Rama: Jam në komunikim me Merkel për situatën; Në votimin e parë për president shkojmë pa emër, presim opozitën

Kryeministri i vendit Edi Rama komentoi situatën politike dhe mesazhet e forta të dhëna nga Minsitri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel. Nga studioja e emisionit “Dritare” në Vizion Plus, Rama konfirmoi edhe komunikimet e vazhdueshme me kancelaren Merkel, teksa shtoi se deklaratat e Gabriel janë qëndrimi zyrtar i Gjermanisë.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me kancelaren dhe të tjerë”, tha Rama.

Po ashtu, Rama u tregua skeptik edhe për mundësinë e ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve. Kjo sipas tij për shkak të kërkesave absurde të opozitës e cila nuk tërhiqet edhe pse sipas tij ka vendosur kushte të pakuptimta.

“Edhe ndërkombëtarët nuk mund të bëjnë shumë se për shkak se pozicioni për bllokimin e zgjedhjeve, dhe duke filluar nga bllokimi i Vettingut, nuk ka shumë për të diskutuar.

Nëse do isha në vend të Lulzim Bashës nuk do isha në çadër. Kur unë isha në çadër qëllimi ishte fisnik dhe mjaft realist. Nuk kemi kërkuar përmbysjen e rezultatit në tavolinë por hetim parlamentar”, tha Rama.

Rama ka komentuar edhe kritikat e deputetes së Lsi Monika Kryemadhi. Referuar deklaratës së saj të fundit se konfikti po sjell humbjen e vendeve të punës, Rama tha se deklaratat janë në kuadrin e fushatës.

“Monika ka filluar fushatën, po bën dhe rolin e opozitës. Mos i merni seriozisht ato që thotë Monika. Lsi ëhstë në koalicion dhe ka edhe ajo kontroibute për reformat, Llogaritja se sa vende pune janë humbur nga çadra janë llogari elektorale”, deklaroi Rama.

Zgjedhja e presidentit:

Kryeministri Rama komentoi edhe procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai konfirmoi se në raundin e parë nuk do shkohet me asnjë emër, për t’i dhënë siaps tij shansin opozitës të bëhet pjesë e procesit për të zgjedhur një president konsensual. Po ashtu, ai mbylli çdo derë për konfirmimin e Nishanit në një mandat të dytë.

“Nuk do paraqesim kandidatë në raundin e parë. Mbase zëri i arsyes nga çadra do flasë dhe do vijnë të zgjedhim një president bashkë.

Nishani nuk mund të jetë sepse konsensual duhet një paanshmëri relative, Zoti Nishani nuk e ka pasur”, tha Rama.

I pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga nëse do jetë Fatos Nano një kandidat, Rama dha këtë përgjigje:

“Nuk dua të marr nëpër gojë asnjë emër. Me zotin Nano kemi marrëdhënie shumë të mira, por përkundrazi është respekti për të që më bën të mos e marr nëpër gojë”, vijoi ai.