Albspirit

Media/News/Publishing

Gabim mjekësor, mjekësi e gabuar a histeri gjuetie shtrigash!

Prof. Dr. EDVIN PRIFTI, Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUT

Jo pak ngjarje kanë ndodhur ditët e fundit, nga më absurdet dhe të çuditshmet, po pa dyshim që ngjarja më e rëndë është humbja e jetës së një nëne të re së bashku me bebin e saj të palindur. Një nënë shtatzanë përjeton dhe personifikon pikërisht momentin sublim të dhurimit të jetës, dhe sigurisht kur ky proçes ndërpritet dhe për më tepër kur ka pasoja tragjike është tepër i dhimbshëm, jo vetëm për familjen, por për të gjithë shoqërinë, pasi në fund të fundit, vijmë në jetë për të lënë dikë pas nesh.

Në këtë kontekst, tragjikja e kësaj ngjarje të ndodhur disa ditë më parë në një nga spitalet e Tiranës është tepër e dhimbshme për këdo dhe sigurisht që për më tepër ne mjekëve duhet të na bëjë të mendojmë thellë, dhe gjatë këtij meditimi të mundohemi të analizojmë ndodhinë dhe arsyet, të vendosim në funksion ligjet e mjeksisë që ne njohim si dhe të panjohurat shkencore, larg britmave, çirrjeve dhe thirrjeve të atyre që nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë dhe për më tepër që sot bërtasin kush më shumë dhe kush më pak si dashnorët më të mëdhenj të jetës, paçka se asistojnë çdo ditë në mohimin që i bëhet asaj kur flitet për krimin, vrasjen, hakmarrjen, dhunimin, përdhunimin, trafikun.

Sigurisht që kur humbim dikë që duam, asnjë natyrë njerëzore nuk do ta pranonte me lehtësi këtë fakt, dhe gjëja e parë që bën në mënyrën më instiktive është të gjejë fajtorin e radhës dhe sigurisht kur bëhet fjalë për vdekjen që ndodh në spitale pa dyshim që “fajtori” është mjeku dhe më pas, kjo fjalë e thjeshtë fillon të perifrazohet duke dhënë edhe arsyet, apo analizat mediokre të kryera në rrugë pa kurrëfarë llogjike profesionale dhe shkencore. Më ka ndodhur edhe mua që në momente dëshpërimi të ngrihesha dhe të thosha “mos vallë gabuan mjekët?”, “mos vallë duhet ta kisha çuar njeriun tim në një spital tjetër apo në një vend tjetër?” Po a është kjo zgjidhja apo zgjedhja që duhet të bëjmë në këto momente? Mendoj që jo!

Një nënë me fëmijën e saj vdiqën pas afërsisht 5 orë vuajtjesh dhe për më tepër pa një diagnozë deri në momentin e interventit. Sigurisht që vdekja e një nëne të re përsa e dhimbshme, duhet të kuptohet që paraqet një ngjarje të kudo ndodhur pavarësisht shkallës së zhvillimit të vendit dhe nivelit të sistemit shëndetësor. 830 gra vdesin çdo ditë në botë gjatë lindjes. Vetëm në SHBA vdekja e nënave shtatzanë në periudhën peripartuale është 13-15 në 100.000 lindje të gjalla.  Në vendet e Komunitet Europian varion nga 5-12 ne 100.000 lindje të gjalla.  Pra siç shikohen nga statistikat është një fenomen i rrallë por që ndodh në praktikën klinike dhe ku afërsisht 27% e tyre mund të parandaloheshin thonë studimet e kryera. Shkaktarët kryesorë të vdekjes së nënës gjatë lindjes është hemorragjia, infeksioni, presioni i larte i gjakut, komplikacionet e lindjes dhe aborti. Ruptura spontane e shpretkës është tepër e rrallë dhe në përgjithësi ndodh në terren të aneurizmës së arteries splenike dhe më shpesh ndodh në kushtet e traumës. Por a mundet që kjo të ishte menduar dhe zbuluar.

Sigurisht duke u thelluar në proçesin e njohjes së simptomave dhe nëpërmjet ekzaminimeve do të bëhej e mundur, por shkalla e vështirësisë do të ishte shumë e madhe. Duke u kthyer në ngjarjen që ndodhi në Tiranë, kjo u ndoq nga ndalimi i dy kolegëve tanë me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm. Tronditja e madhe që më kishte lënë fatkeqësia e mëparshme e pacientes u përndoq nga një e dytë. Nuk arrija dot të kuptoja dhe të besoja se çfarë mund të ketë kriminale në një mjek që në orën 4 të mëngjesit futet në sallën e operacionit dhe dy apo tre ditë më pas të përfundojë i ndaluar dhe i arrestuar dhe për më tepër i përçmuar. A ka raste të tilla në botën e civilizuar, përveç rasteve kur mjeku kryen një akt kriminal të qëllimshëm, apo kur mjeku ka qënë neglizhent dhe nuk ka qënë prezent të japë ndihmën dhe asistencën e duhur pavarësisht se ajo mund të jetë edhe jo e drejtë dhe e paaftë?! Do tju lutesha të na jepnin raste të tilla kur mjeku është burgosur pavarësisht dedikimit të tij kur pacienti nuk ia del dot të shpëtojë!

Mjaftoi pak që histeria të përshkallëzohej në nivele të tilla që të fillonte procesi i lënçimit dhe gjuetia e shtrigave të molepsura. Të kujt? Të mjekëve. Fajtori është i lehtë për tu gjetur dhe për tu goditur. Kriminelin e kemi aty përpara. Mjeku, pikërisht ai mjek që e priti të sëmurën, që mbase nuk arriti të bënte diagnozën e duhur, por që mendoi ta çonte në një vend më të specializuar, dhe më pas e pranoi përsëri dhe kreu një operacion për ti shpëtuar jetën asaj, një operacion që tek e fundit është fokus i kirurgut të përgjithshëm. Pra në vend që të falenderoheshin për sakrificën sublime që kryen, u pështynë, u shanë, u poshtëruan, u lënçuan, u konsideruan vrasës, emrat u përfolën, u hodhën në baltën e injorancës mbllaçitëse dhe nuk mjaftoi kjo por edhe u ndaluan, kërkohet 45 ditë burg që fatmirësisht nuk u pranua nga gjykata?! Nuk dua aspak të mbroj mjekët të cilët për më tepër nuk i njoh personalisht, por asnjëri nuk mund të thotë që ata nuk donin ta ndihmonin apo ta trajtonin të sëmuren.

Nuk di se si e mendojnë ata njerëz që sot ju janë vërsulur mjekëve të tyre, që broçkullisin duke fyer dhe injoruar punën e tyre. Por harrojnë të mjerët dhe dritëshkurterit, dhe nuk kuptojnë që çdo vit qindra mjek shqiptarë të cilët nuk e suportojnë me këtë situatë po largohen kryesisht në Gjermani dhe gjetiu (dhe për pacientin gjerman apo italian këta mjekë janë mjaft të mirë apo jo?) dhe ata mijëra të tjerë që prindërit i çuan të studjojnë mjekësinë në vendet europiane tashmë nuk kthehen pasi idealet e rimodernizimit dhe rinovimit të mjekësisë sonë janë transformuar në perndjekjen dhe përçdunimin e figurës së mjekut, në ndjenja neveritëse të urrejtjes ndaj tij. Sigurisht po largohen, pasi ju do i keqtrajtoni, do ti dhunoni dhe më pas do ti burgosni dhe do ti konsideroni si jashtëqitjen e kombit dhe do tju tregoni vendin në sektoret e riedukimit social.

Por çfarë kërkoni të bëni, “të ekzekutoni” mjekun shqiptar për të prodhuar çfarë? Të na ndaloni të gjithëve, dhe më pas shqiptarët të zgjedhin mjekët e tyre më të mirë, ti sjellin nga Amerika, Evropa, Zimbabe apo Nigeria dhe mbase i trajtojnë me sodë buke për të shëruar tumoret sikurse ka ndodhur në vendin tonë. Ose më mirë të punësojnë disa priftërinj apo hoxhë dhe ti shërojnë me predikime dhe me këngët e tyre. Dhe këtë ta bëjmë në emër të drejtësisë, pasi kjo është bërë edhe e modës tashmë, çirren më së tepërmi, duke harruar që janë ata vetë produkti i kësaj mjekësie, pasi të gjithë kemi lindur në ato maternitete dhe jemi trajtuar në po këto spitale dhe nga po këta mjekë, dhe nëse sot kanë fuqinë për të jetuar dhe arsyetuar pa dyshim që ka merita edhe ky sistemi yne shëndetësor.

Kemi të drejtë të kritikojmë? Pa dyshim që po, kritika është motori i zhvillimit. Kemi të drejtë të kërkojmë më shumë? Patjetër që po, jemi një popull europian dhe meritojmë të trajtohemi si të tillë. Kemi të drejtë që mjekësia jonë të jetë e njëhesueshme me vende të tjera të Ballkanit? Pa dyshim që po. A duhet të revoltohemi kur ndodhin fatkeqësitë? Sigurisht që po. A ka paaftësi në sistemin tonë mjeksor? Shumë. A ka një rol e gjithë struktura edukuese mjeksore duke filluar nga Universiteti i Mjeksisë etj? Sigurisht që po. Por nga ana tjetër e gjitha kjo duhet të jetë e shoqëruar me një analizë të qartë dhe rrugëzgjidhjet e duhura. Ka nevojë për seriozitet dhe profesionalizëm nga ata që e marrin përsipër një detyrë të tillë. Spitalet nuk janë parajsa e shërimit absolut, nuk janë as vendet ku sigurohet pavdekësia, janë vende ku tentohet shërimi, zgjatet sado pak jeta, dhe ku ndodh edhe vdekja njerëzore, e rëndësishme eshtë në çmënyrë dhe sa dinjitoze ndodh kjo!

Mjekimi i pakujdesshëm ose gabimi mjeksor është një term i cili në Shqipëri duhet të shikohet me kujdes. Gabimi mjeksor është shkaku i tretë i vdekjes në spitalet amerikane pas sëmundjeve tumorale dhe zemrës dhe pa dyshim që është i pranishëm edhe në Shqipëri. Por në asnjë rast ky gabim mjeksor nuk trajtohet me prokurori, polici dhe me lënçime përkundrazi, gabimi mjeksor i paqëllimshëm apo për shkak të mosnjohurive të duhura apo për mungesë të teknologjisë trajtohet vetëm administrativisht dhe profesionalisht me maksimumin heqjen e liçensës së ushtrimit të profesionit dhe riedukimin profesional të mjekut. Gabimi mjeksor përkufizohet si një efekt negativ i parandalueshëm dhe përfshin diagnozë ose trajtim të gabuar. Errare humanum est, perseverare autem diabolicum – Të gabosh është njerëzore, të persistosh është djallëzore.

Rregullat e malpraktikës mjeksore variojnë nga vendi në vend dhe kostot e saj mbulohen nga asikuracionet profesionale. Në vitin 2016, në British Medical Journal, u referua që në SHBA, 251000 vdekje në vit ishin shkaktuar nga gabimi mjeksor në spitale kundrejt 611000 nga zemra dhe 585000 nga sëmundjet tumorale. Dhe në SHBA aktualisht janë aktiv afërsisht 550000 mjekë spitalorë. Pra me një përllogaritje të përafërt, çdo mjek amerikan, një herë në dy vjet ka mundësi që të ketë shkaktuar një vdekje për shkak të gabimit të tij, vdekje e cila mund të ishte parandaluar. Por nëse gabimi mjeksor do të konsiderohej kriminal atëherë çdo dy vjet SHBA duhet të ndërronte të gjithë kastën e saj mjeksore spitalore. Mbase kjo do të ishte një zgjidhje për Shqipërinë sikurse shumëkush po e trumbeton me naivitet apo me keqdashje, të kryhet “vetingu” edhe në mjekësi dhe të zëvendësohemi të gjithë ne, me mjekë më të mirë dhe më të virtytshëm. Pa dyshim që nuk do të ndeshni as rezistencën më të vogël nga mjekët shqiptarë, nuk ka nevojë as për Kushtetutë dhe për asnjë ligj që të kërkojë konsensus pasi keni konsensusin tonë. Bëjeni dhe mbase kjo do të ishte një e mirë e shtuar nga obskurantizimi intelektual që po i dhuroni vendit tuaj.

Balzaku thotë, që çdo mjek fatkeqësisht ka varrezën e vet, dhe do të shtoja që çdo mjek ka edhe vrasjet e tij të ndërgjegjës. Mjekut shqiptar ju po shtoni edhe krematoriumin e tij individual.

Vetëm neglizhenca në trajtim dhe veprimet kriminale mund të trajtohen kështu dhe duhet të konsiderohen si vepra penale. Dhe ky rast i ndodhur në Tiranë, nuk duket ti përkasë këtij versioni. Në një hark kohor prej 5 orësh mjekët në tre spitale të distancuar nga njeri tjetri u munduan të gjenin diagnozën dhe zgjidhjen përkatëse që në këtë rast mesa rezultoi nuk ishte e duhura. Por çfarë, ti burgosim ti trajtojmë si feçet e shoqërisë pse në orën 4 të mëngjesit u futën në sallë të operacionit për tentativën e fundit. Dhe kur me mendjen e tyre të fokusuar dhe me duart brenda trupit të pacientes pa dyshim që nuk mendonin se çdo ti gjente të nësermen.

Po mendonin të jepnin jetë aty ku skishte më dhe jam i sigurtë që ndërkohë qortonin dhe mallkonin veten e tyre se çfarë kishin bërë gabim, nëse duhet të kishin bërë diçka më shumë, dhe ndërkohë shihnin presionin e gjakut që binte dhe jeta që shuhej. Dhe sigurisht asnjë nuk mori kurajon të vëzhgonte të gjykonte nëse kishte trauma në trupin e pacientes apo jo, pasi po luftonin për jetën dhe për të mirën. Por histeria kolektive po i priste përjashta duke përgatitur sorollopin mediatik të radhës. Mjekët kriminelë, të ligj, të korruptuar, të paaftë, maskarenj e ku ta di tjetër se çfarë! Urime për krimin e radhës shoqëri shqiptare që ndërmore ndaj bijve të tu. E ke bërë shpesh dhe do vazhdosh ta bësh deri sa të kuptosh që lënçimi i më të mirëve të ka çuar në varfërinë shpirtërore dhe intelektuale ku ti shoqëri shqipëtare tashmë ke përfunduar.

Në përfundim, doja të shtoja dhe të kujtoja që mjekët shqiptarë janë bijtë tuaj, janë bijtë e këtij populli dhe përfaqësojnë as më shumë dhe as më pak këtë popull me të mirat dhe të këqijat e tij, me bukurinë dhe shëmtinë e tij, me qytetarinë apo katundarinë e tij. Pa dyshim që siç ka fenomene negative në shoqërinë shqiptare, vrasje, trafiqe, krime, injorancë, dhunë dhe varfëri, këto transmetohen po ashtu edhe midis nesh mjekëve dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Por pavarësisht kësaj, ju garantoj për një gjë, edhe më i keqi ndër ne, edhe më i korruptuari dhe i paafti ndër ne, qëndron shumë më lartë se ata që duke rrufitur kafetë në baret luksoze apo duke shijuar verat e shtrenjta në pubet e Tiranës, nën hijen e dembelizmit gjymtojnë shoqërinë dhe sjellin përçarjen e saj me opinionet e tyre.

Ju garantoj që shëmtia dhe pelerina e ndyrë me të cilën po na mbuloni është shumë më e bukur dhe më e pastër se sa këmishat dhe kollaret e pastra të mediokritetit dhe hipokrizisë, dhe po ju në momente të vështira do të vini tek ne, dhe ne përsëri do tju trajtojmë dhe mjekojmë me po të njëjtat mundësi dhe dije që kemi, pasi nuk e njohim urrejtjen, njohim vetëm luftën me vdekjen të cilën shpesh e fitojmë, ndërkohë që me llomotitjet tuaja nuk mundet të na sillni vetëm përçartje. Sigurisht nuk do të harrojmë, por nuk do të urrejmë, pasi vëmendja jonë është në luftën ndaj dhembjes dhe vdekjes. Kalorësi i Zi është atje, përtej, dhe midis tij dhe jush jemi vetëm ne, dhe mendja jonë duhet të jetë e fokusuar vetëm atje. Ju lutemi na ndihmoni, mos na shpërqëndroni, na lejoni të bëjmë atë që bëjmë më mirë, na ndihmoni me gjithshka ju keni. Me çfarë? Me shumë gjëra po të donit ju populli im. Mjekësia është dedikim, pasion, është teknologji dhe financim. Po si mundet të mendojmë për mjekësi multidisiplinare, të profilizuar dhe të përqëndruar, me forma kompeticioni, dhe aplikacione moderne të terapive deri në trapiantologji, qeliza staminale e organe artificiale kur Shqipëria harxhon vetëm 130 USD për njeri në vit për shëndetësinë dhe këtu përfshihen ilaçet, edukimi shëndetësor, vaksinat, parandalimi, mjekësia e familjes, dhe më tej spitalet kundrejt 3300 USD në Itali, 5000 në Gjermani dhe 9200 në SHBA. Sigurisht që ne do të kemi një sistem më të mirë shëndetësor nëse do të financohej me shumë, nëse do të ishim më të pasur, dhe kjo nëse ju do të punonit më shumë dhe nëse do të investohej më shumë në shëndetësi. Cilësia nuk mund të vijë pa teknologji të reja.

Sigurisht që duhet të kemi një mjekësi të fokusuar tek njeriu, pra një mjekësi e cila të ketë të absorbuar humanizmin si filozofi brënda saj, por po ky humanizëm duhet të jetë pjesë përbërëse e moralit të shoqërisë sonë, përndryshe nuk do të kishte kuptim, pra gjithësecili, politika, media, shoqëria civile duhet të jetë humane. Pa dyshim që mjekët janë humanë, pasi humanizmi si një rrymë filozofike është identiteti i induktuar tek çdo qënie njerëzore, dhe mjeku si njeri që është, pa dyshim që është human dhe e vendos njeriun në qendër të vëmendjes së tij, por nga ana tjetër është edhe profesionist dhe si i tillë duhet të mendojë dhe të veprojë në çdo moment të aktivitetit të tij profesional. Çdo shkarje nga kjo kompromenton punën e tij dhe për më tepër do të rezultonte në një trajtim jo adeguat ndaj pacientit.

Sigurisht është në dorën tuaj ti lënçoni mjekët tuaj, është në dorën tuaj ti burgosni dhe ti dhunoni apo edhe ti zboni ata me shpresë që ti zëvendësoni me më të mirë për të trajtuar familjet tuaja, por ju lutem mos tentoni që dinjitetin të na e nëpërkëmbni. Gabimi të gjendet dhe të evidentohet dhe nëse ekziston të merren përgjegjësitë. Në këtë mënyrë, ne do të bëhemi më njerëzorë, dhe do ti përgjigjeshim agresivitetit të vdekjes e cila mori një nënë të re dhe fëmijën e saj disa ditë më parë, me butësinë dhe dashamirësinë tonë, pasi të tillë duhet të jemi ne, duhet të jemi njerëz që e duam njëri-tjetrin dhe për më tepër i duam gardianët tanë të palodhur të mjeksisë të çilët i pranojmë edhe me gabimet dhe të këqijat e tyre.

Mbase do të reagoni keq kur të lexoni këto reshta, mbase do të ngriheni dhe çnuk do të thoni edhe për mua, edhe për kolegët e mi, do të shkruani blogje dhe komente, por ska gjë bëjeni, nëse kjo do tju sjellë sado pak shëndet dhe do tju zgjasë jetën apo do ju japë mundësi të shfreheni nga pakënaqësitë e akumuluara. Unë përsëri do tju vështroj ju, ato mijëra që operova dhe shpëtuan si dhe familjet e atyre që nuk mundën tia dalin dot, mbase edhe për gabimin tim që nuk isha aq i aftë?! Do të qëndrojmë miqtë e mi, në kufirin midis vdekjes dhe jetës, aty ku ne kemi vendin tonë, aty ku bëhet edhe lufta jonë, se kjo është detyra jonë, edhe pse ju mund të mos na doni për momentin, edhe pse mendoni se gabimi është tek ne, por shpejt do të kuptoni që mjekët shqiptarë janë pjesë e juaja, janë gardianët dhe luftëtarët tuaj të jetës, pavarësisht se jemi po aq të shëmtuar apo të bukur, po aq të deformuar apo të drejtë, po aq të sinqertë dhe hipokritë sa edhe Ju të gjithë.
Non sibi sed omnibus, Vis et Dignitas in omnis – Jo për veten por për të gjithë, forcë dhe dinjitet për ne

Mjaftoi pak që histeria të përshkallëzohej në nivele të tilla që të fillonte procesi i lënçimit dhe gjuetia e shtrigave të molepsura. Të kujt? Të mjekëve. Fajtori është i lehtë për tu gjetur dhe për tu goditur

Balzaku thotë, që çdo mjek fatkeqësisht ka varrezën e vet, dhe do të shtoja që çdo mjek ka edhe vrasjet e tij të ndërgjegjës. Mjekut shqiptar ju po shtoni edhe krematoriumin e tij individual.  Vetëm neglizhenca në trajtim dhe veprimet kriminale mund të trajtohen kështu

Sigurisht që ne do të kemi një sistem më të mirë shëndetësor nëse do të financohej me shumë, nëse do të ishim më të pasur, dhe kjo nëse ju do të punonit më shumë dhe nëse do të investohej më shumë në shëndetësi. Cilësia nuk mund të vijë pa teknologji të reja.

Please follow and like us: