Albspirit

Media/News/Publishing

Kush e solli për herë të parë hurmën në Shqipëri

Historia e rrallë/ Ja kush e solli për herë të parë hurmën në Shqipëri

 

Avni ALCANI

Shqipëria, për shkak të pozicionit gjeografik, e cila laget në brigjet e saj nga deti Adriatik dhe deti Jon, favorizohet nga një klimë e butë mesdhetare, e cila është e përshtatshme për rritjen e një shumëllojshmërie pemësh frutore. Një nga pemët frutore më të veçanta, më të shijshme dhe më të përhapura në Shqipëri është fruti i hurmës kaki. Çdokush që e ka provuar shijen e mrekullueshme të këtij fruti, ka ndjerë kënaqësinë e jashtëzakonshme që të jep shija e frutit të hurmës.

Origjina e prejardhjes së hurmës është nga vendet e Lindjes së Largët, ndaj dhe historia e kultivimit të hurmës në Shqipëri është relativisht e re, gati 105-vjeçare.

Në këtë shkrim do të njihemi me disa të dhëna mbivlerat ushqimore e kurative të frutit të hurmës, me historikun e rrugëtimit të hurmës dhe të mbërritjes së filizit të parë në Shqipëri.

Llojet e hurmave dhe origjina e hurmës kaki

Në botë janë të njohura dy lloje hurmash, hurmat e palmave (ose hurmat arabike) dhe hurmat kaki. Nga vetë emri i tyre, hurmat arabike prodhohen nga një lloj palme që rritet në vendet arabe, e cila qëndron gjatë gjithë vitit e blertë. Hurmat arabike kanë qenë ushqimi kryesor në Lindjen e Mesme për mijëra vjet. Sipas dëshmive arkeologjike, kultivimi i hurmave në lindje të Arabisë, në Mesopotami dhe në Irak, është bërë rreth 6000 vjet para Krishtit. Hurmat janë kultivuar edhe në Egjiptin e lashtë, rreth 4000 vjet para Krishtit. Egjiptianët i kanë përdorur frytet e hurmës për të bërë verë, si dhe për t’i ngrënë. Në kohët e mëvonshme, tregtarët i patën përhapur hurmat rreth Azisë Perëndimore, në Afrikën Veriore dhe në Spanjë. Hurmat e palmës konsumohen të thata, ose të buta. Ato mund të jenë të mbushura me bajame, arra, pjeshkë, portokall, limon etj. Hurmat gjithashtu janë përdorur edhe në gatim dhe për të bërë ëmbëlsira të ndryshme, shurup etj.

Hurma arabike

Hurmat e palmës janë një kulturë e rëndësishme dhe tradicionale në vendet arabe dhe në veri të Afrikës perëndimore. Hurmat janë konsideruar si një frut i shenjtë, ato janë përmendur më shumë se 50 herë në Bibël dhe 20 herë në Kur’an. Në kulturën islame, hurmat me kos ose qumësht, janë ushqimet tradicionale që konsumohen gjatë muajit të ramazanit, për iftar. Gjethet e hurmës së palmës janë përdorur në fenë e krishterë, për Palmën e së Dielës.

Hurma, ose siç quhet ndryshe kakia, është një pemë me prejardhje nga Lindja e Largët, nga Kina dhe Japonia. Ajo bën pjesë në gjininë Diospyros, familja Ebenaceae. Në Kinë hurma kaki ka qenë e kultivuar që nga kohërat e lashta.

Ajo konsiderohet të ketë katër virtyte: jeton gjatë, krijon një sipërfaqe të madhe me hije, përdoret nga zogjtë për të ndërtuar fole dhe nuk sulmohet nga dëmtuesit. Frutet e hurmës kaki prodhohen nga pema e hurmës, e cila është një pemë gjetherënëse dhe ka një lartësi, e cila shkon deri në 15-18 m. Gjethet e saj janë të mëdha, me formë ovale të zgjeruar, të lëmuara dhe me shkëlqim në sipërfaqen e sipërme. Në vjeshtë ato marrin ngjyrë të kuqërremtë. Lulet e saj lulëzojnë në fillim të vitit, me filizat e rinj. Pllenimi i luleve bëhet nëpërmjet insekteve, kryesisht nga bletët. Frutat e kakisë janë të mëdha, të rrumbullaktë ose të shtypur dhe, kur janë të pjekur, kanë ngjyrë portokalli. Lëkura e frutit është e lëmuar, kurse tuli është i lëngshëm, i ëmbël dhe pak fibroz. Para se të piqen, frutat kanë një shije të athët, për shkak të pranisë së taninave. Periudha e vjeljes së kakisë është në muajt tetor dhe nëntor.

Fruti i pjekur i hurmës

Hurmat kaki rriten në mbarë botën, por 90% të prodhimit të tyre bëhet në Kinë, Japoni dhe Korenë e Jugut. Kohët e fundit hurma kaki prodhohet me shumicë edhe në Brazil, Itali, Turqi, Zelandën e Re, Australi, Kili etj. Në botë sot vlerësohet që të prodhohen rreth 2 milion ton hurma në vit.

Vlerat ushqimore dhe kurative të hurmës

Në të gjithë Azinë, veti të ndryshme shëruese i atribuohen hurmës. Ajo thuhet të jetë e dobishme kundër sëmundjeve të stomakut dhe diarresë. Frutat e papjekur janë një trajtim edhe për ethe. Pas vjeljes së tyre ato vendosen në ambiente të veçanta, derisa të zbuten dhe janë të ëmbla si mjaltë.

Një përdorim të madh ka fruti i hurmës kaki në mjekësinë popullore, ku përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, si frutat, gjethet, degët etj. Ajo përdoret e freskët, e thatë, përgatitet reçel, marmelatë, alkool, raki dhe ëmbëlsira të ndryshme. Frutat përmbajnë rreth 17% sheqer, kur është e freskët dhe 62% kur thahet. Përmban vitamina (A, C, B1, B2, B3), proteina, karbohidratet, yndyrna, celulozë, kripëra minerale(hekur, potas, kalcium, kalium, natrium, magnez, fosfor, selen, sodium, hekur), sasi të konsiderueshme tanin etj.

Një nga sëmundjet që kuron fruti i hurmës është anemia, dobësimi i përgjithshëm i organizmit, veçanërisht dobësimi i trupit pas kalimit të ndonjë sëmundje. Në këtë rast këshillohet të përdoret mjekimi me hurma, duke konsumuar çdo ditë 6 deri në 15 kokrra të pjekura, rreth një orë para ose pas ushqimit, për 15 ditë deri në 25 ditë. Hurmat kanë dhënë rezultate të mira në luftimin e sëmundjeve të aparatit tretës, të cilat shoqërohen me diarre. Mjekimi me hurma rekomandohet edhe për personat që vuajnë nga diarreja kronike. Gjithashtu, shumë të sëmurë nga gjëndrat tiroide (fryrja e gushës), kanë pasur përmirësime të dukshme pas përdorimit me bollëk në racionin ditor të frutave të hurmës. Farat e hurmës kanë gjetur përdorime në dhimbjet shumë të forta të barkut. Përveç këtyre vetive të veçanta, hurmat ndihmojnë edhe në rritjen e aktivitetit hormonal për të dy sekset, në gratë shtatzane ajo ndihmon në lindje normale dhe të kollajshme.

caqui

Falë përmbajtjes së vitaminës C, hurmat ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit, pra sistemin imunitar. Trupi është në gjendje të mbrohet edhe më shumë nga bakteret. Hurmat ndihmojnë në tretjen dhe luftojnë lodhjen. Ato janë, në fakt, një zgjidhje e mirë përballë shqetësimeve që lidhen me aparatin tretës dhe atë të zorrëve. Ndaj, ato janë të mira për efektet e tyre laksative (pastruese), falë përmbajtjes së lartë të fibrave. Por, nëse konsumohen të papjekura (të pasura me taninë), janë të dëmshme për organizmin. Ndër të tjera, hurmat kanë efekt pastrues dhe diuretik, kjo për shkak se përmbajnë kalium.

Fruta e hurmës luftojnë stresin psikofizik, lodhjen (si atë kronike, që ka simptoma të ndryshme) dhe humbjen e oreksit. Ato ndihmojnë edhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Këto fruta, madje, mund të përmirësojnë edhe absorbimin e hekurit në organizëm.

fresh-and-ripe-persimmon-fruit-backlit-on-old-royalty-free-image_da80d08e5f2322fa

Hurmat mbrojnë organe të ndryshme, siç janë, p. sh. , për mbrojtjen e shpretkës, pankreasit, stomakut dhe zorrëve, përveç çrregullimeve të ndryshme të mëlçisë. Farat e hurmës kanë gjetur përdorim në dhimbjet shumë të forta të barkut. Për këtë këshillohet që të merren 20-30 gramë fara dhe, pasi shtypen e shtrydhen, lëngu i përfituar zihet për 20-30 sekonda dhe pihet i ngrohtë. Gjithashtu, shumë të sëmurë nga gjëndrat tiroide (fryrja e gushës) kanë pasur përmirësime të dukshme pas përdorimit me bollëk në racionin ditor të frutave të hurmës. Sigurisht, për t’i gëzuar të gjitha të mirat shëndetësore të hurmës, është e rekomandueshme që ato të konsumohen të freskëta.

Historia e rrugëtimit të hurmës kaki në Shqipëri. Adem Karai nga Kuturmani

Hurma kaki, ky frut i mrekullueshëm dhe me ato vlera që përmendëm më sipër, ka një përdorim të gjerë edhe në vendin tonë, sidomos në Shqipërinë e Mesme. Por cila është historia, apo rrugëtimi, i ardhjes së saj nga Lindja e Largët në Shqipëri?

Kjo histori na vjen e rrëfyer nga agronomi i njohur shqiptar, zoti Abedin Çiçi (1911-2005), i cili, në një shkrim të botuar në revistën “Pionieri” (nr. 31,nëntor 1973) dhe të titulluar “Historia e hurmës”, na njeh me një fakt shumë interesant, që pema e hurmës kaki është kultivuar në Shqipëri për herë të parë në vitin 1911.

Gjithashtu, po në atë shkrim, ai na njeh edhe me një fakt tjetër po aq interesant, që pemën e parë të hurmës kaki në Shqipëri e pati sjellë një fshatar i thjeshtë, i quajtur Adem Karai, i cili, – shkruan A. Çiçi – “ishte nga fshati Kuturman i Librazhdit”.

Sipas tregimit të Çiçit, Adem Karai kishte lënë shtëpinë dhe familjen e tij dhe, i shtyrë nga varfëria, “brodhi shumë rrugëve të kurbetit, deri sa më në fund gjeti punë si kopshtar, te një aga në Stamboll”. Në kryeqytetin e Turqisë Ademi pa një bimë shumë interesante, e cila frutat i kishte si topa të kuq në të florinjtë dhe në pamje i ngjasonte portokallit. Ademi ishte mahnitur pas frutit të jashtëzakonshëm e me shije të veçantë, që nuk rritej në vendin e tij dhe, siç shkruante A. Çiçi, ai “vriste mendjen se si të bënte që të mund të rriste këtë pemë kaq të mirë edhe në Kuturman”.

Ademi planifikonte kthimin e tij në Shqipëri, si dhe se si do të mund të transportonte një fidan të atij fruti në fshatin e tij. “Me këtë mendim në kokë, – shkruan Abedin Çiçi, – ai përgatiti një filiz të ri(dhe), aty nga nëntori i vitit 1911, mori leje nga agai dhe u nis për në Shqipëri. Me vete mori edhe filizin e ri. Filizin ai e shkuli me dhe, e mbështolli mirë e bukur me kanavacë. Rrugës, kohë më kohë, e lagëte dhe e mbante me kujdes, si ta kishte foshnjën e tij”.

Pas disa javësh të një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, Ademi më në fund arriti në shtëpinë e tij. Pasi u takua me të afërmit, prindërit, gruan dhe fëmijët, Ademi nxorri nga trasta filizin e hurmës dhe e vuri mbi sofrën e bukës. Të gjithë u çuditën, por edhe u pezmatuan, pasi prisnin që Ademi t’u sillte ushqime e plaçka nga kurbeti dhe jo një filiz peme. “More Adem, i tha i ati, – shkruan Çiçi, – për të na prurë nja shkarpë paske shkuar deri në Stamboll?- Kjo është një pemë shumë e mirë, – tha Ademi, – dhe është më e mirë se te gjitha plaçkat që kanë sjellë kurbetllinjtë. Unë po e mbjell në kopsht dhe ju kujdesuni për të. Kokrrat e saj janë si portokalle dhe të shijshme si hurma”.

Pasi ndenji disa ditë, Ademi u nis përsëri për në Stamboll, por ai ua la me amanet familjarëve të tij që të kujdeseshin për pemën e hurmës.

“Njerëzit e familjes së Ademit, të vegjël e të mëdhenj, – shkruan Abedin Çiçi, – kujdeseshin shumë për hurmën. Ata i punonin tokën, e plehronin…(dhe) kur Ademi i shkruante familjes, i pyeste për të gjithë me radhë, pyeste edhe për shëndetin e hurmës, si të ishte pjesëtar i familjes”.

Plantacione me hurma

Përhapja e frutit të hurmës në qytetin e Elbasanit.

Në Shqipërinë e atyre viteve nuk njihej pema e hurmës kaki, por në vendin tonë rritej një frut tjetër, i ngjashme me të, pema e të cilit rritej në gjendje egër dhe thirrej nga populli “Hurma e egër”. Frutat e hurmës së egër kishin të njëjtën pamje me hurmën kaki, por ishin shumë herë më të vogla se ajo. Hurma e egër i bënte frutat sa një kokërr rrushi dhe me shumë fara. Frutat e hurmës së egër ishin shumë e athta në shije, aq sa, kur i fusje në gojë për t’i ngrënë, nga athtësia ato të ngecnin në fyt. Frutat e saj konsumoheshin veçse kur ishin të pjekura dhe të squllura. Ato i shijonte ndonjë udhëtar, që nuk i njihte dhe donte të provonte frutat e saj.

Filizi i vogël i hurmës që pati sjellë Ademi pas disa kohësh filloi të rritej dhe pema filloi të prodhonte kokrrat e saj të para, të cilat fillimisht u shijuan nga familjarët e Ademit dhe nga bashkëfshatarët e tij. Fruti i hurmës ishte shumë i shijshëm dhe shumë shpejt fama e tij u përhap në të gjithë krahinën e Çermenikës.

“Hurmat u përhapën shpejt, – shkruan A. Çiçi, – se u pëlqyen nga të gjithë”.

Lajmi, se në Kuturman kultivohej një frut i ri e i panjohur, që prodhonte fruta me shije të jashtëzakonshme, mbërriti edhe në qytetin e Elbasanit.

Pema e hurmës në vjeshtë

Qyteti i Elbasanit ka qenë dhe është i njohur për kopshtijet e tij të famshme, në të cilat rriten dhe kultivohen shumë lloje frutash, duke filluar që nga ulliri, portokalli, rrushi, molla, dardha, ftoi, kumbulla, kajsia, pjeshka, zerdelija, muçmolla etj. etj. Në vitin 1933, një udhëtar anglez, i quajtur Bernard Njumën, i cili kishte vizituar Shqipërinë duke udhëtuar nga Londra për në Elbasan me një biçikletë, ishte mahnitur me kopshtijet e shumta të qytetit të Elbasanit. “Qyteti qe i famshëm për portokalle, do të shkruante B. Njumën në librin e tij me kujtime nga ky udhëtim, – dhe çdo shtëpi me oborr rriste mjaft nga këto pemë. Është prekëse të mësoje që, çdo një në tre pemë portokalli në këtë bahçe, të jepte 10 mijë kokrra”. Në këtë qytet ai ishte njohur edhe me përkujdesin që tregonin bahçevanët elbasanas, për mbrojtjen dhe kultivimin e pemëtarisë së tyre. Udhëtari anglez ishte bërë dëshmitar i një ngjarje të jashtëzakonshme, i luftës që kishte bërë një agronom vendas kundër insektit shkatërrues e të rrezikshëm, të quajtur “merimanga e zezë”, e cila kishte bërë kërdinë te pemët frutore, duke i shkatërruar tërësisht ato. Por agronomi elbasanas e kishte luftuar me sukses atë, duke e zhdukur përfundimisht insektin nga kopshtet e qytetit të tij. Në lidhje me këtë ngjarje, B. Njumën do të shkruante: “Tani në portokallishtet e Elbasanit ishte shfaqur “merimanga e zezë”. Por miku ime kishte luftuar me sukses këtë insekt të rrezikshëm. Ai e diktoi dëmtuesin dhe përgatiti antidotin, “merimangën e bardhë”. Ai kishte qenë në Itali për të marrë kopje të “merimangës së bardhë” dhe sot kalonte ditë gëzimi në Elbasan, duke parë se si “merimanga e bardhë” kryen masakër mbi rivalen e saj, “merimangën e zezë”. Ndër të shumtë që më patën folur për Shqipërinë, kisha dëgjuar edhe nga ata që e paraqesin këtë vend si natyrë primitive dhe e pacivilizuar. Por ja, është zgjuarsi dhe guxim kjo e mikut tim të parë shqiptar që takova këtu, ç’ka do të thotë se ç’përgatitje teknike e karakter të fortë gjen në Shqipëri. (Marrë nga libri “Derë e pasme e Shqipërisë”, shkruar nga Bernard Njumën. Londër 1936. Përktheu Osman Allkja).

Persimmon fruits on tree in Autumn

Deri në fillim të shekullit të 20-të, elbasanasit nuk e njihnin hurmën e kakisë. Nëpër kopshtijet e tyre ata rrisnin hurma të egra. “Në atë kohë, – shkruan Abedin Çiçi, – elbasanasit rritnin hurma të egra”. Pas famës që morën hurmat e Kuturmanit, disa nga kopshtarët elbasanas shkuan në Kuturman dhe morën kalema nga hurma e Kuturmanit dhe me to bënë shartime mbi hurmat e egra. Abedin Çiçi do të shkruante se “Ata (elbasanasit) muarën kalema nga hurma e butë e Kuturmanit dhe bënë shartime mbi të egrat. Kalemat i merrnin nga muajt janar-shkurt. Ata i ruanin në rërë. Shartimet i bënin në muajt mars-prill”.

Pas suksesit që patën hurmat e shartuara në Elbasan, brenda pak vitesh hurmat e Kuturmanit u përhapën gati në të gjithë Shqipërinë e Mesme dhe fruti i hurmës, shkruan A. Çiçi, “hyri në gjuhën e popullit me emrin “Hurma e Kuturmanit”.

Please follow and like us: