha nuk do të arrijnë të dalin me fitim. Ata po gjenden në dilemën nëse do të arrijnë të mbijetojnë në këtë mjedis të vështirë dhe shumë kanë filluar të mbyllen. Janë shumë biznese të vogla, që në fakt, “avantazhin” e vetëm konkurrues kanë pasur informalitetin në raport me sipërmarrjet e organizuara të pakicës.

Tendenca rënëse ka filluar edhe statistikisht. Që në vitin 2014, të dhënat e Anketës Strukturore të INSTAT treguan se bizneset me 1-4 punonjës në sektorin e tregtisë ranë me 3% në raport me një vit  më parë. Ndërsa numri i të punësuarve në këto sipërmarrje të vogla ra me ritme edhe më të larta, duke u tkurrur me gati 5%.

Një tjetër e dhënë më alarmante është publikimi së fundi nga tatimet i listës së subjekteve pasive, që gjeti se rreth 91 mijë biznese, apo gjysma e atyre të regjistruar janë pasive.

Monitor 732

Monitor 732

Subjektet pasive, në pjesën më të madhe, janë biznese të vogla

Nga lista e 91 mijë subjekteve pasive të tatimeve rezulton se mbi 90% e tyre janë biznese të vogla kryesisht persona fizikë dhe ambulantë. Kryeqendra e vendit Tirana shihet të ketë qenë më e goditura. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 36 mijë biznese të të gjitha niveleve, shumica e tyre të vogla kanë pushuar aktivitetin në Tiranë.  Barra e lartë fiskale, e cila në shumë raste ka trefishuar nivelin e taksave lokale për kryeqytetin, ka çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë. Ende pa nisur aplikimi i taksave të larta vendore, 5% e bizneseve të drejtuara nga gratë dhe 3% të drejtuara nga burrat mbyllën aktivitetin në Tiranë gjatë 2015-s.

Në qytetin e Fierit kaluan në status pasiv 6240 subjekte, ndërsa në Berat, 2516 të tilla. Sipas raportimeve të tatimeve, më shumë se 14 mijë biznese kanë kaluar me status pasiv në Durrës, në Shkodër 6661 biznese, në Fier mbi 6200 të tilla dhe në Vlorë mbi 4100.  Drejt mbylljes janë edhe mijëra biznese në prefekturat më  të varfra të vendit. Në qarqet e Kukësit dhe të Dibrës, rreth 2600 biznese kanë kaluar në status pasiv, shumica e tyre drejt mbylljes së plotë.

Monitor 732

Si mund të dilet nga ky ngërç

Mjedisi aspak i favorshëm për biznesin e vogël, për të gjitha arsyet që u thanë më lart, mungesa e ndërgjegjësimit për t’u marrë seriozisht me këtë çështje nga politikëbërësit dhe moszhvillimi i sektorëve strategjikë që do  të nxisnin hapjen e vendeve të punës e kanë vënë realisht në dilemë të ardhmen e këtij segmenti aq jetik për ekonominë dhe punësimin.

Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë, thotë se në radhë të parë, qeveria duhet të shohë realitetin në sy dhe ta pranojë atë. Jaka sugjeron prioritizimin e disa sektorëve me një rimodelim të ekonomisë që të çojë në projekte fisibël. Burimet natyrore janë të parat që duhen të merren në konsideratë, thotë Jaka. Në këtë pikë, Shqipëria ofron më shumë se rajoni. Mund të zhvillohen resorte të mrekullueshme që ofrojnë shërbime, të cilat mungojnë sot. Ai tha se qeveritë në të gjitha këto vite e kanë orientuar sektorin e turizmit gabim. Në vend të resorteve po ndërtohen vetëm fshatra turistikë që nuk kanë asnjë vlerë të shtuar në ekonomi. Ndërsa bujqësia, sipas tij, është një sektor tjetër me potencial, por që kërkon standardizim dhe incestiva për uljen e kostove. Një ide e mirë është përjashtimi fiskal i fermave të mëdha për disa vite, tha Jaka.

Jaka pohon se gjëja më pozitive që po bën qeveria e sotme është shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe moskrijimi i detyrimeve të reja për bizneset që punojnë me shtetin.

Stefan Pinguli, një biznesmen me përvojë në sektorin e agropërpunimit nëpërmjet prodhimit të birrës, ‘Stela’, sugjeron një përdorim më të mirë të avantazheve konkurruese. Si fillim, sipas Pingulit, politika fiskale duhet të aplikojë urgjentisht taksën e sheshtë, duke i bërë tatimet dhe taksat në një nivel me rajonin. Qeveritë duhet të ulin represionin mbi tregjet dhe të krijojnë një liri më të madhe, pasi në këtë mënyrë mekanizmat e vetërregullimit prodhojnë të mira për të gjithë.

Pinguli tha se, shfrytëzimi më i përgjegjshëm i rezervave natyrore natës, mineraleve dhe ujit do t’i sillnin arkës së shtetit të ardhurat e nevojshme të cilat, pas rishpërndarjes, do të sillnin një nivel tjetër ekonomik në vend. Ai gjithashtu bën thirrje për politika proteksioniste për zhvillimin e prodhimit vendas, në kuadër të një integrimi gjithnjë e më të fortë në tregun global. Sipas Pingulit, tranzicioni që po kalojnë bizneset e vogla mund të ishte shumë më i lehtë nëse do të krijoheshin mundësi për zgjerimin e prodhimit vendas me incentiva nxitëse, me qëllim që të papunët që dalin nga mbyllja e aktiviteteve të kishin mundësi punësimi në fabrika.

Nikollaq Neranzi, një biznesmen me përvojë në fushën e tregtisë me shumicë dhe pakicë, i sugjeron qeverisë që të kalojë ngërçin duke aplikuar modelin me taksa të ulëta, siç e ofron Maqedonia. Një sistem i thjeshtë fiskal prodhon edhe më shumë të ardhura për arkën e shtetit, por edhe thith investitorët e huaj, të cilët janë në kërkim të kostove më të lira.

Biznesi i madh po bëhet jokonkurrues

Kur një hallkë e zinxhirit këputet, të tjerat bëhen të padobishme. Teksa biznesi i vogël dhe i mesëm po hasin probleme për shkak të presionit fiskal dhe rënies së konsumit, biznesi i madh po vuan mungesën e konkurrueshmërisë, teksa barra e taksa dhe çmimi i energjisë janë arritur me 50% vitet e fundit. Stefan Pinguli tha se llogaritë e momentit flasin në favor të importit. Kostot që shoqërojnë prodhimin e një litri birrë në vend janë më të larta se të importit. Vetëm taksa për ambalazhin është sa gjysma e vlerës së ambalazhit. Ndërsa vlera e pullës fiskale është gati e barabartë me vlerën e akcizës që paguhet në shtet. Kalimi në tatim progresiv ka rritur me 50% barrën fiskale për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale. Të gjitha këto e kanë bërë biznesin e agropërpunimit jokonkurrues, tha Pinguli. Në këto kushte, nga prodhimi po kalohet në import dhe kjo po ndodh aktualisht. Vetëm për birrën, importet janë rritur me mbi 40% këtë vit. Ai lajmëroi se shumë shpejt, sektori i përpunimit do të pushojë aktivitetin për shkak të kostove të larta.

Një vit më parë, kompania gjermane “Meggle”, që pak vite më parë kishte blerë kompaninë shqiptare të përpunimit të qumështit “Fast”, vendosi të mbyllë linjën e prodhimit në vend për shkak të kostos së lartë në krahasim me importin. Ironikisht, sot “Meggle” është në tregun shqiptar me prodhime importi. Nikolin Jaka, i cili ka në zotërim një fabrikë qumështi, tha se kostoja me të cilin del prodhimi UHT nga fabrika është e barabartë me çmimin e shitjes në supermarketet shqiptare të qumështit UHT, që importohet nga Gjermania. Ai tha se po shikon mundësinë e importit të lëndës së parë (qumështit) nga Çekia për shkak se edhe cilësia, edhe çmimi, janë më të leverdishme se në Shqipëri.

Copëzimi i tejskajshëm i tokës bujqësore dhe mungesa e standardizimit në bujqësi dhe e ekonomisë së shkallës (fermat e mëdha, minimalisht me mbi 600 lopë) e bën të vështirë edhe konkurrueshmërinë në afatgjatë. P.sh., në Shqipëri lënda e parë (qumështi) blihet nga fshatarët ose fermat e vogla me 50-60 lekë për litër, ndërsa nga Çekia lënda e parë vjen me 45 lekë për litër.

Nervozizmi i investitorëve të huaj arrin kulmin

Askush nuk po e fsheh më tani. Pasi presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crawford, ishte i pari që pak muaj më parë doli hapur dhe tha se klima për investitorët e huaj nuk është pozitive dhe shumë prej tyre janë gati të ikin e disa madje kanë dalë  nga tregu shqiptar, nuk kanë të pushuar ankesat. Një indeks i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë tregoi se Shqipëria renditet e fundit si destinacion ku gjermanët do të investonin sërish, si dhe e parafundit në rajon për atraktivitetin si destinacion investimesh. Indeksi i Klimës së Biznesit, një publikim i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) ka shënuar rënie radhazi për 4 tremujorët e vitit të shkuar. Investitorët shpërthyen në një takim me kryeministrin Rama, kur Patrick Pascal, drejtues i minierës së bitumit në Selenicë, me një përvojë të gjatë në tregun shqiptar, i tha kryeministrit: “Në dhjetor u kam dërguar një letër tre ministrave, ministrit të Ekonomisë, ministrit të Financave dhe ministrit Gjiknuri për një problem. Pas kalimit të ligjit fiskal, qeveria kishte vendosur të rriste fitimet mbi prodhimin me 300%. U kam dërguar tre letra të gjithë personave që përmenda. U shpjegova se do të humbisni punësim dhe para. Keni humbur më shumë se 1 mln euro me taksa”.

Ankesa e tij nuk u mor seriozisht nga kryeministri Rama, ashtu si dhe shumë vërejtje të tjera, që janë quajtur veçse perceptime të gabuara.

Ndërkohë, hyrjet e reja, që do të sillnin kapital shtesë në ekonomi dhe do të gjeneronin vendet aq shumë të lakmuara të punës, po mungojnë prej vitesh, ndryshe nga fqinjët që gëlojnë nga lajme për hapje fabrikash të reja.

Një speciale e pak kohëve më parë tregoi se kompani të mëdha si Weibo Group, Terna, Geox, Johnson Control, Lear Corporation, CapCon, Benetton, Ferrero Rocher, Power China, China State Construction Enginering etj., etj., kanë tentuar të zgjerojnë linjat e tyre të prodhimit në Shqipëri në pesë vitet e fundit, por klima e pafavorshme e investimeve, taksat e larta, si dhe mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara i ka detyruar të zgjerohen në rajon.

Vetëm pak ditë më parë, në Maqedoni,  në zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Strumicë u vendos gurthemeli për fillimin e ndërtimit të fabrikës së re të Johson Controls (një kompani amerikane e prodhimit të pjesëve të makinave që kishte shfaqur interes edhe për Shqipërinë). Investimi, sipas informacioneve nga menaxhimi, do të arrijë 20 milionë dollarë dhe pritet të punësohen rreth 1.500 persona. Me këtë, numri i përgjithshëm i të punësuarve në kompaninë në Maqedoni do të arrijë mbi 3.000. 

Indeksi i besimit të biznesit të Dhomës Amerikane, në përkeqësim të ndjeshëm

Kapakun e shqetësimeve të investitorëve ia vuri zëvendësambasadori amerikan, David Muniz, e cili në një takim të organizuar nga FIAA tha se “investitorët që kanë dashur të investojnë në Shqipëri janë frikësuar dhe kanë ikur”. “Procedurat gjyqësore janë të thjeshta, detyrimet e borxheve janë një problem. Kompanitë amerikane kanë bllokuar planet për investime për shkak të zvarritjeve gjyqësore. Drejtësia nuk po bëhet. S’bëjnë investime, sepse nuk kanë siguri, ka edhe investitorë me përvoja të këqija. Edhe pronat janë probleme, me mbivendosjen e titujve të pronësisë”,- ka deklaruar Muniz.

Indeksi i biznesit të Dhomës Amerikane, që u publikua së fundmi ka rezultuar me një përkeqësim të ndjeshëm me 5 pikë përqindje, ku shqetësimi kryesor i bizneseve ishte barra e lartë e taksave. Ky indeks është i rëndësishëm pasi hartohet me pyetësorët që u drejtohen mbi 100 bizneseve anëtare të Dhomës, ndër më të mëdhatë në vend.

Mesazhi u amplifikua dhe nga ambasadori Donald Lu. “Unë mbeta i zhgënjyer kur vura re rënien e ndjeshme të ABI në 2015-n, nga 42.77 në 37.94”. Ai vijon më tej, duke inkurajuar qeverinë dhe gjithashtu edhe liderët e tjerë të biznesit që ta përdorin këtë raport, si një mjet të fuqishëm për t’u përqendruar dhe për t’i dhënë prioritet reformave për klimën e biznesit në Shqipëri.

Please follow and like us: