Ka nisur, jo aq mirë  zbatimi i Reformës në Drejtësi. Sot, janë zgjedhur nëntë anëtarët e Këshillit të Lartë të Emërimeve. Pjesë e këtij Këshilli janë edhe Vladimir Kristo nga Gjykata Kushtetuese, Besnik Imeraj gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese si dhe Mirela Fana nga Gjykata e Lartë. Të tre këta anëtarë të KED-së, kanë një përvojë të konsiderueshme si hetues në sistemin e drejtësisë në kohën e diktaturës. Nëse do të zbatohet me rigorozitet ligji i vetting-ut, me shumë gjasa, procesi i vetting-ut do t’i skualifikojë ata.

Ligji i vetting-ut, parashikon përjashtimin nga sistemi i drejtësisë, të atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë përvojë pune në sistemin e drejtësisë gjatë kohës së diktaturës. Vladimir Kristo dhe Besnik Imeraj e kanë të shënuar në jetëshkrimin e tyre se kanë punuar në detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë. Nuk e kanë specifikuar se çfarë funksioni kanë ushtruar. Është një përpjekje për t’i shpëtuar atij emërtimit të tmerrshëm në kohën e diktaturës, “hetues”. Dihet tashmë aktiviteti kriminal i organeve të drejtësisë në sistemin komunist. Në qoftë se Kristo e Imeraj kanë punuar në atë sistem kanë shërbyer si gjyqtarë ose hetues, dy profesione që kanë lënë gjurmë krimi gjatë diktaturës. Kurse Mirela Fana, e ka publikuar pa komplekse në jetëshkrimin e saj, përvojën tri-vjeçare si hetuese në hetuesinë e Mirditës.

Këta gjyqtarë e hetues të kohës së diktaturës bashkë me shumë kolegë të tyre që gjenden në sistemin e drejtësisë duket se po marrin në dorë edhe reformimin e drejtësisë, megjithëse ishin hetues në kohën e komunizmit, gjë që ndalohet nga ligji i sotmëm për reformën në drejtësi.

Ata nuk mund të ishin pjesë e këtij sistemi pa bekimin e politikës, pasi dy palët në bashkëpunim me njëra-tjetrën, drejtësia dhe politika e kanë gatuar këtë sistem korrupsioni, nga i cili Shqipëria është dënuar të jetë vendi më i varfër në Europë.

Jetshkrimet e tre anëtarëve të KED-së

Vladimir Kristo, lindur më 25.04.1947 në Korçë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1969. Nga viti 1969 deri në vitin 1983, ka ushtruar detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë në Shkodër dhe në Tiranë dhe në vitet 1983-1992 ka qenë përgjegjës i Sektorit të Studimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.

Besnik Imeraj, lindur më 6.12.1954, në Tiranë. Diplomuar për Drejtësi, në vitin 1977, në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 1977-1991 ka ushtruar detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë në Elbasan dhe Tiranë.

Mirela Fana (Gjylameti), lindur në vitin  1966 në Tiranë. Zonja Fana është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 1988. Zonja Fana ka ushtruar detyrën e hetueses pranë Hetuesisë së Rrethit të Mirditës, në periudhën 1988-1991.

Kristo, Imeraj dhe Fana janë sot anëtarë të Këshillit të Lartë të Emërimeve (KED). Do të jetë pikërisht ky institucion, pra KED që do të bëjë vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.