Turqia bën kthesë 180 gradë: Të përmirësojmë marrëdhëniet me Sirinë

 

Turqia bën kthesë 180 gradë: Të përmirësojmë marrëdhëniet me Sirinë

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim ka bërë të ditur gjatë kësaj të mërkure se, vendi i tij do të synojë t’i zhvillojë për mirë marrëdhëniet me Sirinë, duke e argumentuar këtë me faktin se Turqia e ka të nevojshme të forcojë marrëdhëniet diplomatike në rajon.

Fjalimi i tij televiziv duket se përbën edhe një kthesë 180 gradë të qasjes së qeverisë turke, kjo për shkak se marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë dhe Sirisë kanë ardhur duke u përkeqësuar, që prej nisjes së konfliktit civil sirian në vitin 2011.

Turqia e ka bërë të qartë prej një kohe të gjatë se, e vetmja zgjidhje për arritjen e paqes rajonale do të ishte largimi i Presidentit sirian Bashar al-Assad, diçka që ky i fundit e refuzon prej kohësh, madje gëzon edhe mbështetjen e aleatit më të madh, Rusisë, në këtë aspekt.

Yildirim tha se stabiliteti në Siri dhe Irak do të ishin jetike për suksesin e përpjekjeve ndërkombëtare antiterrorizëm.

Lajmi i bujshëm vjen në një kohë destabiliteti të madh politik në vend, thotë një korrespondent i BBC-së në Stamboll. Ndërkohë, që prej vitit të kaluar Turqia është goditur nga një valë bombash dhe shpërthimesh kamikaze, të marra përsipër nga militantët kurdë por edhe nga i ashtuquajturi Shtet Islamik.