Albspirit

Media/News/Publishing

MODELI SHQIPTAR I KRIMIT TË ORGANIZUAR NË INSTITUCIONET E QEVERISJES SHTETËRORE

Dinamikat e të ashtuquajturit lidership në Shqipërinë e sotme dhe strukturat politike

DR.VALBONA GJONI KARANXHA

Krimi i organizuar lind si pasojë e mungesës e shtetit. Më të thënë thjeshtë se kaq nuk ka. Me fjalë të tjera, mungesa e shtetit ligjor, shtetit të së drejtës, përforcimit të ligjeve në vënd keto njëzet e pesë vjetët e fundit  na ka çuar në një fushë të hapur veprimtarie të mafies lokale, qeveritare dhe asaj ndërkombëtare. Mafia si organizatë – me kufij të përcakuar territorialë ose gjeografikë- kur është në pushtet ka dorë të lirë mbi ekonominë, financat, buxhetin, sistemin bankar dhe çdo institucion ku kryen tranzaksione. Teknikisht, nga vetë natyra e qeverisjes dhe administrimit, mafia në pushtet i ka kushtuar ekonomise sonë  më shumë se çdo mund t’i kushtonte një qeverisje e mirfilltë. Kjo  do të thotë që krimi i organizuar në pushtet ka vjedhur, abuzuar, akumuluar pasuri shtetërore në kurriz të popullit, taksapaguesit shqiptar në vënd që këto të fundit të kanalizoheshin në programet e duhura në shërbim të qytetarit.

Në termat më të thjeshta,  mafia është organizatë kriminale e shkëputur nga qeveria, por ushtron influencë në shtet dhe organet e tij për të arritur fitime maksimale duke korruptuar funksionarë shtetërorë. Por sot në Shqipëri kemi një model tjetër, më ogurzi se ai i mafis së zakonshme, si modeli i mafies siçiliane për shëmbull. Vendi qeveriset nga vetë krimi i organizuar, pra mafia qeveritare. Ai është i pranishëm në struktura nga ato vendore në ato qëndrore dhe shtrihet në degët e qeverisë, si ajo egzekutive, legjislative dhe në drejtësi. Por si çdo organizatë e cila angazhohet në aktivitete të ligjshme dhe të paligjshme, mafia jonë në pushtet ka natyrë hierakike. Tipike për krimin e organizuar në pushtet janë klanet mafioze të brëndëshme, nga të cilat në Shqipëri më të konsoliduarat janë klani Meta, Rama dhe Berisha. Këto klane ushtrojnë influencën e tyre në kuvend, qeveri, në drejtësi dhe në presidencë  dhe kanë efekt absolut në strukturat dhe institucionet qeveritare. Por gjeografikisht, këto tre klane kanë shtrirjet e tyre të ndara në zona elektorale, apo siç është rasti i reformës për ndryshimin e organizimit territorial. Konsolidimi territorial në 61 bashki  sipas reformës (ligji 115/2014) është një mënyrë për të centralizuar pushtetin vendor nga partia në pushtet  dhe për të fuqizuar efektin e saj  mbi territorin. Decentralizimi i pushtetit, në parim kufizon kontrollin e pushtetit qendror, dhe jep mundësi për më shumë perfaqsim, por në të njëjtën kohë krijon vacuum-e (boshllëqe)  të cilat mund të  sjellin probleme në ndarje territoresh dhe influencash  dhe si pasojë konflikte. Konfliktet territoriale janë karakteristike jo vetëm për krimin e organizuar, por edhe për atë në pushtet. Lufta më e ashpër territoriale, midis klaneve behet historikisht në fushatat zgjedhore.

Klanet mafioze në Shqipëri kanë hapur  të gjitha opsionet e bashkëpunimit me krimin e organizuar ndërkombëtar, një nga këto është mafia italiane e importit të plehrave, ajo ruse e transplantit të organeve dhe gjithashtu lidhjet ndërkombëtare për trafikun e drogës. Zgjerimi dhe shtrirja e mafies është më i dukshëm në ekonomi si fusha që ka të bëj me rindarjen e pareve, fondeve, kapitalit – dhe kjo ndodh në rrugë krejtësisht ligjore- siç janë tenderat, dhe dhenia me konçesione e projekteve të ndryshme kompanive të cilat kanë lidhje me qeverinë apo thjesht qeveritarëve të fsheheur mbas kompanive fantazma pa kredenciale.

Mafia qeveritare në Shqipëri vepron në mënyrë të pavarur nga kartelet e drogës, por në strukturat  e ulëta siç është ajo policore apo adminitrative, ka një ndarje të përgjegjsië morale midis bashkëpunimit me mafian dhe kartelet e drogës, si edhe ajo e ndjenjës së obligimit ndaj shtetit, por kur shteti vet është tërësisht i implikuar në aktivitete të paligjshme, atëherë nuk ngelet shumë shpresë që punonjsi i tij i thjeshtë të mos bëhet pjesë e ketij krimi të organizuar.

Financiarisht, të luftosh mafian lokale është shumë e kushtueshme, atëherë bashkëpunimi me të në nivel qeveritar është shumë herë më përfitues se sa një konflikt i hapur. Kështu edhe shashkat propagandisktike të Ministrisë se Brëndëshme për asgjesimin e fushave të canabis-sativa janë një përpjekje e mekur,  duke anashkaluar faktin që qeveria nuk lufton sistemin e trafikut por disa mjeranë të cilët duan të sigurojnë jetesën në mënyre të paligjshme pasi shteti ka dështuar t’i krijoë mundësi minimale për të jetuar me dinjitet. Ky zinxhir prodhuesish të vegjël droge, pritet në të ardhmen të krijoj një sistem të tërë mbrojtës – siç e kam thënë dhe në artikujt e mëparshëm- në shkëmbim të një përqindje mbi mallin e shitur. Teorikisht, sistemi i mbrojtjes dhe sigurisë është një nga karakteristikat e mafies lokale, dhe mënyrë për të krijuar të ardhura.

Krimi i organizuar në Shqipëri përdor të gjitha mënyrat të ushtrojë influencat e tij, në rrugë ligjore dhe jo ligjore, në aktivitete ekonomike, financiare, marrëveshje politike, tregtare e në shumë fusha të tjera.  Në mënyrë që këto tranzaksione të kryhen, pushteti është faktori kryesor, i domosdoshëm dhe pa të krimi i organizuar kufizohet, por jo elenimohet. Në se krimi i organizuar është në pushtet atëherë mundësitë për aktivitetin e tij janë tërësisht optimale. Kështu zgjerimi i tij nga strukturat më të ulëta deri në fushën ndërkombëtare midis lidhjeve ka bërë që Shqipëria të jetë pjesë e krimit të organizuar global.

Kushtet optimale për krijim e mafies si organizatë (e pavarur) por edhe mafies në pushtet krijohen në periudha të vështira sidomos në periudha tranzicioni ku përforcimi i ligjit është minimal, ku ekonomia është tërësisht e pakontrolluar, ku strukturat shtetërore përdoren si mjet për të krijuar sisteme vetpasurimi në bazë të parasë dhe pasurisë publike, ku sistemi ligjor nuk është konsoliduar dhe ligjishmëria është shumë elastike (e perthyeshme) dhe e hartuar sipas interesave  të forcës në pushtet, ku krimi i organizuar është i aftë të zgjidhet  në pushtet -paradoksalisht-  në mënyrë “demokratike”.

Në të ardhmen, në se publiku nuk i thotë ndal marrëzisë, pritet që krimi i organizuar në pushtet të ristrukturohet sidomos në strukturat administrative më të ulta për të krijuar kështu një bllokade të pathyeshme duke i lënë rrugë te hapur një anarkie, një sistemi i cili do funksionojë dhe anojë andej nga të çojnë rastësia dhe trendet e krijuara si pasojë e mungesës së ligjit dhe kontrollimit të shtetit nga klane kriminale.

Për këtë artikull janë konsultuar shkrime të ekonomistit Stergios Skarpedas, prof of economics University of California. Bletashqiptare.com.  Reforma territoriale 2014.

Please follow and like us: