Albspirit

Media/News/Publishing

MENOPAUZA NDEZ TRURIN E GRUAS

Dr. Adem Harxhi

 

Pyetje:

Jam një grua që i afrohem menopauzës. Nuk kuptoj çfarë ndodh me mua dhe burrin tim. Marrëdhëniet tona kanë ndryshuar për keq dhe po shkojmë drejt divorcit. Jam shumë e çuditur me ketë që na ndodh, kur hedh sytë prapa dhe shikoj gjithë jetën time bashkëshortore. Ne ndjeheshim të lumtur. Kurrë, nuk kishim menduar se do të përballeshim me një krizë të tillë munduese të martesës. Gjithmonë kam qenë e sigurtë dhe kam besuar se jam martuar me  burrin e duhur, me burrin që do të isha me të “deri në vdekje”. Gjatë jetës time kam njohur gra e shoqe të mijat, të cilat unë mundohesha t’i qetësoja kur fëmijët u iknin nga shtëpia, kur u sëmureshin ose u vdisnin prindërit, kur punët nuk u shkonin mirë në ditët e stuhishme të krizën së  mesit të jetës dhe kur detyroheshin të prishnin martesat. Gjithnjë kam menduar se kjo nuk do ndodhte me mua, por e vërteta është që ndodhi .

Të lutem, a mund të më tregoni se çfarë po ndodh me mua?

 

Përgjigje:

Për shkencën, është e qartë se kriza në marrëdhëniet bashkëshortore, në shumicën e rasteve, është pasojë e menopauzës. Në këtë periudhë tranzicioni biologjik në jetën e gruas, hormonet marrin një drejtim të ri, me efekte të jashtëzakonshme “çmendurie”. Ajo që njerëzit nuk e dinë, është fakti që ndryshimet hormonale të menopauzës më shumë se çdo gjë tjetër prekin trurin e gruas. Këto ndryshime hormonale të trurit e bëjnë gruan të ndjejë më shumë pabarazinë dhe padrejtësinë. I japin asaj zërin që të flasë fort për këto pabarazi dhe padrejtësi, ndaj të cilave më parë ishte pa zë. Me fjalë të tjera, këto ndryshime hormonale i japin asaj mençurinë dhe kurajën për të thënë të vërtetën, që deri në këtë moment ajo nuk e kishte thënë. Tani, fillon të ngrihet perdja që i pengonte gruas vizionin, perde, që e kishin krijuar hormonet e saj të riprodhimit. Tani që këto hormone nuk janë më, zjarri dhe shpirti rindizen bashkë me dëshirat e nënshtruara për një kohë të gjatë. Ndizen instinktet krijuese të gruas. Mesi i jetës i ndez këto instinkte me energjinë vullkanike, që kërkon të gjejë dalje. Kur gruaja nuk e gjen këtë dalje, kur ajo hesht për hatër të ruajtjes së qetësisë në shtëpi dhe në punë, kur ajo tërhiqet dhe nuk u hap rrugë këtyre instinkteve krijuese; shëndeti i saj do të dëmtohet. Kjo grua ngjan me tenxheren me presion që i është mbyllur valvula e shkarkimit të avullit. Në këtë rast diçka do të prishet dhe ai që prishet më shpesh, është shëndeti i gruas.  Gruaja do të vuajë njërën  ose disa nga “sëmundjet e mëdha”, që shfaqen tek gratë në menopauzë: sëmundjen e zemrës,  gjendjet depresive, kancerin e gjirit e të tjera. Krejt ndryshe, ndodh me gratë, që në vend të heshtjes zgjedhin të respektojnë  mençurinë e trupit të tyre. Zgjedhin ta shprehin atë që ndodh brenda tyre. Përfytyrojeni gruan në këtë moshë si një anije që e lëkundin tallazet e detit. A nuk do të ishte më mirë, që gruaja të ishte përgatitur më parë për këto lëkundje, që do të përmbysin marrëdhëniet e vjetra, të vendosura prej vitesh?. Në qendër të këtyre marrëdhënieve  me cene qëndron martesa, e cila, kurrsesi, nuk është e imunizuar ndaj këtyre defekteve. Në menopauz, çdo martesë edhe ajo që mund të konsiderohet më e mira, i nënshtrohet ndryshimeve. Kjo ndodh sepse martesa, ashtu si dhe trupi i gruas, duhet të përshtaten me ndryshimet që ka pësuar truri, si pasojë e ndryshimeve hormonale që ndodhin para, gjatë dhe pas menopauzës. Jo të gjitha martesat janë të afta t’u mbijetojnë këtyre ndryshimeve. Mos u çuditni që edhe martesa juaj nuk i mbijetoi dot këtyre ndryshimeve. Po qe se kjo që sapo u thashë, u bën të mos ndjeheni mirë, u kërkoj të falur. E kuptoj vështirësinë tuaj, ndaj u lutem të më besoni për këto që u shkruaj, por më shumë se mua, besojini vetes tuaj dhe përpiquni të mbroni shëndetin tuaj fizik dhe emocional, në pjesën e dytë të jetës. Kjo pjesë e jetës nuk është pa rëndësi. Ajo zgjat plot dyzet vjet ose më shumë. Është kjo arsyeja, që unë u ftoj  të shikoni përpara. Të observoni me kujdes të gjitha aspektet e marrëdhënies tuaj, madje, edhe ato skuta të martesës që më parë u dukeshin të paprekshme. Kjo është e vetmja zgjedhje që duhet të bëni, po qe se keni dëshirë të arrini sukses në shëndetin tuaj fizikisht, emocional dhe shpirtëror.

Lidhur me shëndetin fizik të grave, sot, ka shumë të dhëna shkencore që vërtetojnë se shumë sëmundje që rrezikojnë jetën e grave pas viteve të mesme, i kanë rrënjët, në problemet jetësore të pazgjidhura dhe stresante. Këto probleme kanë vluar pa u shfaqur, në vitet kur gruaja është në fazën riprodhuese dhe vetëm më vonë, gjatë perimenopausës, ato fillojnë të ziejnë hapur. Gjithë këtë tension të maskuar, që zien brenda trupit, gruaja e  shtyp me dëshpërim, sepse dëshiron të ruajë status quo-në në familje.  Nuk ka dyshim, që ka edhe ndryshime të tjera që lidhen me moshimin e grave, që kanë influencë mbi shëndetin dhe duhet të vlerësohen me kujdes.

Ka edhe diçka tjetër që ju duhet të dini: Është shëndeti i atij tjetrit  që është, gjithashtu, në rrezik. Gratë dhe burrat duhet të kuptojnë se nuk tregojnë mençuri kur përpiqen të mbajnë të pandryshuar një marrëdhënie, që ka filluar mbi njëzet vjet më parë. Marrëdhënia juaj ka nevojë të riaxhustohet dhe t’u përshtatet ndryshimeve, që trupi dhe truri i gruas dhe  burrit pëson në mesin e jetës.  Çiftet që nuk e bëjnë dot këtë riaxhustim të domosdoshëm, e rrezikojnë seriozisht shëndetin e tyre.

Mos më keqkuptoni! Me këto që thashë më sipër, nuk dua të them se ju në këtë periudhë të jetës keni vetëm dy opcione: divorcin ose atakun në zemër. Jo, gjëja më e mirë që duhet të bëni për ta përshtatur marrëdhënien tuaj me trurin që tani ka ndryshuar, ju dhe burri juaj duhet të qetësoheni dhe të bashkëpunoni për të rishikuar çështjet e vjetra dhe të ndërtoni terren e rregulla të reja për vitet që do të vinë. Kush është e aftë ta bëjë këtë, siguron që marrëdhënia të lulëzojë edhe në gjysmën e dytë të jetës. Kur ju të dy ose njëri nga ju, nuk do ta bëjë dot këtë,  bashkëjetesa, do të rrezikojë shëndetin dhe lumturinë tuaj.

Për këtë transformim ju duhet të përgatiteni me kohë.

Në mesin e jetës, ju keni më shumë energji nga çdo kohë tjetër e jetës tuaj, madje edhe nga adoleshenca. Kjo energji organike shumë e madhe, ju bën të afta që ju të jeni partnere aktive, të keni besim tek vetia juaj dhe të luftoni me ato ndjenja vetë-shkatërruese, që u pengojnë të jeni ato që mund të ishit. Po të veproni kështu, ju do të kuptoni se keni çdo mundësi për ta treguar veten të shëndetshme, elastike dhe të gatshme të lëvizni gëzueshëm në pjesën e dytë të jetës.

Ka dy mënyra që ky proces transformimi të jetë i suksesshëm:

E para, ju duhet ta  gjykoni në mënyrë kritike jetën tuaj. Për ta bërë këtë, duhet  të keni kurajën t’i pranoni gabimet që keni bërë dhe të mos vazhdoni ta shihni veten si viktima të dikujt tjetër. Kur e vini veten në rolin e viktimës, ju, ashtu si të gjitha viktimat, do të kërkoni vazhdimisht simpatinë dhe përkrahjen morale dhe nuk do të ndjeni se keni bërë edhe gabime. Duke marrë rolin e viktimës, ju bëni një zgjidhje afat shkurtër, që nuk ka kuptim dhe që nuk ka forcë t’u ndihmojë të ndryshoni, të shëroheni, të lartësoheni dhe të përparoni.

E dyta, kjo është edhe më e vështirë. Ju nuk duhet të mërziteni për jetën  që e latë prapa. Harroni fantazitë që keni patur për mënyrën si deshët ta ndërtonit jetën tuaj. Kjo ka shumë rëndësi, sepse kur përpiqeni të ballafaqoni fantazitë për të kaluarën me këtë humbjen e tanishme, do ta ndjeni veten shumë keq. Kjo është shumë e rëndë, sepse i detyron shumë nga ju, të mos pranojnë ndryshimet e mesit të jetës, që janë të paevitueshme. Disa nga ju, ato që janë më të mençurat,  arrijnë të kuptojnë “pse lëkundet varka ”. Ato i bëjnë vetes pyetjen: Tani që jam në mesin e jetës, a nuk është më e lehtë të pranoj ato gjëra që i kam mirë dhe të mos rrezikoj duke kërkuar të panjohurën?

Prishja e martesës në këtë fazë të jetës, ashtu si në çdo fazë tjetër, edhe kur martesa nuk ka qenë e lumtur, ngjan me vdekjen. Për ta evituar divorcin, ju nuk duhet të zemëroheni me të kaluarën dhe me faktin se nuk ishit e nuk jeni ajo që kishit menduar të ishit. Po vepruat ndryshe, ju do të hidhni hapa drejt të panjohurës, drejt divorcit dhe të gjitha frikërat që i keni mbajtur fshehur, kur të ndesheni me të ardhmen e panjohur, do të dalin në sipërfaqe.

Në mbyllje dua të them se shumë burra, miq të mi, bashkëshortë të grave në menopauzë, shpesh, më kanë bërë këtë pyetje:  Ç’ka ndodhur me gruan time?.

Për pyetje: harxhi@yahoo.com

Please follow and like us: