Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahen çmimet në kuadër të Panairit Kombëtar të Librit

Në kuadër të edicionit të katërt të Panairit Kombëtar të Librit i cili mbahet në Fier janë ndarë edhe pesë çmime të rëndësishme për prurjet më të mira të vitit në disa gjini letrare nga gjithsej 148 kërkesa.

Vladimir Marku, Erenestina Halili, Shkëlzen Zalli, Monika Stafa dhe Odise Plaku janë pesë fituesit e këtij edicioni të panairit. Për librin poetik më të mirë është shpërblyer Erenestina Halili me motivacion: Për vëllimin ‘Gjâma e erës’, i cili na çon nëpër kohë, duke na zbuluar gjurmët etnografike të një të folmeje, gati të harruar e duke na sjellë një ritëm dhe muzikalitet të brendshëm. Rrëfim lirik që qëndron estetikisht mirë në këtë qasje”, shkruan KultPlus.

Vladimir Marku është shpërblyer për romanin më të mirë, me motivacion: Për romanin ‘Gladis’, i cili sjell një spektër të tërë ngjyrimesh emocionale dhe karaktere që nisin nga e veçanta për të prekur universalitetin.

Kurse për librin më të mirë për fëmijë çmimi i është ndarë Shkëlzen Zalli, me motivacion: “Për librin ‘Ditari i maces’, një libër me gjetje nga më interesantet, ku mishërohet fabula, loja dhe mendimit. Monika Stafa ka fituar çmimin për librin publicistikë/studimor më të mirë, me motivacion: Për librin ‘Kod’, i cili vërtitet rreth një boshti që kërkon në hapësirat e vetvetes, ndikon në reflektimin drejt përsosjes individuale të qenies njerëzore.

Ndërsa Odise Plakut i është ndarë çmim i veçantë me motivacion: Për librin ‘Tri ndodhitë e Orikut’, i cili sjell me vete magjinë joshëse te fëmijët dhe gjallëron mendimet dhe përfytyrimin e lexuesit të vogël”.
Panairi është hapur më 11 maj në sheshin kryesor të qytetit në Fier ku kanë qenë të pranishëm rreth 100 botues, institucione kulturore, arsimore, klube shkrimtarësh, OJF, etj, nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Të ftuar janë personalitetet më të njohura të letrave shkrimtarë, poetë, akademikë, përfaqësues të medias e politikës, të cilët vijnë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia.

Kurse në kuadër të Panairit janë zhvilluar konferenca të rëndësishme shkencore, si: “110 vjet nga lindja e Mitrush Kutelit”, “Libri i përkthyer, problematikat aktuale, “Azem Shkreli, poeti i mendimit të thellë” si dhe promovimi i romanit të ribotuar, “Lulja e kripës” i shkrimtarit të njohur, Jakov Xoxa.

Panairi Kombëtar i Librit organizohet nga Fondacioni Harpa kurse është mbështetur nga Bashkia e Fierit dhe Ministria e Kulturës.

Please follow and like us: