Albspirit

Media/News/Publishing

Politika dhe ‘morali i virgjëreshës’

Sfidat me të cilat është ballafaquar Republika e Kosovës tash e shtatëmbëdhjetë vite janë thuajse të njëjta me ato të vendeve më të industrializuara në botë, hapa këto të pashmangshme në procese të shtet-ndërtimit, të cilat në një mënyrë apo tjetër i japin trajtë çështjes shtet-formuese. Shoqëritë e tranzicionit, shpeshëherë kanë ditur t’a përmbysin aspiratën shtet-formuese, duke ndjekur interesat klienteliste, të cilat favorizoheshin nga grupe interesi synimi i të cilave çdoherë ka qenë dobësimi i karakterit kombëtarë dhe dobësimi i vlerave kombëtare duke nxitur konflikte të urrejtjes, përmes së cilave trazohej masa qytetare.

Intervenimi i mekanizmave ndërkombëtarë përmes misioneve të huaja vazhdimisht çoi peshë një masë të caktuar, të cilët kinse me motive kombëtare fshehën ideologjinë kontraverse për rrëzimin të protektoratit ndërkombëtarë në Kosovë, ndërkaq në anën tjetër, prapë e një mase të caktuar, shfrytëzuan aferat korruptive, që nëpërmjet ryshfetit e ‘dallavereve’ të qëndrojnë të pastër para organeve të drejtësisë për aq kohë sa këta ‘ndërkombëtarë’ të shërbenin në territor të Kosovës, fakt ky që me kalimin e kohës qe i pashmangshëm nga opinion publik, të paktën për aq gjatë sa bashkësia evropiane u konsiderua si gardianë i vlerave demokratike të kosovës.

Nevoja e ridimensionimit të çasjes politike dhe reformave në shoqëri solli ballafaqime sfiduese edhe të vet akterëve politikë në kosovë, të cilët gradualisht filluan t’a ushqenin masën me informacione të atilla që në fund ishin pikërisht grackë e tyre, të paktën para organeve të drejtësisë, të cilat morrën të gjitha masat e nevojshme për fillimin e hetimeve dhe ndjekjen e personave me precedent të kaluar penale, madje ky acarim nuk la pa prekur edhe misionet e huaja që operojnë në kosovë, duke luhatur legjitimitetin e tyre tek shoqëria kosovare.

Vullneti dhe entuziazmi i shoqërisë kosovare për rimëkëmbje të shtetit ende nuk ka arritur në atë shkallë sa t’i thotë jo nëntokës kriminale dhe klientelës politike, të paktën deri atëherë kur interesi individual të konvertohet në interes kolektivë. Ajo se çfarë po shohim më shumë janë simbolika, prapa së cilave fshihet nevoja e përmbushjes së tyre, kritere këto detyrimisht të kërkuara nga bashkësia evropiane për të jetësuar shtetin e së drejtës në Kosovë.

Reformat, si instrument demokratikë, janë baza e fillimit të ndryshimit në shoqëri tranzicionale, thjesht janë mjekimi më i mirë për parandalimin e lulëzimit të nëntokës kriminale. Poqëse analizojmë gjendjen e shteteve rajonale, shohim se një pjesë e konsiderueshme vetëm se kanë filluar inicimin e tyre, për të parandaluar më të keqen e mundshme, dhe për të sjellë para drejtësisë ata që deri vonë u fshehën prapa ‘moralit të virgjëreshës’.

Nevoja e jetësimit të parimeve bazë të shtetit është domosdoshmëria e filleve të shoqërive moderne, përmes së cilave arrihet përfaqësimi i denjë institucional dhe garantohet shteti i së drejtës. Mbrojtja e interesit kombëtarë, çasja strategjike ndaj politikës së jashtme dhe përfaqësimi i mirëfillt institucional janë ‘qershia mbi tortë’ për shoqëritë e tranzicionit.

Barrierat politike me të cilat Kosova është ballafaquar që një dekadë e gjysmë janë vetëm një pjesë e rrugës të cilës ende nuk ka arritur t’i shihet fundi, ndërkaq loja politiko-ekonomike thuajse ka radikalizuar masën qytetare, të cilët vazhdimisht shërbehen me propaganda mediatike të sponzoruara nga nëntoka e krimit dhe politikës.

Përpjekjet e rimëkëmbjes, të cilat thuajse kanë filluar të shfaqin frytin e parë, gradualisht janë duke jetësuar edhe kulturën politike, element ky i cili është jetik për politikë të mirëfillt, por ajo që është më e rëndësishme ka të bëj pikërisht me rolin e qytetarisë aktive në procese vendimarrëse, duke shfrytëzuar të drejtat e tyre demokratike që të jenë të përfaqësuar denjësisht në nivel institucional.

(Autori është njohës i Marrdhënieve Ndërkombëtare dhe publicist)

Please follow and like us: