Albspirit

Media/News/Publishing

Iris Sojli: Dobësitë e Charles Bukowskit

 

Padyshim Bukowski është një nga shkrimtarët dhe poetët më “autobiografikë” në historinë e letërsisë. Si romanet apo tregimet, ashtu dhe poezitë e tij nuk janë gjë tjetër, veçse një transformim në formë letrare të jetës së autorit, përshkruar “me një vërtetësi prej një njeriu që s’ka asgjë për të humbur”. E ndonëse forma autobiografike haset shpesh në prozë, në poezi, sidomos në varg të lirë, ajo është tepër e vështirë dhe kërkon virtuozitet të jashtëzakonshëm. Këtë virtuozitet e gjejmë kudo në poezitë e Bukowskit, që nuk ngurron të kthejë në varg biseda cubash në cepin e rrugës, sherre grash të lodhura nga jeta apo shkëlqimin që has në sytë e maces së tij. Megjithatë, ekziston një veçanti në formën autobiografike të autorit. Padyshim, gjithçka frymëzohet nga ndodhi të jetës së tij, por në këtë pikë vlen të ngremë pyetjen: cili është Charles Bukowski, autor? Që në fillim të veprës së tij, Bukowski krijon personazhin e tij artistik: Henry Chinaskin, ose Henkun, siç e thërrasin miqtë. Një personazh shumë i ngjashëm dhe i frymëzuar nga vetë autori, por dhe shumë i ndryshëm për sa i përket karakterit të tij shpërthyes. Këtë ndryshim e ka spikatur fillimisht miku dhe biografi i autorit, Neeli Cherkovski, i cili i referohet Henkut letrar si një personazh-mjet për të fshehur dobësitë e Charls-it. Histori që në të vërtetë mbylleshin me një përshëndetje të thjeshtë, në prozën apo poezinë e autorit përfundojnë me rrahje të përgjakura, që shpëlahen me birrë, verë, uiski (gjithmonë të cilësisë më të ulët), ose të vjella. Ky transformim i realitetit s’është gjë tjetër veçse një pasqyrim i vuajtjeve shumë më të thella, se ato të shkaktuara nga të rrahurat. Bukowski vuan thellë dhe pamundësia e tij për të rënë dakord me jetën e rezervuar për të dhe të ngjashmit e tij, nga shoqëria, vjen e përshfaqur përmes grushteve, shkelmave, zemërimit. Për mendimin tim, ky është dhe këndvështrimi nga i cili duhen perceptuar skenat e dhunshme që shoqërojnë gjithmonë rrëfimin e tij. Henku ka diçka të frymëzuar nga Hemingway-dhe Bukowski bëri gjithçka që cilësitë e tij të dukej se i përkisnin vetë autorit. Ketë sforcim ai e shpreh dhe në poezinë “Zogu i kaltër” ku i kërkon kësaj brishtësie të personifikuar në zogun e kaltër, të mos dalë në sipërfaqe, pasi kështu do të rrezikonte shitjet e autorit të suksesshëm në Europë. Por “zogun e kaltër” nuk ngurroi ta sillte në dritë biografi i tij në botimin “Hank a life”. Zbulimi i Cherkovski-t mbi këtë ndërtim fiktiv të alteregos së autorit, u bë dhe shkaku i cenimit të miqësisë së tyre, e cila për këtë arsye u ftoh gjatë viteve të fundit të jetës së autorit.

Please follow and like us: