Sulme vetëvrasëse në Afganistan – 27 të vdekur


Dy sulmues vetëvrasës talibanë, vranë të paktën 27 veta dhe plagosën 40 të tjerë në një sulm mbi autobusët me të cilët po udhëtonin kadetët e diplomuar rishtazi të policisë afgane në Kabul.

Një zyrtar i policisë tha se tre autobusë u sulmuan derisa po hynin në kryeqytetin afgan nga provinca Wardak.

Zyrtrai tha se sipas informacioneve të para, dy sulmues vetëvrasës goditën autobusët duke lënë pas vetes 27 të vrarë.

Talibanët morën përsipër përgjegjësinë nëpërmjet një komunikate të shpërndarë nga zëdhënësi i tyre Zabihullah Mujahid.

Incidenti pasoi sulmin e para dhjetë ditëve në një autobus me punonjës nepalez që punonin si personel i sigurimit për ambasadën kanadeze, me ç’rast u vranë 14 veta.

Në muajin prill, të paktën 64 veta u vranë një sulm të talibanëve në një ndërtesë të shërbimit të sigurimit në Kabul, që ishte sulmi më vdekjeprurës në Afganistan që nga viti 2011.