Albspirit

Media/News/Publishing

Dhaskalët e triumfit të reformës dhe shpresa te një drejtësi “in vitro”

Spartak Ngjela
Reforma në drejtësi u miratua! Të gëzojmë Shqipërinë e Re, ta shohim Zonjë! Më në fund Zbarkimi Aleat ndodhi. Ai mori në dorë gjithçka, meqenëse njerëzit e Perëndimit në Shqipëri, me sa duket nuk dinë të bëjnë politikë tjetër veç të luten për një Guvernator të huaj. Jo se ka ndonjë gjë të keqe, pikëpamje është edhe kjo, por e bëjnë këtë me prapamendimin levantin se ndonjë kockë do të ketë edhe për ta. Se si ta shpjegosh ndryshe këtë thatësirë të vërtetë në diskutimin profesional dhe politik mbi përmbajtjen e reformës? Çfarë ndodhi, çfarë ndryshoi, përveçse që amerikanët vdesin për ne?
Është ky boshllëk i lënë nga juristët, të cilët ndoshta janë të trembur se mos dallohen për desantë antiamerikanë në media, që i ka lënë vend çaprashitjeve si prej dhaskali fshati me faqore në xhep të shumëkujt që hidhet e nxirret si e si për të mbajtur lart e më lart Dordolecin e një fitoreje imagjinare që do trembë sadopak Sali Berishën e ndonjë tjetër.
Ja çfarë thotë p.sh sot avokat Spartak Ngjela që ka vazhduar orën e informacionit politik në media, kuptohet kundër orientalizmit të përfytyruar se do të likujdohet nga reforma në drejtësi:
 “21 korrik ndryshoi gjithçka. Shtetit shqiptar iu vendos çipi amerikan dhe europiano-perëndimor, që do ndryshojë sistemin e rregullimit të brendshëm, dhe shqiptarët do marrin gjendjen në dorë. 
Ja çfarë do rregullojë çipi: 
Nuk do lejojë më që marrëzia Berisha të shkatërrojë moralin shqiptar, me forcën e urrejtjes kundër shqiptareve. Nuk do lejojë që drejtësia të jetë shitblerje e degraduar në amoralitet. Nuk do lejojë të blihen votat me para. Do konfiskohen të gjitha pronat e vëna me paratë që i janë vjedhur shtetit. Nuk do lejojë manipulimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe shqiptarët për herë të parë do zgjedhin përfaqësuesit e tyre realë. Nuk do lejojë më grabitjen e pronave private dhe shteterore. Nuk do ta lejojë me ndëshkim material dhe penal shtypin abuziv që shpif dhe denigron personalitetin e njeriut. Nuk do lejojë më një shtet të padrejtë që nuk shërben por grabit qytetaret. Nuk do lejojë më që shteti shqiptar të braktisë emigrantët shqiptarë të shpërndarë në Perëndim; do mbrojë të drejtat e tyre dhe do t’u japë të drejtën e votës për të votuar, aty ku janë, për përfaqësuesit e shtetit shqiptar…”(http://www.gazetatema.net/web/2016/07/23/u-vendos-cipi-amerikan-ja-cfare…).
Kush i ka mohuar këto në ligje dhe në Kushtetutë deri më sot? Askush. Pse vallë diçka do të ndryshojë tani? Kemi të  drejtë të dyshojmë, edhe sepse fjala çip nuk është kaq pa zarar.
Avokati ka qenë vartës virtuoz i Sali Berishës dhe akuzoi dikur me zë të lartë se Edi Rama i vodhi zgjedhjet. Si vallë ndryshon sot ky pozicion? Ose pse kërkohet e padrejta në njërën anë? Një reformë e vërtetë kërkon edhe frymë, po këtë xhanëm ku ta gjejmë? Apo do na huazojnë një çikë amerikanët, njësoj si me eksportimin e demokracisë, parim nga i cili kanë hequr dorë edhe vetë?
Ngjela, miku i Edi Ramës, flet për Saliun që po shkon 80 vjeç, flet për grabitjen e pronës, duke bërë sikur nuk shikon ta zëmë se projekti i Karpenit është në raport me qytetarët më i errët se errësira; avokati bërtet si profesionist, por nuk ka një fjalë për konçesionet. Avokati po u thotë shqiptarëve, me ndihmën e mediave, se këtu në Shqipëri, befas, amerikanët kanë gjetur një pjesë të politikës që është e ngazëllyer të rithemelojë pavarësinë e vërtetë të pushtetit gjyqësor, e qetë se mbrojtja nga miqtë e huaj, do t’u lejojë që të shfarrosen armiqtë dhe hajdutët e kampit tjetër.  Po çfarë drejtësie do të ishte kjo?!
Në fund, zotëria ngre edhe një dolli për Lugën e Floririt që po na pret: “Brenda kësaj tabloja gjallon edhe jeta e re ekonomike, edhe mirëqenia, edhe puna e ndershme dhe efiçente e shqiptarëve”, shkruan Ngjela, që ka qenë dikur ministër Drejtësie.
Nëse Shqipëria do të bëhet ai shtet për të cilin shpreson zotëria atëherë le të na thotë se çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar ndaj diplomatëve të huaj që sillen sikur Shqipëria të ishte kopësht zoologjik? Po flasim me standardet që na predikohen, jo me mendësinë orientale që i mvishet njëri apo tjetrit. Me siguri e kotë të pyesësh, sa kohë që edhe në rrafsh kanunor po ndahemi: “Shtëpia e shqiptarit është e Mikut dhe Zotit”, një dispozitë që përmendet shpesh. Por po të bëhemi një çikë juristë, e ta kondesojmë këtë me entuziazmin politik për miqësinë e pakushtëzuar të të huajve, mund ta zbërthenim me implikimin: Shtëpia e shqiptarit, vetëm e shqiptarit  nuk është.
Ngjela nuk është vetëm në këtë çaprashitje të qëllimshme që i shkel syrin atij që duhet. Këto ditë u publikua edhe ankesa e një prokurori, Shkëlqim Hajdarit, i cili ka futur në një raport që u ka shkuar natyrisht të huajve se kryeprokurori Adriatik Llalla, e ka qëlluar me grusht. Edhe Hajdari me sa kuptohet është një kandidat për ndonjë detyrë nga këto që hapen tani. Vetëm se një pyetje e kemi të drejtë: Pse z. Hajdari nuk e ndoqët çështjen e grushtit në rrugë ligjore, por preferoni raporte? Apo në pritje të çipit amerikan?
PS: Kujtojmë për lexuesit se Spartak Ngjela ka qenë ministër Drejtësi në qeverinë e Bashkim Finos në vitin 1997 dhe ka iniciuar amnistinë e asaj kohe. Është po kjo qeveri që firmosi koncesionin e Kalivaçit me Becchettin, personazhi që sot shantazhon qeverinë shqiptare me procedura dhe gjoba milionëshe. Një koncesion që vuri Shqipërinë në përballje me Deutsche Bank, e që u rinovua nga të gjitha qeveritë, në atë mënyrë që qeveria aktuale rinovoi kontratën e koncesionit në Bulqizë me 10 vjet të tjera, ende pa përfunduar kontrata e parë. 
Please follow and like us: