Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare: Ka qindra vite që kombi shqiptar lexon…

Kosova ka nderuar Ismail Kadare me çmimin “Letërsia shqipe”, që ndahet nga Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Librit që vepron brenda saj, duke vlerësuar shkrimtarin për kontributin që i ka dhënë letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Kadare është shprehur në Bibliotekën “Pjetër Bogdani” se çmimi që po i jepet në “mbretërinë e lexuesve” është më i çmuari në jetën e tij, duke u kthyer dhe në një histori 3-mijëvjeçare, kur janë shkruar librat për herë të parë…

Për shkrimtarin Ismail Kadare rruga për në Kosovë nuk mban më gjurmë epike, por një çlirim energjie, duke u pritur në një mënyrë të veçantë në një rast solemn siç ishte nderimi që i është bërë nga Ministria e Kulturës, duke i dhënë çmimin “Letërsia shqipe”, vlerësuar për kontributin e dhënë në letërsinë shqipe dhe atë botërore.

Prezenca e Kadaresë për të marrë personalisht çmimin ka qenë ngjarje në Prishtinë, kur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” është mbajtur edhe ceremonia me këtë rast.

I emocionuar Kadare është shprehur se ky është një nga çmimet më të rëndësishme që ka marrë në karrierën e tij si shkrimtar, për faktin se ky nderim iu bë pikërisht në Kosovë.

Shkrimtari tha me këtë rast se kjo është një ceremoni që çdo shkrimtar në botë e dëshiron dhe e çmon. “Falënderoj Kosovën dhe lexuesit e mi të Kosovës. Jam vërtet i nderuar të marr këtë çmim. Me besoni, ky çmim i dhënë nga Kosova ka kuptim më tepër se një çmim për mua dhe më jep kënaqësi më shumë se çdo çmim tjetër. Jam i lumtur kur mendoj që po e marr çmimin në Bibliotekën e Kosovës, në mbretërinë e lexuesve”, -tha Kadare pas marrjes së çmimit.

Më tej Kadare ka ndarë me lexuesit e Kosovës një raport që kanë bibliotekat me lexuesit, e këta të fundit në evoluimin e tyre kanë prekur edhe lexuesin shqiptar, një mënyrë se si lexohet historia e letërsisë.

“Bibliotekat janë pjesë e mbretërisë së madhe në botë. Letërsia që është arti më i vjetër në botë, ka 3000 vjet. Mijëvjeçari i parë nuk ka pasur lexues, vetëm dëgjuesit. Për fat të mirë kombi shqiptar ka sot lexues të mrekullueshëm. Ka qindra vite që kombi shqiptar lexon dhe bëhet më i mençur, më i dobishëm dhe më i ndritur. Jam i lumtur t’ju takoj duke nënshkruar librat që ju doni për kujtim”, u shpreh Kadare,

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” tha se ka ardhur koha që në historinë e Kosovës të ketë vend të privilegjuar për librat dhe Ismail Kadarenë.

“Për lexuesit e Kosovës, Kadareja është shkrimtar i zemrës. Kadare është autor që nuk është braktisur asnjëherë”, -tha Gajraku.

Çmimi “Letërsia shqipe” ka vlerë monetare prej 10 mijë eurosh dhe jepet për personalitetet, të cilët me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.

Please follow and like us: