Albspirit

Media/News/Publishing

Robërimi i gazetarëve dhe robërimi i mjekëve

Për t’i damkosur këta pisa që fshehin emra spitalesh apo nuk kryejnë hulumtimet e duhura duke nxitur me paaftësinë e tyre, psikozën e panikut që buron nga informacioni i pamjaftueshëm.
Tani pyetjet e mia për ata që i shqetëson gazetaria në këtë situatë të përsëritur vrasjesh nga biznesi në bashkëpunim me qeverinë, kanë të bëjnë me sqarimin e një anomalie të vjetër.

Ju o miq, me ç’duket, e respektoni profesionin e mjekut dhe kërkoni të mos hidhet baltë mbi të por të bëhet një ndarje e qartë mes mjekësisë si profesion dhe industrisë spitalore si biznes që shkakton viktima të përsëritura me nepsin e saj për para. Mirëpo këtë atribut që juve ua njihni mjekëve, juve ua mohoni gazetarëve.

Mos vallë nuk na ekzistoka edhe në rastin e medias një ndarje po kaq e qartë mes gazetarisë si profesion dhe industrisë mediatike si biznes? Një biznes që shkakton edhe ky viktima në mënyrën e vet (me dezinformacion, informacion të pamjaftueshëm apo fshehje), e gjithë kjo e nisur nga po i njëjti neps për fitim si ai i homologëve biznesmenë në spital?

Kur thoni se “media” apo “gazetari” bëri këtë apo nuk bëri atë, ju keni parasysh besoj pronarët e medias? Sepse ju nuk mund ta dini çfarë bënë personalisht gazetarët, teksa vendimmarrës për atë çka ata bëjnë nuk janë vetë ata, por pronarët e tyre jo-gazetarë.

Si mundet të raportojë një gazetar me kokën e vet emrin e spitalit nqs pronari i medias ku ai punon, nuk ia lejon këtë? Po investigimin, ekspozimin e palëve neutrale si mund ta bëjë ai nqs pronari nuk është i interesuar të nxjerrë të palarat e një pronari tjetër (atij të spitalit në fjalë)?

Pse jeni kaq te zellshem për të shpërndarë epitete për gazetarët, jo “na u bënë të gjithë doktorë”, jopo “u bënë të gjithë komentatorë fejsbuku”? A thua s’jetoni edhe ju në Shqipëri dhe nuk e dini se ashtu si ÇDO punëtor tjetër, edhe gazetari është një punëtor që nuk i posedon vetë as mjetet e “prodhimit” e as lirinë për të përdorur pa pasoja mjete të tjera.

Me pretekstin se ja, gazetarët nuk bëjnë punën e tyre, juve justifikoni jo thjesht bashkëpunimin në krim ndaj shoqërisë prej klasës solidare të biznesit. Ju po nxisni kështu edhe pasivitetin e një shoqërie të tërë e cila, kur është fjala për raportin e saj me të vërtetën, nuk ka pse e pret atë t’i vijë si dhuratë e kollajshme profesionale nga një segment profesionistësh të robëruar njëlloj si çdo profesionist tjetër që i është pamundësuar të kryejë punën e vet në këtë vend.

Please follow and like us: