Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare nderohet me Çmimin e Kulturës Mesdhetare

 

Shkrimtari Ismail Kadare është nderuar në Itali me Çmimin e Kulturës Mesdhetare (Premio per la Cultura Mediterranea – Fondazione Carical). Dialogu, mikpritja dhe paqja: këto vlera i dhanë shpirt edicionit të dhjetë të Çmimit të Kulturës Mesdhetare, i cili u mbajt në datën 14 tetor në Kozencë. Nga Niccolò Ammaniti te kryetari i Bashkisë së Lampeduzës, Giusi Nicolini, ky çmim iu nda atyre personaliteteve, që kanë spikatur me punën e tyre në thellimin e popujve të Mesdheut. Shkrimtari shqiptar u nderua në kategorinë “shoqëria civile”.

Sipas jurisë së çmimit, autori i sa e sa veprave letrare, romane, poezi, ese e skenarë, të cilët janë kthyer në “shprehje të dialogut mes kulturave të ndryshme të Mesdheut”. Me këtë rast, Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizon në sallën “Aleks Buda” (ora 11:00) ligjëratën akademike “Vepra e Ismail Kadaresë në kontekstin e letërsisë moderne europiane” nga prof. dr. Matteo Mandala. Bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare u vlerësuan me çmim edhe të tjerë personalitete nga fusha e letrave. Në seksionin “Shkenca humane”, çmimi iu dha ekspertit të studimeve islamike, Mohammad Ali Amir­Moezzi.

Ndërsa në kategorinë “Kultura e informacionit”, u nderua puna e gazetares dhe shkrimtares iraniane, Fariba Hachtroudi. Vendi organizator, Italia, u përfaqësua në këtë listë çmimesh me Niccolo Ammaniti­n, autorin e romanit “Anna”, që u shpall si vepra më e mirë në seksionin e narratives. Në atë dedikuar të rinjve, ka tërhequr vëmendjen e jurisë “Ti mando un baci” nga Niccolo Zancan. Në lëmë të përkthimeve u nderua Alessandra Shomroni, eksperte e kulturës hebraike.

Një vlerësim i veçantë u është ndarë “ex aequo” kryebashkiakut të Lampeduzës, Giusi Nicolini, dhe atij dhe Riace­s, Domenico Lucano. Sipas organizatorëve, “Politika e tyre është vënë në lëvizje nga e njëjta frymë me të cilën kërkojmë të përballim temën e emigracionit. Përgjigjja e tyre për këtë problem, të cilin e ndajmë plotësisht, është mikpritja”. “Pas dhjetë vitesh, mund të themi se basti është fituar. Dëshironim një çmim ndryshe nga ato që kanë përmbytur panoramën lokale e kombëtare dhe e kemi realizuar”, është shprehur presidenti i fondacionit “Carical”, Mario Bozzo.

Edicioni i dhjetë i këtij aktiviteti u hap me një homazh në kujtim të dramaturgut Dario Fo, i ndarë nga jeta vetëm pak ditë më parë, në moshën 90 ­vjeçare. Përpara ndarjes së çmimeve për shkrimtarët fitues, teatri “Rendano” i Kozencës nderoi fituesin italian të çmimit “Nobel” për Letërsinë.

Please follow and like us: