Albspirit

Media/News/Publishing

“Ju rrëfej familjet mercenare të Himarës që dëmtuan emblemën e Skënderbeut”

Historiani i njohur Pëllumb Xhufi në një intervistë të dhënë për gazetën “Shekulli”, shprehet se ngjarjet e fundit në Himarë, ku është ngritur flamuri grek, apo dhe shënimi i parullave antishqiptare nuk janë një ngjarje e re.

Madje ai nënvizon se këto janë lëvizje që datojnë mjaft shekuj më parë. Për këtë, Xhufi, si njohës i mirë i çështjes çame, duke i konsideruar këto veprime si “serenatave nokturne himarjote” të shek. XXI, thekson se ato realizohen nga persona të ardhur nga Greqia, apo familje mercenare.

Dhe historia e këtyre familje mercenare daton që prej shekullit të XV. Një ngjarje të rëndë Xhufi shikon dhe mbulimin me gëlqere të simboleve të Skënderbeut në Kishën e vjetër peshkopale të Shën Sergji Bakut.

Një lidhje ai e sheh dhe tek kultivimi i kanabisit në Lazarat, kur shprehet se “në llogaritë e çmendura të qarqeve shoviniste greke të pas viteve 1990,  Himara nga njëra anë, dhe ish-republika e hashashit, Lazarati, nga ana tjetër, ishin një pretekst apo një “casus belli” për të ndërhyrë ushtarakisht e për të realizuar aneksimin e Jugut të Shqipërisë”.

Ndërsa kërkon që vëmendja të jetë te zgjidhja e çështjes çame dhe te kërkesat e qëllimshme të Greqisë për varrezat në Shqipëri.

Zoti Xhufi kohët e fundit mes Tiranës dhe Athinës ka një rritje të tensionit. Dje Himara u gdhi me një flamur grek në kalanë e këtij qyteti, ndërsa në Gjirokastër u shfaqën parulla për “Vorio-Epirin”. A kanë, sipas jush, bazë historike pretendimet për Himarën që shfaqen herë pas here dhe cila është prapavija politike e ngjarjeve të tilla?

Sigurisht që pretendime të tilla nuk kanë asnjë bazë historike. Në një libër timin të botuar pikërisht këto ditë, unë citoj një mori të pafundme burimesh e dokumentesh të shekujve XV-XVIII, dokumente veneciane, spanjolle, napoletane, papale, greke, ruse, austro-hungareze, franceze etj., të cilat në mënyrë përjashtimore i përcaktojnë himarjotët si shqiptarë, që flasin gjuhën shqipe.

Citoj gjithashtu shumë dokumente të tjera të atyre shekujve, ku himarjotët si komunitet apo si individë të veçantë vetëdeklarohen si shqiptarë. Për sa i përket “serenatave nokturne himarjote” të shek. XXI, me flamuj e parulla shoviniste, më duket se asgjë e re nuk ka ndodhur këto ditë. Rreth 5 vjet më parë, kur u ngjita për herë të fundit në kështjellën e Himarës, gjeta aty një mori parullash të freskëta në gjuhën greke, të tipit “Himara është greke”, “Jashtë shqiptarët nga Himara”!

Por ajo që më dhëmbi ishte ajo ç’pashë në hyrjen e kishës së vjetër peshkopale të Shën Sergjit e Bakut.

Mbi dy shqiponjat skënderbejane të zbukuruara me kurorën mbretërore, të gdhendura që në shek. XV në arqitraun e mermertë të kishës, ishin kaluar disa duar gëlqereje të trashë për të mbushur relievin e për të zhdukur çdo gjurmë të atyre simboleve. Shqiponjat dykrenore të asaj kishte shekullore janë provë e lidhjeve historike që Himara pati në shek. XV-XVI me pasardhësit e Skënderbeut në Itali.

Në fakt, shqiponja dykrenore, së cilës ata i shtuan edhe kurorën mbretërore në kujtim të të parit të tyre, ishte emblema e Kastriotëve të Italisë. Siç dihet, këta ishin organizatorë e pjesëmarrës në kryengritjet e Kurveleshit e të Himarës në vitet 1481, 1495, 1502 e 1537. Bëhet fjalë për Gjon e Gjergj Kastriotin, përkatësisht djalë e nip i Skënderbeut, por edhe për të afërmit e tij, Kostandin Arianiti e Alfons Kastrioti, Markez i Atripaldës, i cili si guvernator i Tarentit u ngarkua nga Mbreti i Napolit për të nxitur e organizuar  kryengritjet antiosmane në Shqipëri.

Vandalizmi i shqiponjave skënderbejane në traun e portës së kishës së Shën Sergjit e Bakut është, pra, një tentativë për të zhdukur një provë lapidare të njërës prej historive më të lavdishme të Himarës e të gjithë asaj treve, që e lidh atë me Kastriotët dhe me qëndresën antiosmane. Këtë fakt unë e denoncova në një konferencë shkencore që u mbajt pikërisht në Himarë, në vitin 2011, dhe më duhet të them se të gjithë pjesëmarrësit, studiues e intelektualë të asaj krahine, e dënuan atë akt të shëmtuar e barbar, që synonte të zhdukte historinë shqiptare të Himarës e ta zëvendësonte atë me parulla të freskëta shalvaregjëra të shkruara në gjuhën greke. Dua të them, që personat që merren me punëra të tilla nate, si ngritje flamurësh e zhgarravitje parullash, janë shpesh herë persona të ardhur nga Greqia, e ndonjëherë edhe ndonjë himarjot i paguar. Dihet tashmë, se qysh kur u themelua shteti shqiptar, më 1912, rrethe nacional-shoviniste greke paguajnë pinjollë të familjeve të caktuara të Himarës për të kryer akte antikushtetuese e provokative.

Për fat të keq, ndonjë familjeje himarjote vazhdon të vuajë akoma edhe sot kulturën e mercenarizmit. Historia na mëson, se paraardhës të tyre në shek. XV, XVI e XVII, shkonin të luftonin kundrejt pagesës në të gjitha frontet e Evropës e ndonjëherë nuk ngurronin të kërkonin kthimin e Himarës në një territor venecian, spanjoll, napolitan, rus e më tej atë grek. Janë pikërisht pinjollë të këtyre “internacionalistëve” të hershëm që edhe sot bëjnë “lidhje të shkurtër” me sillogjet Vorio-Epirote e me segmentet e tjera nacional-shoviniste brenda e jashtë Greqisë duke pretenduar “helenizmin” e Himarës sonë. Në llogaritë e çmendura të qarqeve shoviniste greke të pas viteve 1990, Himara nga njëra anë, dhe ish-republika e hashashit, Lazarati, nga ana tjetër, ishin një pretekst apo një “casus belli” për të ndërhyrë ushtarakisht e për të realizuar aneksimin e Jugut të Shqipërisë.

Ka një lloj paralelizmi që bën Greqia duke përfshirë debatet me Turqinë dhe situatës me Shqipërinë?

Greqia është një vend ku sistemi shtetëror vazhdon të ngrihet mbi baza të çezaropapizmit të periudhës mesjetare bizantine. Feja vazhdon të jetë një element i rëndësishëm në jetën shtetërore, e sanksionuar e tillë në kushtetutën e vendit dhe për rrjedhojë edhe politika e jashtme, veçanërisht ajo rajonale, ndikohet mjaft nga faktori fetar. Qëndrimi i Greqisë me rastin e konflikteve në Bosnjë-Hercegovinë e në Kosovë bëri diferencën nga qëndrimi unanim i mbajtur nga vendet e tjera anëtare të NATO-s e të BE. Siç e ka denoncuar autori i shquar grek Takis Michas, gjatë konflikte në ish-Jugosllavi, Greqia ishte vendi i vetëm anëtar i BE që dërgoi vullnetarë në krah të trupave agresore serbe. Gjatë konflikteve në Bosnjë e në Kosovë, politikanët e saj kryesorë, si Micotaqis e Papulias, ishin të vetmit mes liderëve europianë që shkonin t’i shprehnin solidaritetin e tyre regjimit gjakatar të Milosheviçit.

Edhe pse vend anëtar i BE, Greqia vazhdon t’i qëndrojë edhe sot besnike aleancave të ngritura mbi baza fetare. Kështu kuptohen marrëdhëniet e saj të privilegjuara me Rusinë e me Serbinë. Prej më shumë se 100 vjetësh, politika e jashtme greke vuan nga obsesioni i rrezikut të “boshtit mysliman”, që sipas saj drejtohet nga Turqia dhe ku veç kësaj bëjnë pjesë edhe vendet “myslimane” si Shqipëria, Kosova e Bosnja. Në Athinë janë të bindur se kur një qeveri shqiptare guxon të ngrejë zërin për çështje të caktuara, pas saj qëndron me siguri Turqia. Ky vizion fetarocentrik sigurisht është anakronik dhe e dëmton shumë projeksionin europian të Greqisë në Ballkan. Dhe druhem se deri sa të lirohet nga fantazma të tilla, politika e Athinës në drejtim të vendeve si Shqipëria, Turqia apo Kosova e Bosnjë-Hercegovina do vazhdojë të gjenerojë moskuptim e mosbesim.

Please follow and like us: