Albspirit

Media/News/Publishing

Italia hap varrin e Garibaldit për analiza identifikimi

Trupi i Giuseppe Garibaldit, udhëheqësit ushtarak të shekullit të 19 që luajti një rol vendimtar në luftërat për unifikimin e Italisë, do të nxirret nga varri si pasojë e dyshimeve se varri është fals. Zvarrosja pritet të kryhet në fund të shtatorit pasi pasaardhësit deklaruan se varri aktual mund të mos ketë eshtrat e vërteta të heroit.

Ato dyshojnë se mund të ketë patur manipulime me varrin që gjendet në një ishull të vogël pranë Sardenjës. Garibaldi është hero kombëtar i Italisë dhe një nga baballarët themelues të këtij kombi.

Autoritetet dhanë leje për zhvarrosjen pasi ministri i Kulturës Lorenzo Ornaghi mbështeti kërkesën e familjes Garibaldi për verifikime mbi varrin që gjendet në ishullin Caprera, në veri të Sardenjës.

“Mund të jetë një mënyrë për të kuptuar se çfarë ndodhi me të. Mendoj se është shumë e rëndësishme,” deklaroi stërmbesa e heroit Anita Garibaldi.

“Mendoj se nëse është me të vërtetë atje, duhet të ruhet për të ardhmen. Nëse nuk është, atëhere nuk duhet t’i tregojmë më gënjeshtra turistëve,” shtoi ajo.

Dëshira e fundit

Giuseppe Garibaldi lindi më 1807 dhe komandoi fushatat ushtarake të mesit të shekullit, të cilat sollën unifikimin e Italisë nën mbretin Victor Emmanuel II. Një figurë historike shumë e dashur, Garibaldi është nderuar me statuja dhe emra rrugësh në të gjithë Italinë.

Kur ai vdiq, dëshira e tij e fundit për një ceremoni mortore të thjeshtë dhe djegie të trupit, u injorua. Trupi u balsamos por familja beson se kjo punë mund të mos jetë bërë siç duhet.

Nëse testet e ADN-së do të vërtetojnë se Garibaldi është me të vërtetë në varrin e tij në Caprera, pritet të hapet një debat i ri mbi faktin nëse dëshira e tij e fundit duhet të vihet në vend pas shumë dekadash apo jo.

Please follow and like us: