Misioni “E premtja” me grupin nga Konispoli

Misioni “E premtja” me grupin nga Konispoli

 

Nga Auron Tare

Fjala është për një prej dokumenteve të deklasifikuara të arkivit amerikan për operacionet shqiptare, pikërisht me operacionet e Zbulimit amerikan me pikënisje zonën e Konispolit. Përdorimi i Konispolit si pikë e infiltrimit të grupeve të agjenturës amerikane sigurisht që është pjesë e logjikës operacionale, por Konispoli gjithashtu lidhet me një nga ngjarjet më të bujshme të historisë së komunizmit. Goditja e të ashtuquajturit “Grupi çam”, ku një sërë personalitetesh të këtij komuniteti u goditen mjaft ashpër me akuzën për spiunazh. Sa e vërtetë ka qenë kjo akuzë e Sigurimit të Shtetit? Deri më sot, publiku i interesuar ka njohur vetëm anën zyrtare të kësaj ngjarjeje, si dhe dëshmitë e një sërë personash të familjeve të prekura, të cilat kanë mohuar kategorikisht përfshirjen e të afërmve të tyre në këtë çështje. Për këtë arsye, botimi i këtyre dokumenteve do të mundësojë ndriçimin e së vërtetës mbi disa nga emrat e njohur të kësaj zone.

Nga dosja e operacioneve OBSIDIUS, një mori dokumentesh flasin për një aktivitet të dendur të Shërbimit amerikan, i mbështetur edhe nga Zbulimi i Fshehtë grek. Duket qartë se amerikanët tentuan dhe krijuan baza në zonën e Konispolit me ndihmën e disa figurave tashmë të njohura në historinë e kësaj zone. Konispoli ishte baza kryesore nga ku fillonte rrjeti i agjenturës amerikane, i cili me sa dukej kishte pikësynim qytetet kryesore shqiptare, si Tiranën, Durrësin dhe Gjirokastrën. Në vitin 1954, Zbulimi amerikan kishte një përvojë jo të pakët në penetrimin e territorit shqiptar, duke dërguar një mori grupesh komando të koduara me emra frutash apo pemësh ekzotike. Nga ajri, toka, apo edhe me nëndetëse, amerikanët dhe britanikët kishin mundur të dërgonin njerëzit e tyre, por që deri më atëherë nuk kishin mundur të inicionin një rebelim të brendshëm.

Çuditërisht, Agjencia e Zbulimit Shqiptar, një bërthamë modeste e përbërë nga djem shumë të rinj në moshë, kishte mundur të neutralizonte pjesën më të madhe të këtyre tentativave, duke vënë në vështirësi mjeshtrit e mëdhenj të inteligjencës botërore. Emrat më të famshëm të historisë së Zbulimit britanik dhe amerikan janë angazhuar në operacionet shqiptare, të cilat nuk mundën të arrinin objektivin e kërkuar: Rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri. Vendosja në vëmendje të amerikanëve të zonës së Konispolit duhet analizuar me kujdes për të parë dinamikën e ngjarjeve të kohës. Përse amerikanët papritur përzgjodhën këtë zonë, kur deri në atë kohë nuk kishin pasur aktivitet të dendur? Dokumenti i botuar përforcon faktin se Konispoli u përzgjodh pasi shikohej si një zonë me potenciale rekrutimi të larta. Rasti i Konispolit duhet shikuar përtej kësaj kohe, për të kuptuar se përse amerikanët mendonin se kjo zonë mund të përdorej si bazë kundër regjimit komunist. Analiza e ekspertëve amerikanë, e bazuar në faktet konkrete të elementëve shqiptarë që kishin vite që shërbenin në Agjencinë e Zbulimit tregonin se elementë të njohur të zonës, të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare, ishin shumë të pakënaqur me rrjedhën e ngjarjeve në Shqipëri. Instalimi i një diktature të fortë dhe përjashtimi nga pushteti në shumë raste i figurave me kontribut në këtë zonë kishte krijuar një pakënaqësi në radhët e tyre. Për këtë arsye u mendua që nga kjo zonë të krijohej një rrjet agjentësh potencialë. Ky rrjet, që mbante lidhje me RNDOLLAR, radist i CIA-s, person i panjohur në historinë shqiptare, nga Konispoli, i cili do të ndërronte jetë në Çikago në vitin 1978, do të shndërrohej në një problem serioz për Zbulimin shqiptar. Ky dokument që botohet sot tregon qartë synimet e amerikanëve për të marrë informacione për instalime ushtarake në disa prej qyteteve kryesore. Megjithatë, përveç këtij fakti, ky dokument jep një përshkrim të gjallë për cilësitë dhe karakterin e një prej aktorëve kryesorë të ngjarjes së Konispolit: personin me emrin e koduar RNDOLLAR.

 

 

DOKUMENTI SEKRET

VIA – AIR

SGAA -9343

KAPOK 25/3

Për: Shefin, SE (emri i fshirë)

Nga: (emri i fshirë)

Subjekti: OBOPUS/OBHUNT/

Plani Operacional për misionin “E premtja”

Ref: SGAA-4063. 18 Shkurt 1954

 

Kërkohet Miratimi i Qendrës

 

Vendimi për operacionin “E premtja”, udhëzime për S/W (shiko seksionin C paragrafi 4) Kërkohet aprovimi për Identitetin 1. Gjurmë të kontakteve të brendshme janë diktuar këtu

 

Përmbledhje

Plani operacional i mëposhtëm është përgatitur duke përdorur paragrafin 4.a dhe 6 të referencës suaj si udhërrëfyes. Po kështu kemi përfshirë disa nga rekomandimet e bëra në paragrafët 6.d. dhe e. Ne propozojmë një misioni inteligjence të drejtuar në zonat e identitetit 2, duke përdorur RNDOLLAR si lider. Ne do të përpiqemi të rekrutojmë vëllain e tij me nënën, duke e përdorur atë si agjentin kryesor, i cili do të organizojë një rrjet agjenturë në Delvinë, Gjinokastër, Tiranë dhe Durrës.

Qëllimet e misionit janë parashtruar si më poshtë:

Plani është parashtruar në seksionin C, i cili përfshin

fazën (paragraf 1), strukturën e rrjetit ( paragraf 2),

komunikimin (paragraf 3) dhe sigurimin (paragraf 4)

Trajnimi është diskutuar në seksionin D

Shpenzimet janë përllogaritur në seksionin E

Komentet e përgjithshme mund t’i gjeni në seksionin F

 

  1. MISIONI

——————

Synimet kryesore të këtij operacioni janë mbledhja e inteligjencës kundër këtyre objektivave:

  1. Kërkesat KUYAWL – Durrës
  2. SGAM-1693, 4 maj 1953 (KRYPTON) Dosja e interrogimit dhe kërkesat e interrogimit që kanë të bëjnë me Durrësin
  3. ID-2060- Kërkesat për inteligjencë në Tiranë
  4. IG-127 të konfirmohen raportimet se një fushë avionësh e re që do të zëvendësojë atë të Tiranës po ndërtohet pranë Vorës.
  5. ID-1906- Sistemi telefonik në Tiranë
  6. Informacion i përgjithshëm mbi Ushtrinë, situatën politike dhe ekonomike në zonën e operacionit.

 

  1. Përbërja e grupit
  2. RNDOLLAR – Udhëheqësi i grupit (emri përkatës)

Ky person ka një inteligjencë mbi mesataren. Ka kryer 9 vjet shkollë. Ka një zotërim shumë të mirë të greqishtes, si dhe mjaftueshmërisht të italishtes dhe gjermanishtes, si dhe pak anglisht. Ai mëson shumë shpejt, siç vërtetohet nga përgatitja e tij në shkollën e KUBARK (CIA shën. i ynë) si radio-operator. Iniciativa e tij demonstrohet nga fakti se ishte ai që propozoi të shkonte në zonën e tij dhe me sugjerimin tonë përgatiti një plan operacional interesant.

RNDOLLAR ka kapacitet të zhvillohet si një aset operacional. Nëse jo, dështimi i tij do të vijë nga konfidenca e tepërt që ka dhe padurimi, dy kualitete që vijnë me kalimin e moshës dhe eksperienca. Ambicia e tij më e madhe është dukja në sytë e bashkëpatriotëve të tij. Shkruesi (bëhet fjalë për oficerin e CIA-s që ka hartuar raportin, shën. i ynë) nuk mund të gjykojë se deri në çfarë shkallë motivi i tij është patriotik apo për qëllime të tjera private. Sensi i sigurisë te RNDOLLAR është jo me poshtë se tek shumë agjentë të tjerë. Ne mendojmë se do të jetë një problem në vazhdim përgjatë periudhave idilike, ku ai nuk do të jetë i angazhuar. Sigurimi dhe fshehtësia do të jenë pjesë thelbësore e trajnimit të këtij subjekti. RNDOLLAR kishte disa probleme me stomakun gjatë dimrit të 1953-1954. Ai u vendos në një dietë rigoroze nga (emri i fshirë), dietë e cila e përmirësoi shumë kondicionin e tij. Përveç kësaj, ankesë tashmë e njohur, ai është në gjendje shumë të mirë fizike. Ai është një burrë për të cilin është raportuar se fizikisht ka një fuqi përtej normales.

  1. IDENTITETI 1 ( në origjinal është emri përkatës) Ky burrë është intervistuar vetëm një herë nga (emri i fshirë) deri më sot. Ai është kërkuar nga RNDOLLAR si pjesë e grupit, pasi RNDOLLAR e njeh atë shumë mirë dhe ka besim tek ai, aq më shumë që sapo ka dalë nga Shqipëria (mars 1953). Ai e njeh shumë mirë zonën e IDENTITETIT 2. Ai do të shërbejë si udhërrëfyes për RNDOLLAR, si dhe ka kontakte të cilat në të ardhmen mund të shfrytëzohen mjaft mirë. Identiteti 1 ka inteligjencë normale. Më shumë pasi të kem marrë kontakte me të.
  2. RNDOLLAR ka kërkuar IDENTITETIN 3 (në origjinal emri) si pjesëtarin e tretë të Grupit. Ne e intervistuan Identitetin 3 dhe pamë se ai është një burrë te të 52-at dhe fuqitë po e lënë. Është e qartë se ai nuk është i përshtatshëm për këtë mision dhe nuk do të konsiderohet për më tej. Bazuar në këtë përfundim, ne do të tentojmë që të marrim miratimin e RNDOLLAR që të infiltrohet vetëm me një pjesëtar të grupit. Nëse ai refuzon në mënyrë kategorike, ne do të na duhet që të marrim një agjent të miratuar nga një zonë tjetër. Duke parë se ky plan nuk mund të pengohet më gjatë duke pritur një përfundim, ne do ta dërgojmë atë për miratim, përfshirë komentet dhe zhvillimet sa më shpejt të jetë e mundur.
  3. PLANI OPERACIONAL
  4. FAZAT: Ky mision do të jetë i ndarë në tri faza
  5. a) Infiltrim për vëzhgime zbulimi dhe trajnimi
  6. Rekrutime për agjentë mbështetës
  7. Rekrutimin e agjentit kryesor
  8. Konfirmimi i kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë të agjentëve të rrjetit
  9. Marrja e propozimeve dhe rekomandimeve të agjentit kryesor në krijimin e rrjetit
  10. Instruksione për agjentin kryesor në rekrutime të agjentëve, krijimi i rrjetit, objektivat dhe sigurimi i rrjetit.
  11. Krijimi i vendeve të fshehta të shkëmbimit të informacionit, si dhe të sinjaleve të rrezikut në këto vende.
  12. b) Infiltrimi për konfirmimin e rrjetit
  13. Kontroll dhe kritikë mbi masat e marra nga agjenti kryesor
  14. Trajnimi S/W për agjentin kryesor
  15. c) Infiltrime për marrjen e dokumentacionit sekret me informata nga vendet e fshehta (kuti postare sekrete).

RNDOLLAR vjen nga një familje e madhe tregtarësh, e cila ka një prestigj shumë të madh në zonën e IDENTITETIT  2. IDENTITETI 4 është vëllai i tij me nënë dhe banon po në atë zonë dhe merret me bujqësi. Ai është 45 vjeç, i martuar me një grua shumë kurajoze dhe shumë besnike. RNDOLLAR thotë se ai ka një inteligjencë të lindur për t’u bërë agjenti kryesor i rrjetit. Nëse IDENTITETI 4 do të refuzojë bashkëpunimin, ai propozon rekrutimin e një vëllai tjetër të tij si agjent kryesor. IDENTITETI 9 është një burrë rreth të 55-tave, i cili tashmë punon si punëtor i thjeshtë që nga koha kur komunistët erdhën në pushtet. RNDOLLAR e konsideron edhe gruan e tij si shumë besnike.