Albspirit

Media/News/Publishing

“Grushti i Shtetit në Turqi u inskenua nga Erdogan”

Elton Koka

 

Ish-Atasheu Ushtarak shqiptar në Turqi, Hajro Limaj, është i mendimit se grushti i shtetit ka qenë një inskenim i vetë Presidentit Erdogan për të fajësuar Gylenin dhe për të goditur të gjithë kundërshtarët e tij politikë.

Limaj mbështet tezën se gjendje e jashtëzakonshme pas grushtit të shtetit është vendosur në Turqi për të ligjëruar objektivat që kishte Erdogani, të cilat nuk mund t’i realizonte në kushte normale. Sipas tij, Erdogan prej kohësh kërkon të ligjërojë ndryshimin e sistemit parlamentar në sistem presidencial, të modelit absolutist apo Putin, për të marrë të gjitha kompetencat dhe të bëhet i paprekshëm.

Ish-atasheu ushtarak shqiptar thekson se të vërtetën e kësaj tentative ushtarake mund ta zgjidhë vetëm një hetim dhe gjykim i një institucioni drejtësie ndërkombëtare, në të kundërt gjithçka do të emërtohet siç shprehet dhe dëshiron Erdogani.

 

– Zoti Limaj, Erdogani akuzon Gylenin për  grusht shteti. Pot, sipas jush, si qëndron e vërteta?

Atasheu ushtarak Kol. Limaj me Presidentin turk Sulejman Demirel

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë,  në përpjekjen e grushtit ushtarak kanë marrë pjesë 35 avionë, 37 helikopterë, 246 tanke dhe mjete të blinduara, 3 anije si dhe u përdorën 3 992 armë të lehta dhe 8651  ushtarakë, nga të cilët  1676  tetar/ushtar, 1214 nxënës ushtarakë. Këto shifra përbëjnë  1,5 % të numrit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Fatkeqësisht humbën jetën 240 vetë dhe pati rreth 1200 të plagosur. Por asnjë qeveritar apo autoritet shtetëror jo vetëm që nuk u vra, por as u bë tentativë për t’u arrestuar. Edhe në ato që thuhen për orvatjet në hotelin ku ishte me pushime Erdogani, Marmarisa, forcat ushtarake janë me një numër shumë të kufizuar. Përgjithësisht, grushtet ushtarake janë shumë të fuqishme dhe shumë goditëse ndaj presidentit dhe qeverisë, që kanë planifikuar për t’u rrëzuar. Fillojnë me arrestimin e krerëve drejtues dhe bllokimin e institucioneve vendimmarrëse, me sulmin dhe marrjen e radiotelevizionit dhe të rrugëve që i lidhin këto institucione. Ky është shkaku që pothuajse i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka dyshime serioze për aktorët e organizimit të këtij minipuçi të dështuar ushtarak. Puçet e mëparshme ushtarake në Turqi ishin shumë të fuqishme dhe asnjëri prej tyre nuk është zmbrapsur. Unë jam dëshmitar i grushtit ushtarak të vitit 1980, kohë në të cilën ndodhesha me shërbim në Izmir. Çdo godinë qeveritare dhe shtetërore, rrugët, sheshet, ishin nën kontrollin e rreptë të ushtrisë nëpërmjet ushtarëve të armatosur rëndë. E dyta, në këtë tentativë për grusht shteti, u angazhua vetëm një pjesë e vogël ushtarakësh dhe aspak civilë. Ushtarakët, me përjashtime shumë të vogla, janë mbështetës për vdekje të Ataturkut dhe jo të Gylenit. Mbështetësit e Gylenit janë në hapësirat civile. E treta, në këtë tentativë, nuk ka as komandantë operacioni dhe as qeveri për të drejtuar vendin në ditët e para nëse do të rrezohej pushteti. Prandaj ajo që ndodhi duket si një skenar tetari….Por, duke qenë se prej 17 Dhjetorit të vitit 2013, Erdogani ka përqendruar mllefet, akuzat publike dhe sulmet ndaj armikut të tij personal, Gylenit, edhe këtë trazirë ai nxitoi ta interpretonte dhe reklamonte si përpjekje për grusht i organizatës terroriste të Fetullah Gylenit, organizatë të cilën asnjë vend i botës nuk e njeh dhe nuk e pranon si të tillë. Shumë analistë politikë dhe strategjistë raportet dhe qëndrimet e Erdoganit me Gylenin i vlerësojnë si ato të Stalinit me Trockin. Gyleni,edhe po të doje, nuk ka ato mundësi dhe mbështetje që të shkojë deri në grusht shteti. Unë jam mbështetës i tezës se të vërtetën e kësaj tentative ushtarake mund ta zgjidhë vetëm një hetim dhe gjykim i një institucioni drejtësie ndërkombëtare, në të kundërt gjithçka do të emërtohet siç shprehet dhe dëshiron Erdogani. Tani në Turqi çdo gjë është vetëm në një dorë, atë të Erdoganit. Kudo është vendosur gjendje e jashtëzakonshme, për të ligjëruar objektivat që kishte Erdogani, të cilat nuk mund t’i realizonte në kushte normale. Ai prej kohësh kërkon të ligjërojë ndryshimin e sistemit parlamentar në sistem presidencial, të modelit absolutist apo Putin, për të marrë të gjitha kompetencat dhe të bëhet i paprekshëm. Edhe pse Kushtetuta nuk është ndryshuar, edhe përpara tentativës për grusht shteti, Erdogani sillej dhe drejtonte vendin si president i një shteti presidencial, për të cilat ishte në objektiv të kritikave të të gjithë opozitës, akademikëve, analistëve vendas dhe të huaj.

– Po si është situata mbas kësaj tentative ?

Shumë e rëndë. Në terror fizik dhe psikologjik. Kushdo nuk e di të nesërmen. Shifrat janë shumë tronditëse. Arrestime, dhunime dhe masakrime të të arrestuarve. Pamje rrëqethëse që të kujtojnë periudhën e mesjetës apo të diktaturave të Hitlerit, Stalinit, Pinoçetit, Sadam Hyseinit, etj. Janë ndaluar 18 879 vetë. Nga këta: 10 879 ushtarakë, nga të cilët 157 gjeneralë. Lista vazhdon me kolonelë, nënkolonelë, majorë, kapitenë… Midis tyre edhe komandanti i Armatës së dytë, shqiptari nga Kosova me gradën gjeneral-armate, Adem Hudut. Janë pushuar nga puna, në ndjekje penale apo arrestuar 4 227 oficerë policie, 91 prefektë dhe autoritete lokale, 2 624 prokurorë dhe gjykatës, nga 14 661 që ka Turqia,630 biznesmenë, 77 gazetarë, disa rektorë universitetesh, 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, mbi 60 prokurorë dhe gjykatës të Prokurorisë së Përgjithshme… Në kuadër të fushatës hakmarrëse apo ndëshkuese të Erdoganit u bllokuan dhe u sekuestruan pasuritë e 15 universiteteve, 934 shkollave parauniversitare, 109 konvikteve, 104 fondacioneve, 35 spitaleve, 1125 shoqatave, 19 sindikatave, 151 institucioneve të ndryshme të medias dhe shtëpive botuese, gjithsej 2492 subjekte. Kjo pasuri e vlerësuar në rreth 100 miliardë dollarësh u është sekuestruar pronarëve të ligjshëm dhe ka kaluar në dispozicion të shtetit. Fshesa e hekurt në administratën publike ka hedhur në rrugë 72 078 kuadro, nga të cilët42 767 nga Ministria e Arsimit, 8 777 nga Ministria e Brendshme, 2 345 nga Ministria e Rinisë dhe Sporteve, 2 990 nga Këshilli i lartë i Edukimit, 1 379 nga Ministria e Ushqimit, Bujqësisë dhe Blegtorisë, 560 nga Ministria e Teknologjisë, 88 diplomatë të Ministrisë së Jashtme, 5 581 nga Ministria e Shëndetësisë,1500 nga Ministria e Financave,1180 nga Ministria e Tregtisë,30 kuadro në aparatin e Kuvendit Popullor, 29 nga Këshilli i Lartë i Radiotelevizionit dhe 300 punonjës të radiotelevizionit, 262 nga aparati i Ministrisë së Mbrojtjes, 257 nga Kryeministria…

-Janë shkarkuar nga detyra 1577 dekanë në të gjitha universitetet.

-Janë larguar nga puna 60 000 mësues.

– U hoqën licencën 21 000 mësuesve të shkollave private.

– Me urdhër të Erdoganit është ndaluar dalja jashtë shtetit e akademikëve.

– Janë nxjerrë jashtë përdorimit mbi 42 000 pasaporta.

– Po Kushtetuta nuk mund ta ndalë Erdoganin?

Ai po tregon se nuk njeh më as Kushtetutë dhe asnjë ligj. Në kuadrin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme tre mujore, duke u konsultuar me 2-3 veta dhe jashtë institucioneve kushtetuese, ai merr vendime në kundërshtim me Kushtetutën. Për këtë arsye, edhe pse është kjo gjendje, disa analistë të gazetave Milliyet dhe Hurriyet vazhdojnë të shkruajnë kundër këtyre qëndrimeve autoritariste apo absolutiste të Erdoganit. Dhe kanë shumë të drejtë. Erdogani shkatërroi me urdhrin që nxori organizimin, përbërjen, drejtimin dhe zinxhirin e komandimit të Forcave të Armatosura. Këtë kompetencë mund ta ketë vetëm pas ndryshimit të Kushtetutës në Kuvend. Në zbatim të skenarit për vënien e ushtrisë në duart e tij apo të njerëzve më besnikë, Erdogani hoqi nga vartësia e Shtabit të Përgjithshëm Komandën e Forcave Tokësore, që ka në vartësi 4 armata, Komandën e Forcave Detare, që ka në vartësi një armatë dhe i kaloi në vartësi direkte të ministrit të Mbrojtjes. Komandantëve të këtyre forcave, përveç ministrit të Mbrojtjes, mund t’u japin urdhra edhe kryeministri dhe zëvendës kryeministri, bile direkt edhe njësive në vartësi të tyre. Komandën e Forcave të Xhandarmërisë me një armatë e kalojnë vartësi të ministrit të Brendshëm, ashtu siç kaloi edhe Komandën e Forcave të Mbrojtjes Bregdetare. Shtabi i Përgjithshëm tani është pa asnjë kompetencë në zinxhirin e komandimit dhe të drejtimit. U mbyllën të katër gjimnazet ushtarake, shkollat e përgatitjes së nënoficerëve dhe më e madhja e Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm për Forcat Tokësore, Detare dhe Ajrore, ku për dy vjet përgatiteshin shtaboviket dhe drejtuesit madhorë të ushtrisë. Akademinë e Mjekësisë Ushtarake me Spitalin Qendror të Ushtrisë (GATA) e kaloi në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Të gjitha këto ndryshime kërkonin ndryshime kushtetuese dhe të ligjeve të dala prej saj.

– Gjithnjë sipas jush dhe sipas analistëve të pavarur turq dhe ndërkombëtarë, përse i bën këto Erdogani ?

Forcat e Armatosura të Turqisë me Kushtetutë kanë për detyrë të mbrojnë shtetin laik, demokratik dhe ligjor. Prandaj ato disa herë, me këtë synim,kanë ndërhyrë dhe kanë përmbysur disa qeveri. Tashmë është bërë e kuptueshme apo e qartë se Erdogani objektivin kryesor ka shkatërrimin në themel të shtetit laik, që krijoi Ataturku. Për realizimin e këtij qëllimi “perëndia i solli këtë grusht ushtarak” dhe siç u shpreh, “do ta krijojë shtetin nga zeroja. Forcat e Sigurisë do t’i pastrojmë”. Qysh kur ka ardhur në pushtet Erdogani ka qenë në konflikt me Shefat e Shtatmadhorisë. Arrestoi më 5 Gusht 2013, sapo doli në pension, shefin e Shtatmadhorisë, gjeneral armate Bashbu, shqiptar nga Lugina e Preshevës. Nga Gjykata e shkallës së Parë e Krimeve të Rënda gjenerali Bashbuu dënua me burgim të përjetshëm. Me një mbrojtje të jashtëzakonshme ai fitoi pafajësinë nga Gjykata Kushtetuese më 7 Mars 2014. Më 3 Janar 2013 paraburgosi ish-shefin e Shtatmadhorisë, Gjeneral armate Ismail Karadaj, mikun e popullit shqiptar, i cili më 1997, me kryeministren Çiller bëri të pamundurën për të shpëtuar tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe daljen e saj nga kriza. Arrestoi presidentin e 7-të të Turqisë, Kenan Evren, birin e Kosovës, i cili në vitin 1980 bëri grushtin e shtetit në mbrojtje të shtetit laik dhe demokratik. Mbas 31 vjetësh me nderime dhe respekt masiv, Erdogani e çoi Evrenin në paraburgim, duke e detyruar të shkonte në hetuesi me karrocë. Gjatë kësaj periudhe të vështirë hetimi dhe gjykimi ai vdiq. Më 16 Prill 2012 arrestoi zëvendës shefin e shtatmadhorisë, gjeneral-armate Cevik Bir me 9 gjeneralë të tjerë, të cilët më 19 Dhjetor 2013 dolën nga burgu të pafajshëm. Po atëherë kishte edhe gjykatës të pavarur, që zbatonin ligjet, ndërsa tani nuk mund të gjesh, sepse ata që dhanë dënime në kundërshtim me urdhrat e Erdoganit sot janë të gjithë në burg. Kampi “kundër” Ataturkut, që kërkon ta rikthejë Turqinë në një vend islam, është mbështetur tradicionalisht prej shumicës më pak të edukuar të popullsisë së vendit, mirëpo deri në vitin 2002 ky rend është ruajtur nga forcat ushtarake, ideologjia përbashkuese kemaliste e të cilëve ka qenë rreptësisht sekulare. Ataturku nuk do të çuditej po t’i shihte këto që po ndodhin; ai e dinte se do të ishte “Islami” ai që do t’i shkaktonte rrënimin Turqisë. Dhe këtë mision po e kryen Erdogani. Në vitin 1999 , Erdogani e dënua me 6 muaj burg, si nxitës i urrejtjes me bazë fetare në vend kundër shtetit laik. Prandaj ushtarakët që janë arrestuar mbas tentativës për puç, i cili është me shumë pikëpyetje, nuk janë pjesë e Gylenit apo grushtit të shtetit të përgatitur prej tij, siç thotë Erdogani, por ata janë mbrojtës së parimeve te Ataturkut. Këtë e shprehu me forcë një gjeneral i arrestuar. “Unë nuk e njoh fare Gylenin. Unë jam mbështetës i Ataturkut, laik. Më pushkatoni! “Çfarë bindje dhe sakrifice ndaj idealit! Më pushkatoni! Këtë e di mjaft mirë edhe Erdogani, por ai, duke fshehur qëllimin e tij të shkatërrimit të shtetit laik, ka përbotësuar si organizator të puçit Gylenin, i cili prej vitit 1999 jeton në Amerikë. Nga kjo panoramë del qartë dhe lehtësisht përgjigjja e pyetjes se cili është burimi i krizave dhe rreziku i vërtetë për Turqinë: Erdogani në Ankara, një president i plotpushtetshëm sa një sulltan e diktator dhe që tani ka në duar ushtri, polici, xhandarmëri, drejtësi, mediat, diplomacinë, doganat… apo Gyleni, prej 17 vjetësh në SHBA, që ka në pronësi vetëm shkolla, universitete, konvikte…?

– Kur Erdogani pretendon për një grusht shteti nga ushtarakët, çfarë ka me botën akademike?

Shifrat e mësipërme tregojnë se shumica e spastrimeve me fshesë të hekurt është kryer në institucionet civile të gjithë Turqisë. Kjo po ndodh edhe pse këta civilë nuk kishin asnjë angazhim në tentativën e grushtit të shtetit. Për këtë arsye si shumë politikanë dhe analistë të botës demokratike edhe unë shprehem se “listat kanë qenë të parapërgatitura” dhe Erdogani i vuri në zbatim menjëherë. Prandaj Erdogani ditën e dytë u shpreh fitimtar “nga grushti i shtetit që i dha Zoti”. Pra, sipas tij, zoti e ndihmoi që të bëhej kjo tentativë për grusht shteti për të realizuar spastrimet masive të të gjitha atyre që nuk e duan Erdoganin, duke goditur dhe ndëshkuar ashpërsisht dhe jo demokratikisht çdo qëndrim opozitar dhe mendim ndryshe. Erdogani prej kohësh ka qenë në kontradikta me qëndrimet e akademikëve dhe shkencëtarëve, të cilët shpreheshin kundër qëndrimeve dhe rrugës që përdorte ai ndaj kundërshtarëve brenda vendit dhe aleatëve jashtë Turqisë. Ai nuk mbështetet fare tek elitat intelektuale, por në shtresat masive të zonave urbane dhe rurale, hapësira ku mbizotërojnë dhe sundojnë popullsia me kulturë të kufizuar dhe e mbarsur me islamizëm jo normal. Këtë qëndrim çuditërisht e shprehu një zonjë në një miting duke bërtitur me histeri. “Mallkuar qofshin intelektualët”.Pra, Turqia ndodhet nën një terror të gjithanshëm politik dhe psikologjik dhe para një rreziku me rrjedhoja të rënda. Uniteti kombëtar fillon që me shkatërrimin e unitetit në familje. Mendimet e kundërta për këto zhvillime i kanë çuar pjesëtarët e familjeve të spiunojnë njëri- tjetrin në polici, si tek ne, në periudhën e diktaturës komuniste. Lufta e klasave dhe lufta ideologjike janë në antagonizëm. Me mijëra turq janë arratisur dhe me mijëra të tjerë janë në pritje. Prandaj BE është e frikësuar. Liberalizimi i vizave për qytetarët turq në tetor, përveç problemeve të tjera, mund të sjellë dyndje të popullsisë turke për strehim politik ne vendet demokratike të Europës.

– Po kriza me ish-mikun e ti, Gylen, kur filloi dhe pse duket kaq e ashpër?

– Është data17 Dhjetor 2013, e cila e thelloi shpejt dhe ndjeshëm krizën në politikat e brendshme. Është koha kur djali i Erdoganit, Bilali, me 3 djemtë e tre ministrave të qeverisë Erdogan dhe me një turko-iranian, Zarrabin, u kapën në flagrancë,duke pastruar 1 miliard dollarë në Bankën Qendrore të Ankarasë. Tre fëmijët e tre ministrave, Zarrabi dhe drejtori i bankës u arrestuan, ndërsa djali i Erdoganit ishte lënë për datën 25. Duke qenë se Gyleni u shpreh se “koha e Erdoganit përfundoi” ai e shpalli atë nga aleat në armik dhe këto arrestime të bëra pa dijeninë e tij i quajti “Grusht shteti”. Duke qenë se edhe për Bilalin kishte dalë urdhri i arrestit ai lëvizte në Turqi vetëm më babain, Erdoganin, në makinën e tij. Në vend që Erdogani të jepte dorëheqjen, ashtu si u detyruan të bënin tre ministrat e tij nga ky skandal, prej kësaj kohe Erdogani kërkonte ta mbante pushtetin me dhunë të gjithanshme ndaj shtypit, akademikëve, opozitës dhe çfarëdolloj mendimi opozitar. Turko-iraniani, Zarrabi, miku i Bilalit, mbasi doli me makinacione nga burgu u nis për në Amerikë, ku u arrestua sapo zbriti në aeroport dhe tani vazhdojnë hetimet për veprimtaritë e tij kriminale. Ndërsa djalit të presidentit Turk, Bilalit i është hapur çështje penale ne gjykatën e Bolonjës për pastrim parash. Presioneve të Erdoganit për mundësinë e tronditjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, kryeministri i Italisë Matteo Renzi iu përgjigj se në “Në Itali ka një sistem drejtësie të pavarur, që vepron në bazë të ligjeve dhe që lufton të gjitha format e paligjshmërisë. Gjyqtarët dhe hetuesit përgjigjen vetëm para Kushtetutës italiane dhe jo para Presidentit turk. Këtë sistem e quajmë ‘shteti i së drejtës’ dhe jemi krenarë për këtë”.

Please follow and like us: