Frizura mbretërore e mirditorëve

Për të kuptuar veshjen popullore të zonës së Mirditës iu drejtuam një prej etnografeve më të njohura shqiptare dr.Afërdita Jonuzi. Me një karrierë dhjetravjeçare në terren dhe drejtuese prej disa vitesh e Institutit të Etnografisë shqiptare profesoresha e njohur flet me pasion për zonën e Mirditës. “ Të qënit në fenë e të parëve e ka bërë që kjo zonë të ruajë më mirë traditën e hershme shqiptare. Sigurisht që ndikimet fetare në zonat që u myslimanizuan detyrimisht ndryshuan dhe aspektin e mënyrës së jetesës dhe pa dyshim ndikuan dhe veshjen. Në Mirditë dhe në Alpet e Shqipërisë( në zonat e besimit katolik) ka një karakteristikë të veçantë, sepse në veshjet e tyre lexohet hershmëria, origjina më e pakontaminuar në krahasim me zonat që ndërruan fenë”, thotë Jonuzi.

Etnografja e njohur thekson faktin se faktet historike për mënyrën si visheshin shqiptare i përkasin shekullit XIV-XV, pikërisht kur Shqipëria ishte e ndarë në principata. Periudha e feudalizmit solli formimin e një fytyre të re të të gjitha krahinave shqiptare dhe jo vetëm Mirdita po kjo është periudha kur krahinat filluan të formojnë idenditetin e tyre.  Elementet më të hershme të kostumit mirditor janë këmisha e gjatë si për burra dhe për gra dhe dollamet që ishte si një pallto e hapur me mëngët dekorative që varen.

Ka qenë një këmishë e rrudhur që krijonte imazhin e fustanellës. Kjo ka qenë veshja në fazën më të hershme. Tek gratë kemi llahengën ose xhupen.

Në veshjet e Mirditës duhet treguar një vëmendje e veçantë në pjesën e gjoksit sepse aty gjejmë një minierë.  Këmisha dekorohet në mënyrën më elegante, më interesante, me një fill të hollë dhe shkëlqyes që dallohet me finesë dhe tregon fisnikëri të veçantë.   Element tjetër i hershëm dhe dallues për kostumin mirditor është brezi me rrema, një brez që varet nga prapa dhe një përparje e vogël që quhet stravec.

Për t’u dalluar sipas etnografes është dekori i xhupes ose llahengës. Në të lexohet krishtërimi i hershëm, i stilizuar me lloj lloj formash, ndonjëherë të fshehta dhe ndonjëherë të hapura. Ka një simbolikë në xhuben e grave të Mirditës që ngjan sipas studiuesve të ndryshëm  herë në formën e një  njeriu e herë në formën e shqiponjës. Personalisht profesoresha e lexon si një shqiponjë të stilizuar. Në fshatrat e Shqipërisë së Veriut përpunimi i shqiponjës është një motiv i veçantë.  Shqiponja ka qenë e adhuruar dhe këtë e shohim jo vetëm në tekstile dhe veshje, por dhe në dru është si një shpend totem me forcën dhe lirinë e saj që gjithnjë i ka mrekulluar shqiptarët. Ndaj është ky adhurim që ajo të përdorej gjerësisht në folklorin shqiptar.

Elemente të tjera dalluese që e bëjnë të veçantë gruan mirditore është frizura e grave.  Është e jashtëzakonshme. Mënyra e krehjes së flokëve tek gratë mirditore me të cilën tregojnë moshën dhe statusin e tyre, si dhe mënyra se si e lidhin shaminë është shumë treguese. Është një stil i mbretëreshave të kohës, si  perëndeshat e kohës ilire.

E veçantë është se nuset e reja përdorin një kësulë të veçantë me stringla. Në fakt ky është një element që sipas etnografes së njohur është ndikim i kulturave të huaja lindore. Dhe kjo është normale. Ka ardhur nga emigracioni, nga fakti që Shqipëria ka qenë e pushtuar për një periudhë të gjatë nga pushtuesit e huaj dhe patjetër që kanë ndikuar dhe tregtia. Veshjet e dasmave gjithnjë kanë pasur ndikime të mëdha nga kulturat e huaja.

Një gjë tjetër shumë specifike e veshjes së Mirditës janë çorapet e grave. Si kërkund tjetër në asnjë krahinë të Shqipërisë ato kanë një formë vezake. Diametri i tyre shkon 33-34 centimetra. Të gjitha zonat i kanë çorapet e ngushta ndërsa mirditoret i kanë shumë të gjera. Madje, dhe në zonat rreth e rrotull që përdorin këtë model çorapesh i quajnë me emrin iltinka. Një gjë karakteristike e tyre janë motivet që përmbajnë . Në motivet e çorapeve gratë e krahinës derdhin gjithë krijimtarinë e tyre.

Një nga tiparet më  karakteristike të grave mirditore është shamia e zezë. Thuhet se dikur shamia dhe xhaketa e grave mirditore ka qenë e bardhë, por pas vdekjes së Skënderbeut  për shkaqe zie u bë e zezë.

Mirdita dhe veshjen e burrave të Mirditës e ka shumë interesante. Edhe ajo në kohën më të hershme ka qenë e përbërë nga këmisha e gjatë dhe me një kësulë shumë të veçantë. Mirditorët dallohen nga qeleshja e tyre e cila ka një formë të prerë konike. Vetëm në shekullin 19-të burrat mirditorë filluan të mbajnë tirqe por shumë të zbukuruar me gajtanë të zi të leshtë. Më pas kemi ardhjen e jelekëve të kuq në vishnje që erdhën si ndikim nga qyteti i Shkodrës.

Dhe në fund të këtij këndvështrimi mbi veshjet popullore të Mirditës sipas etnografes së njohur duhet dalluar diçka shumë e rëndësishme se edhe me ardhjen e modës evropiane vihet re se një numër i madh grash të kësaj zone e ruajnë veshjen e tyre karakteristike dhe mbi të gjitha ruajnë frizurën interesante që i bëjnë ato, ndër më të veçantat e Shqipërisë.