KE: Beogradi të njohë zyrtarisht gjenocidin e Srebrenicës

Ekspertët e Këshillit të Evropës i kërkuan sot Serbisë të njohë zyrtarisht masakrën e Srebrenicës në Bosnje Hercegovinë si një gjenocid, në një raport që shpreh gjithashtu shqetësim edhe për frazat plot urrejtje të përdorura nga grupet raciste të tifozëve të futbollit.

“Drejtuesit politik duhet të pranojnë zyrtarisht se masakrat e kryera në Srebrenicë, në lindje të Bosnje Hercegovinës përbëjnë një gjenocid”, theksoi presidenti i Komisionit Evropian kundër racizmit dhe intolerancës (Ecri) i Këshillit të Evropës, suedezi Christian Ahlund, shkruan AFP.

Në korrik të vitit 1995, rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë brenda disa ditëve. Bëhet fjalë krimin më të rëndë të kryer në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Komisioni i Këshillit Evropian theksoi se Parlamenti dhe presidenti serb kanë kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës.

Megjithatë, ai shprehu keqardhje për faktin që asnjëri prej tyre nuk ka pranuar që këto masakra përbëjnë një gjenocid ashtu si i kanë cilësuar gjykatat ndërkombëtare.

Presidenti serb, Tomislav Nikollic, një nacionalist populiste, ka kërkuar falje në prill 2013 në televizionin kombëtar të Bosnjës.