Albspirit

Media/News/Publishing

Mujo Buçpapaj: Shqiptarët në Ballkan në kërkim të demokracisë dhe lirisë

 

Shqiptarët në Ballkan duket se janë përsëri në kërkim të lirisë dhe demokracisë. Para tre ditësh ra qeveria e Kosovës, pritet të bjerë edhe ajo e Tiranës, ndërsa shqiptarëve në Maqedoni nuk po u mohohet mundësia për të marrë pjesë në qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016, me pretekstin absurd se avancimi i statusit të tyre “rrezikon Maqedoninë unike.”
Zhvillimet janë kryesisht të natyrës së demokracisë, por e rëndësishme është që në fund shoqëritë shqiptare të jenë fituese dhe përfitimet demokratike e kombëtare të jenë të qendrueshme.
Pas 27 vitesh demokraci në Shqipëri, rreth 18 vitesh lirie në Kosovë dhe 16 vitesh pas Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, shoqëria shqiptare nuk ka mundur të pajtohet me arritjet gjysmake, të deformuara apo të kompromentuara të demokracisë.
Pavarësisht arritjeve të pakontestueshme që janë realizuar gjatë këtyre viteve në liri dhe demokraci, është vënë gjithnjë në pyetje aftësia e elitave politike në Tiranë, Prishtinë apo Shkup për të shfrytëzuar si duhet mbeshtetjen nderkombëtare, e cila në fillim të viteve 1990 deri me Clrimin e Kosovës në qershor 1999 ka qënë e fortë dhe shpresëdhënëse.
Anëtarsimi i Shqipërisë në NATO, liria dhe Pavarësia e Kosovës si dhe konsumimi i një statausi të reduktuar të shqiptarëve në Maqedoni, sido që konsiderohen arritje historike, duket se kanë lënë të pakenaqura shoqeritë shqiptare në rajon.
Korrupsioni i përhapur, qevrisjet e dobëta, ndertimi i një demokracie të bazuar shpesh tek klanet dhe jo politika gjithpërfshirëse, e bazuar tek nepotizimi e tarafet dhe jo tek meritokracia, duket se ka deformuar shumë qeverisjet lokale në këto vende, duke sjellë shumë zhgenjime dhe pakënaqësi ndër shqiptarët.
Përgjithësisht politika shqiptare në rajon rezulton të ketë qënë një politikë e rasteve të humbura, e deshtimeve të forta për të punuar sëbashku, qoftë edhe për gjëra me interes kombëtar, si dhe e përcarjeve të panevojshme.
Të gjitha këto së bashku dhe vec e vec e kanë ulur potencialin demokratik të shqiptarëve, seriozitetin si partner luajal në shumë projekte ndërkombëtare dhe bashkë më të edhe besueshmerine tek aleatët tanë straegjike, aq sa rrezikojmë për të humbur vendin e previligjuar që na kishte dhënë perendimi, me të drejtë, gjatë dekadës së parë të vitit 1990.

Falë edhe gabimeve tona, vendi më i izoluar i Europës pas luftës së ftohtë sic ishte Serbia, ia ka dalë të përmbysë situatën në favor të saj, duke siguruar para Shqipërisë hapjen e negociatve me BE-në, si dhe marrë shumë investime të huaja për modernizmin e ekonomisë së saj. Beogradi , nëpërmjet listës serbe, bllokoi formimin e ushtrisë së Kosovës, siguroi një status më të avancuar të komunave serbe në veri të vendit, ndërsa nuk bëri asnjë lëshim në favor të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Republika e Shqipërisë duket e përfshirë në një konflikt dhe me mundësi të dobëta për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme e cila do të nxirrte vendin nga kriza politike tremujore. Edhe pse më 18 qershor do të duhej të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, është e qartë se bojkoti i opozitës do ta zhvletësojë këtë datë, e cila është në kërkim të disa masave që do të rrisnin garancitë e zgjedhjeve kombëtare, sic është thënë prej saj “të një qeverie teknike me mbeshtetje të gjërë politike.”
Kosova në mënyrë të papritur e prishi koalicionin e konsideruar si historik mes PD-LDK, një divroc politik ky që kaloi përmes retorikës, fajësimit reciprok dhe frymës së mosbesimit të thellë që të kujton kohët kur këto parti ndanin pikëpamje të ndryshme për cdo fenomen dhe ishin në një konkliktualitet të thellë.

Pas një periudhe qetësie ngecja e liberalizmit të vizave me BE-në, mosarritja e një konsensusi për kufirin me Malin e Zi si dhe pamundësia për të ngritur ushtrinë e Kosovës, i dha vendit një kthesë të papritur. Më 11 qershor pritet të konfirmohet një mozhorancë e re në Prishtinë e cila do të mund t’u japë zgjidhje këtyre problemeve të grumbulluara gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë papunësinë, korrupsionin e përhapur dhe mungesën e investimeve. E ardhmja e Kovës do të varet shumë nga aftesia e elitave politike në Prishtinë për t’u përballur me guxim me këto sfida.
Shqiptarët në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duket të kenë lënë pas një histori përcarjesh të thella dhe shpesh armiqësore të lidërve të tyre politikë dhe pavaresisht pse ndajne pikepamje te ndryshme per shume gjera te jetes politike atje, të kenë kaluar në një një fazë bashkëpunimi për gjëra me interes kombëtar.
Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016, ata u panë të bashkuar, si kurrë më parë përmes një dokumenti të rëndësishëm dhe demokratik, i cili u imponoi partive politike sllavomaqedonase kushte të reja dhe të drejta për të marrë pjesë në qeverisjen e ardhshme.
Privatizimi i pushtetit dhe përcmimi i kushtetues vendase nga presidenti Ivanov, i ka penguar ata që të luajnë rolin e tyre në ekzistencën e shtetit maqedon. Ndërsa zgjidhja po vonon, duket se bashkëkombasit tanë do të kenë pengesa të medha deri sa t’i arrjnë sukseset e para të kësaj marrëveshje, që në mënyrë deshperuese u vlerësua nga Ivanov dhe Gruevski si “Platforma e Tiranës.”
Në këtë përballje me autoritarizmin e pushtetmbajtësve maqedonas, duket se shqiptarët etnikë në këtë ish-republikë Jugosllave , nuk do ta kenë sa duhet mbeshtetjen e Tiranës dhe Prishtinës për shkak të zhytjes së këtyre dy vendeve në krizën e zgjedhjeve politike.
Shqiptarët në Mal të Zi, sido të përcarë dhe me një përfaqësim minimal në parlametnin e këtij vendi, ia dolën të fitojnë statusin e komunës së Tuzit. Duket qartë se anëtarësimi i kësaj republike në NATO do të avancojë statusin e shqiptarëve atje dhe ky është një hap i mirë për të ardhmen.
Ajo që ka shumë rëndësi është që shqiptarët, ndërsa në fillim të viteve 1990 ishin në rrugë për të fituar lirinë: lirinë politikë në Tiranë, liritë kombëtare në Prishtinë dhe Shkup, Luginen e Presheves, etj, sot gjenden në kërkim të demokracisë.
E rëndësishme është që pikëpamjet e ndryshme politike, nuk duhet të na pëngojnë për të arritur marrëveshje me interes kombëtar. Pra e rëndësishme është që shqiptarët të dalin nga kjo krizë me pjekuri, pa demtuar interesat kombëtare dhe rolin e tyre parësor në rajon, duke forcuar demokracinë, natryrisht edhe lirinë, dhe bashkë me to aleancat me miqtë tanë strategjik, sic janë SHBA-të dhe perendimi në tërësi.

Please follow and like us: