Albspirit

Media/News/Publishing

Ditët e mia me Marguerite Duras

Laure Cambau

Kam patur rastin ta njoh Marguerite Duras kur isha fare e re dhe e dashura e djalit të saj. Atëherë isha shumë e ndrojtur dhe e impresionuar të gjendesha çdo fundjave në shtëpinë e kësaj shkrimtareje, një «monument i letërsisë», në Neauphle le Château dhe në Roches Noirez, në Trouville. Vetëm vite më vonë e kuptova që ajo kishte mundur të më bënte për vete. Çfarë isha unë për të, veçse një 19 vjeçare, ajo «Laure e vogël», që e shikonte me atë vështrim gjysmë të gëzuar, gjysmë-intrigues, vajzën që donte biri i saj? Ajo më mësoi që asnjëherë të mos justifikohesha se mungesa e kohës më pengon të shkruaj: nëse duam të shkruajmë, kohën e gjejmë gjithnjë, – thoshte ajo, – madje dhe po të mos flemë. Ç’rëndësi ka! – thoshte gjithashtu dhe Rilke, «koha këtu nuk është një njësi matëse. Të jesh artist, s’duhet të numurosh…»
Veç dashurisë për djalin e saj, ne kishim të përbashkët dashurinë për muzikën. Në Neauphle, në mes të buqetave me lule të thara, përreth një pianoje të vjetër e të ç’akorduar, ne dëgjonim këngët e vjetra «reingaines» si «Blue Moon» dhe valset e Brahms, apo Bebussy dhe Carlos d’Alessio. I dëgjonim aty nën dritën që mezi dukej nga ato llampa të veshura nga koha dhe pluhuri, e disa partitura «historike» të melodive franceze, etj., këngë nga të cilat s’jam ndarë ende, siç janë meloditë e Duparc… Marguerite më ka mësuar gjithashtu të bëj një tavë me presh në furrë dhe gjithashtu që në të përditshmen e rëndomtë prozaike të gjej lëndën për të shkruar. Në fundin e kopështit ne shkulnim «topinanbours» (lloj zarzavati në formë rrënje) për të përgatitur ato sallata të vakta dhe tepër të shijshme.
Kur zgjohesha në fundin e paradites, shkoja në kuzhinë ndërkohë që ajo kishte disa orë që shkruante me një gotë në dorë, duke më pohuar me një buzëqeshje se e konsideronte kuzhinën po aq krijuese sa dhe letërsinë. Në kuzhinën e Neauphle-s të dëgjoje Marguerite të fliste për kuzhinën me atë zërin e saj të rëndë e sensual dhe me një ritëm të paimitueshëm, kuptoje se ishte një mësim i bukur letërsie dhe gjithashtu një lloj muzike dehëse. Nga goja e saj, një listë e thjeshtë se ç’duhej blerë në pazar, mund të merrte formën e thënies së një magjie: ajo kishte dhuntinë ta ndryshonte gjuhën shtëpiake në një formulë muzikore duke luajtur me sharmin dhe rolin e vet përpara admiruesve të saj. Gjithë ajo periudhë me kalimin e kohës u daravit në kujtesën time: por ato shfaqen tashmë të trasformuara nga eksperienca ime e letërsisë. Copëza bisedash, përshtypje të shpërndara aty-këtu, re «duras-ane» që ngrihen nga qielli i dhomës sime të errët, re që më pështjellin dhe më tërheqin në kërkimin e zërit tim, në shiun e lehtë të kujtimeve.

Please follow and like us: